Shefja e BE-së paralajmëron rrezikun e ndërprerjes së plotë të gazit rus
Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet të bëjë plane emergjente për t'u përgatitur për një ndërprerje të plotë të gazit rus në vazhdën e luftës së Kremlinit në Ukrainë.
“Është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin po vazhdon ta përdorë energjinë si armë. Kjo është arsyeja pse Komisioni po punon për një plan evropian të urgjencës,” u tha ajo ligjvënësve në Strasburg, Francë.
Kujtojmë se, BE-ja tashmë ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke përfshirë disa furnizime energjetike, dhe po largohet nga furnizimet e kontrolluara nga Kremlini. Por kreu i degës ekzekutive të BE-së tha se blloku duhej të ishte gati për ndërprerjet tronditëse që vijnë nga Moska, duke shtuar se planet e para do të prezantohen nga mesi i majit.
“Nëse vjen më e keqja, atëherë duhet të jemi të përgatitur,” tha von der Leyen.
Associated Press shkruan se, energjia dhe perspektiva e një dimri pa ngrohje të mjaftueshme për shtëpitë ose energjia për të mbajtur fabrikat në funksion, tani mund të jenë një sfidë për solidaritetin e BE-së ndaj Ukrainës dhe një burim për një ndarje të shkaktuar nga populistët.
“Është shumë e rëndësishme të kemi një pasqyrë evropiane dhe një qasje të koordinuar për një ndërprerje të mundshme të plotë të gazit rus,” ka thënë von der Leyen.
Lufta në Ukrainë ka shtyrë bllokun 27-vendesh të rimendojë politikat e tij energjetike dhe vendet anëtare kanë rënë dakord të ndalojnë 90% të naftës ruse deri në fund të vitit, përveç ndalimit të importeve të qymyrit rus që do të fillojë në gusht.
Por, nga frika se mos dëmton seriozisht ekonominë evropiane, BE-ja nuk e ka përfshirë gazin në sanksionet e veta – një lëndë djegëse që përdoret për energjinë e fabrikave dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Para luftës në Ukrainë, BE ka marrë rreth 25% të naftës dhe 40 të gazit natyror nga Rusia, ndërsa tani dhjetëra anëtarë të BE-së janë goditur nga reduktime ose shkurtime të plota në furnizimet me gaz, në një kohë që gecja politike me Moskën mbi pushtimin e Ukrainës, vazhdon të intensifikohet.