Prishet koalicioni, jep dorëheqje kryeministri italian Mario Draghi - NACIONALE

Prishet koalicioni, jep dorëheqje kryeministri italian Mario Draghi

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kryeministri italian Mario Draghi do të japë dorëheqje disa orë pasi partneri i koalicionit populist Pesë Yjet ka tërhequr mbështetjen e tij në një votëbesimi të madh.

Ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane ka udhëhequr një qeveri uniteti që nga shkurti i vitit 2021, ndërsa në një deklaratë të dhënë, ai u shpreh se “pakti i besimit që kishte mbështetur qeverinë e unitetit ishte zhdukur”.

“Do t'ia dorëzoj dorëheqjen presidentit të republikës sot në mbrëmje”, është shprehur Draghi.

Kriza në ekonominë e tretë më të madhe të BE-së u shkaktua kur udhëheqësi i pesë yjeve, Giuseppe Conte refuzoi të mbështesë paketën e ndihmës ekonomike të qeverisë prej 23 miliardë eurosh për familjet dhe bizneset, duke argumentuar se Draghi nuk po bënte mjaftueshëm për të përballuar koston e jetesës.

Edhe pse qeveria fitoi me lehtësi votimin e së enjtes në Senat, kryeministri kishte paralajmëruar vazhdimisht se nuk do të vazhdonte pa mbështetjen e Pesë Yjeve.

I quajtur “Super Mario”, Draghi fillimisht mbajti një takim me presidentin Sergio Mattarella dhe pasi reflektoi për të ardhmen e tij, dha deklaratën e dorëheqjes.

"Votat e sotme në Parlament janë shumë domethënëse nga pikëpamja politike. Mazhoranca e unitetit kombëtar që ka mbështetur këtë qeveri që nga krijimi i saj nuk ekziston më", është shprehur Draghi.

Zgjedhjet në Itali, ishin planifikuar të mbahen në fillim të vitit 2023, por dorëheqja e Draghi-t mund të bëjë që ato të mbahen në vjeshtë.

Kujtojmë se, ish-shefi 74-vjeçar i BQE-së u emërua vitin e kaluar nga Presidenti Sergio Mattarella për të shpëtuar Italinë nga paqëndrueshmëria e saj endemike dhe për të udhëhequr rimëkëmbjen pas pandemisë.

Pesë Yjet ishte fillimisht partia më e madhe në koalicion, por pas një varg dezertimesh ka humbur mbështetjen. Ish-udhëheqësi i partisë Luigi di Maio e ka akuzuar partinë për një plan cinik për të rrëzuar qeverinë e Draghit, në mënyrë që të ringjallë mbështetjen e saj, duke e tërhequr kështu Italinë drejt kolapsit ekonomik dhe social.

Ndërkohë, komisioneri i Ekonomisë i Bashkimit Evropian, Paolo Gentiloni, i cili është vetë një ish-kryeministër italian, tha më herët se ekzekutivi i BE-së ishte duke i përcjellur zhvillimet në Romë "me shqetësim”.

Lajme të ngjashme