Macron-francezëve: Fikni dritat, përgatituni për ndërprerjen e gazit rus
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar popullin e vendit të tij, që të përgatitet për një ndërprerje totale të gazit natyror rus.
Paralajmërimi i Macron është bërë duke i fikur dritat publike gjatë natës.
"Kjo luftë do të vazhdojë," është shprehur Macron në një intervistë televizive gjatë shënimit të festës kombëtare të Francës, Ditën e Bastiljes.
"Vera, fillimi i vjeshtës do të jetë shumë i vështirë", ka shtuar ai.
Pushtimi rus i Ukrainës dhe sanksionet e vëna ndaj Rusisë kanë përkeqësuar shumë faktorë të tjerë që rrisin çmimet për energjinë dhe mallrat e tjera
Macron iu drejtua popullit duke thënë se, “pa një fund të luftës në Ukrainë, populli francez duhet të përgatitet që kostot do të mbeten të larta”.
“Rusia po përdor energjinë, ashtu siç po përdor ushqimin, si një armë lufte. Ne duhet të përgatitemi për skenarin ku do të vazhdojmë pa gazin rus“, ka shtuar ai.
Macron po ashtu tha se qeveria do të përgatiste një "plan të maturisë" për të kursyer energjinë, i cili do të fillonte me fikjen e dritave publike gjatë natës kur ato nuk janë të dobishme.
Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se Franca do të vazhdojë të kërkojë të diversifikojë burimet e gazit, duke bërë thirrje për një zhvendosje më të shpejtë drejt energjisë me erë në det të hapur dhe më shumë bashkëpunim ndërkufitar evropian për energjinë në mënyrë që të përballohet kriza.
Në anën tjetër, kundërshtarët politikë të Macron në të djathtën ekstreme dhe të majtën ekstreme kanë fajësuar sanksionet e BE-së për uljen e fuqisë blerëse të konsumatorëve francezë, ndërkohë që nuk kanë arritur të bindin presidentin rus Vladimir Putin që të tërheqë trupat nga Ukraina.
Gjatë intervistës së dhënë presidenti i Francës nuk ka dhënë asnjë shenjë për ndryshim të politikës ndaj Ukrainës.
"Çfarë doni që ne të bëjmë?" ka pyetur Macron, duke u shprehur me fjalët: “Ne duam ta ndalojmë këtë luftë pa u përfshirë në këtë luftë. Në të njëjtën kohë, ne duam të bëjmë gjithçka që Rusia të mos fitojë, në mënyrë që Ukraina të mbrojë territorin e saj. Ne nuk duam një luftë botërore.”
Kujtojmë se, presidenti francez Emmanuel Macron ka humbur kontrollin e Asamblesë Kombëtare në zgjedhjet legjislative pas fitores së rëndësishme nga aleanca e krahut të majtë dhe fitores rekord nga e djathta ekstreme.
Kjo humbje ka ngritur shumë pyetje në lidhje me aftësinë e Macron për të përmbushur axhendën e tij të mandatit të dytë, duke përfshirë shkurtimet e taksave, reformën e mirëqenies dhe rritjen e moshës së daljes në pension. /Nacionale/

