Afrika, kontinenti i vetëm me vdekje nga lia e majmunit, ende pa vaksina
Afrika ende nuk ka asnjë vaksinë kundër lisë së majmunit, edhe pse është kontinenti i vetëm ku janë shënuar vdekje nga sëmundja që rishtazi u shpall emergjencë globale, njoftoi të enjten agjencia e saj për shëndet publik.
“Le t’i fusim vaksinat në kontinent”, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrave Afrikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Ahmed Ogwell. Ai e përshkroi situatën ku kontinenti me 1.3 miliard banorë po lihet përsëri prapa sa i përket qasjes në vaksina, ngjashmëri e pakëndshme me pandeminë e koronavirusit.
Para më pak se një jave, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli linë e majmunit situatë të jashtëzakonshme, që kualifikohet si emergjencë shëndetësore globale.
Deri më tani, mbi 20.000 raste janë raportuar në 77 shtete. Më shumë se 2.100 raste të lisë së majmunit janë regjistruar në 11 shtete afrikane dhe 75 persona kanë vdekur, tha drejtori i Qendrave Afrikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Ndonëse lia e majmunit ka qenë e pranishme me dekada në disa pjesë qendrore dhe perëndimore të Afrikës, nuk dihej për përhapje të madhe përtej kontinentit ose përhapje të gjerë mes njerëzve deri në maj, kur autoritetet zbuluan dhjetëra epidemi në Evropë, Amerikë Veriore e në vende të tjera.
Tashmë ka nisur gara globale për të siguruar doza të vaksinës kundër lisë së majmunit. Komisioni Evropian e ka siguruar blerjen e 160.000 dozave. Të mërkurën, rregullatorët shëndetësorë të ShBA-së thanë se gati 800.000 doza të kësaj vaksine do të jenë së shpejti të gatshme për shpërndarje pas një vonese.
Ogwell tha se agjencia, që ai e drejton, është angazhuar me partnerët ndërkombëtarë në përpjekje për të siguruar vaksina dhe ndonëse tha se priten lajme të mira në ditët e ardhshme, nuk mund të përmendte kohë të saktë për arritjen e vaksinave.
Sipas tij, në Afrikë nuk ka as vaksina kundër lisë së rëndomtë, që janë treguar efektive edhe kundër lisë së majmunit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se do të krijojë një mekanizëm për shpërndarjen e vaksinave që të sigurohet mbrojtje kundër lisë së majmunit, por për këtë janë publikuar pak hollësi, prandaj nuk ka garanci se shtetet afrikane do të sigurojnë trajtim me përparësi. Asnjë shtet ende nuk është pajtuar që t’i ndajë vaksinat me OBSh-në.
Në Afrikë, lia e majmunit përhapet kryesisht te njerëzit nga kafshët e infektuara. Në Evropë, Amerikë Veriore dhe në vende të tjera, sëmundja po përhapet mes njerëzve pa lidhje me kafshë ose pa vizita të bëra rishtazi në Afrikë.
Në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, shumica e infeksioneve janë shënuar te burrat që kryejnë marrëdhënie intime me burra, ndonëse zyrtarët shëndetësorë kanë theksuar se kushdo mund të infektohet./Nacionale
