Si po luftojnë Rusia dhe Perëndimi për zemrën e Afrikës
Ndërsa Rusia është e izoluar në Perëndim për shkak të luftës në Ukrainë, gjatë turneut në Afrikë, vendet afrikane shtruan tapetin e kuq për ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Teksa Lavrov vizitoi Egjiptin, Etiopinë, Ugandën dhe Kongon-Brazzaville, vizita e tij tregoi se Rusia kishte ende forcë diplomatike për të sfiduar Perëndimin për zemrat dhe mendjet e qeverive afrikane.
Edhe pse, shumica e kombeve afrikane – duke përfshirë Nigerinë dhe Kenia-n, përkatësisht fuqitë ekonomike të Afrikës Perëndimore dhe Afrikës Lindore – votuan në favor të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në mars, që dënoi "agresionin" rus dhe kërkoi tërheqjen nga Ukraina, gati gjysma e abstenimeve -17- ishin nga Afrika.
Vendet në këtë listë përfshinin Afrikën e Jugut - e cila ndihet në borxh ndaj Moskës për mbështetjen e saj në luftën kundër sundimit të pakicës së bardhë - dhe Ugandën, e cila do të marrë kryesimin e Lëvizjes së të Paangazhuarve, një organ global i formuar gjatë Luftës së Ftohtë nga vendet që donin të shmangnin kapjen nga rivaliteti midis fuqive perëndimore dhe bllokut komunist.
Gjatë një konference për shtyp me Lavrov, presidenti i Ugandës Yoëeri Museveni përsëriti qëndrimin e tij të neutralitetit mbi konfliktin në Ukrainë.
“Ne nuk besojmë se jemi armiq të armikut të dikujt”, tha ai.
E për Lavrov, vizita ishte e rëndësishme për të kundërshtuar pretendimet se Rusia po "eksporton urinë" në Afrikë. Pasi, për rritjen e çmimeve të grurit ai fajësoi sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga vendet perëndimore.
Megjithatë, Lavrov nuk ofroi asnjë ndihmë për shtetet afrikane që të zbusin efektet e krizës së kostos së jetesës.

Përkundër tij, një ndihmë kanë premtuar ShBA-të, me 1.3 miliardë dollarë për të frenuar urinë dhe ndihmuar iniciativën e Misionit të Rezistencës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FARM) të udhëhequr nga Franca për të ndihmuar bujqësinë afrikane.
Ndërkohë, këtë javë Afrika është duke u vizituar edhe nga presidenti i Francës Emmanuelle Macron, i cili do të ndalet në Kamerun, Benin dhe Guinea-Bissau.
Në Kamerun, Macron tha se: "Ne fajësohemi nga disa që thonë se sanksionet evropiane janë shkaku i krizës botërore të ushqimit, përfshirë në Afrikë. Është krejtësisht e rreme. Ushqimi ashtu si energjia, janë bërë armë luftarake ruse."

E duke kundërshtuar këtë pikëpamje, Lavrov në Afrikë tha se kriza e ushqimit filloi me pandeminë Covid, por pranoi se "edhe situata në Ukrainë ka ndikuar në tregun ushqimor".
Në Egjipt, Lavrov dha një garanci se eksportuesit rusë të grurit do të përmbushin "angazhimet e tyre".
Ekonomia e Egjiptit është më e varur nga Rusia sesa ajo e shumë shteteve të tjera afrikane, pasi rreth 80% e importeve të saj të grurit vijnë nga Rusia dhe Ukraina, dhe një e treta e turistëve të huaj janë rusë.
Gjithashtu, Rusia ka hedhur gjithashtu themelet për një termocentral bërthamor prej 26 miliardë dollarësh në Egjipt.
Tradicionalisht, tregtia e Moskës me Afrikën është fokusuar në mbrojtje - nga shitja e armëve automatike te avionët luftarakë. Ndërsa, kohët e fundit mercenarët rusë janë vendosur në Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore (CAR) për të ndihmuar forcat qeveritare të shtypin kryengritjet.
Gjatë turneut të tij, Lavrov u përqendrua gjithashtu në samitin Rusi-Afrikë që do të mbahet në Etiopi në muajin tetor, ku mund të nënshkruhen marrëveshje tregtare dhe të mbrojtjes për të forcuar marrëdhëniet.
Vendet afrikane janë duke i vizituar edhe nga zyrtarë amerikane, i dërguari special i ShBA-së për Bririn e Afrikës, Michael Hammer, është duke vizituar Egjiptin dhe Etiopinë, ndërsa ambasadorja e ShBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, javën e ardhshme do të jetë në Ugandë dhe Gana.
Duket se Perëndimi është i prirur të lërë përshtypjen e tij dhe ndoshta t'u kujtojë vendeve afrikane se ofron shumë më tepër në rrugën e tregtisë dhe ndihmës sesa Rusia.

