Çfarë do të ndodhë me Italinë pas rënies së qeverisë së Draghit?
Pas dorëheqjes së njeriut të quajtur si Super Mario, Italia po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe drejt muajve të paqëndrueshmërisë politike.
Mario Draghi u soll në krye për të udhëhequr rimëkëmbjen ekonomike të Italisë nga pandemia Covid, por pas 18 muajsh koalicioni i tij u shemb.
Çfarë do të ndodhë tani?
Italianët do të shkojnë në zgjedhje më 25 shtator dhe Mario Draghi-t i është kërkuar të qëndrojë si kryeministër i përkohshëm. Italia është anëtare e NATO-s, G7-ës dhe ekonomia e tretë më e madhe në BE, kështu që është shumë e rëndëishme se kush do të jetë në krye të saj.
Në pamje nuk do të ndryshojë shumë, por parlamenti është shpërbërë, gjë që do të pengojë progresin drejt buxhetit për vitin 2023 dhe reformat e nevojshme.
E më pas do të vihet re se ditët e qeverisjes së unitetit me bazë të gjerë kanë mbaruar.
Aktualisht shanset për marrjen e pushtetit i takojnë një qeverie të krahut të djathtë, ndoshta të drejtuar nga Giorgia Meloni, partia e ekstremit të djathtë Vëllëzërit e Italisë – partia nuk ishte pjesë e koalicionit Draghi.
Nuk është një tragjedi
Ndërsa Roma kërkonte të rikuperohej nga pandemia, Draghi stabilizoi qeverinë e Italisë dhe siguroi besimin e BE-së, megjithatë kabineti i tij u bë gjithnjë e më i përçarë me të gjitha partitë që po prisnin për zgjedhjet e majit të vitit 2023.
Edhe vetë Draghi pranoi se ka pasur kundërshtime brenda kabinetit ndaj reformave të rëndësishme.
Por, situata nuk do të bëjë që të ndalet ekonomia e Italisë. Një qeveri e përkoshshme duhet të jetë në gjendje t'i mbajë gjërat në rregull dhe të punojë për buxhetin e vitit 2023, i cili do të duhet të miratohet në muajt e ardhshëm.
Italia duket se po shkon nga e djathta
Giorgia Meloni ka arritur dëshirën e saj. Udhëheqësja 45-vjeçare e ekstremit të djathtë Fratelli d'Italia (Vëllezërit e Italisë) nuk donte të kishte të bënte me qeverinë e Dragit dhe ka bërë thirrje vazhdimisht për zgjedhje të parakohshme. E tani duket se partia e saj me rrënjë neo-fashiste është në një pozicion të fortë për të kryesuar qeverinë e ardhshme të Italisë, së bashku me Ligën e ekstremit të djathtë dhe Forza Italia të qendrës së djathtë.
Meloni i detyrohet origjinës së saj politike Lëvizjes Sociale Italiane neofashiste (MSI) të viteve 1980, ndërsa partia e saj akuzohet se ka tërhequr mbështetjen e neofashistëve.
Ajo ka pikëpamje nacionaliste për migracionin, çështjet sociale dhe kulturore. E ndërsa Mario Draghi ka qenë një mbështetës i fortë i Ukrainës, duke luajtur një rol kyç në G7 dhe NATO, si dhe në BE. Një rënie e qeverisë në të djathtë mund ta ndryshojë këtë.
Nëse e djathta fiton zgjedhjet italiane, një marrëveshje koalicioni mund të arrihet brenda disa javësh.
E duke qenë se krizat politike nuk janë të panjohura për Italinë, qeveria e ardhshme e saj do të jetë e 70-ta që nga Lufta e Dytë Botërore.
Italia është marrësi më i madh i fondit të rimëkëmbjes së Covid të BE-së me 191 miliardë euro në grante dhe kredi. Por paratë janë të lidhura me dhjetëra reforma, prandaj ka shqetësime se italianët mund të humbasin në këstin e ardhshëm.
Reformat e kërkuara përfshijnë ekonominë dhe sistemin e drejtësisë, si dhe tranzicionin dixhital dhe të gjelbër. Edhe Draghi gjatë qëndrimit të tij në krye të detyrës ka luftuar gjithashtu me ndryshimet në rregullat e konkurrencës, duke përfshirë lirimin e licencave për koncesionet e plazheve të Italisë.


