Qeveria italiane në prag të kolapsit, Mario Draghi mund të japë dorëheqje
Qeveria e koalicionit të Italisë është duke shkuar në prag të kolapsit, pasi Lëvizja Pesë Yjet ka refuzuar të marrë pjesë në një votim besimi, duke ngritur kështu spektrin e zgjedhjeve të parakohshme.
Five Star (Pesë Yjet), e kryesuar nga ish-kryeministri Giuseppe Conte, është një parti që ka rënë në sondazhe dhe ka humbur deputetë që kur i është bashkuar qeverisë. Ndërsa, vendimi i saj për të mos marrë pjesë në votëbesim - për të cilin ekspertët politikë thonë se është një përpjekje taktike për të rifituar mbështetjen e bazës – mund ta shtyjë koalicionin tashmë të thyer të Mario Draghit në kolaps dhe madje të detyrojë zgjedhje të parakohshme kombëtare më vonë gjatë këtij viti.
"Ne nuk po marrim pjesë në votimin e sotëm... por ky qëndrim i yni nuk ka të bëjë me besimin në qeveri," kështu ka deklaruar Mariolina Castellone, drejtuesja e Pesë Yjeve në senat.
Edhe pse qeveria i mbijetoi votës së besimit, Draghi më parë ishte deklaruar se ai nuk do të vazhdonte detyrën si kryeministër nëse nuk do të ketë mbështetjen e Pesë Yjeve.
E menjëherë pas votimit, The Guardian njofton se Draghi ka thirrur një mbledhje të kabinetit.
Votimi u bë për një paketë ndihme me vlerë rreth 23 miliardë euro, e krijuar për të ndihmuar në luftimin e inflacionit të shfrenuar. Por ai përfshinte gjithashtu një dispozitë për të lejuar ndërtimin e një inceneratori mbeturinash në Romë – diçka që Pesë Yjet e kanë kundërshtuar prej kohësh.
Sipas analistëve të shumtë, partia nuk po përpiqej të rrëzonte qeverinë, por po përpiqej të rifitonte një pjesë të mbështetjes së saj të humbur duke dyfishuar parimet e saj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara që të mbahen në vitin 2023.
Kujtojmë se, Draghi është emëruar si kryeministër në shkurt të vitit 2021 nga presidenti, Sergio Mattarella, dhe është ngarkuar me kryerjen e reformave kryesore të kërkuara sipas këstit më të madh të BE-së të fondeve të rimëkëmbjes pas pandemisë – një paketë me vlerë rreth 200 miliardë euro për Italinë.
Por, që atëherë, qeveria italiane e ka gjetur veten të përfshirë në luftën në Ukrainë, duke marrë një linjë të fortë pro-BE, ndërkohë që vazhdon lufton me inflacionin në rritje. E mbështetja e Draghit për Ukrainën, e cila përfshin dërgimin e armëve dhe mbështetjen e sanksioneve të BE-së, pavarësisht kritikave nga Conte se politika rrezikonte të fillonte një garë armësh, fitoi një votë besimi parlamentar në qershor.
Megjithatë, që kur ka fituar zgjedhjet legjislative në 2018 me një të tretën e votave, Five Star ka humbur mbështetjen dhe rrezikon të zhduket në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.
Muajin e kaluar partia më e madhe në parlament – u nda, me ministrin e jashtëm, Luigi Di Maio, i cili ka krijuar një grup të shkëputur.

