Kriza në Sri Lanka: Si erdhi deri te ikja e presidentit nga vendi dhe çfarë pritet më tej? - NACIONALE

Kriza në Sri Lanka: Si erdhi deri te ikja e presidentit nga vendi dhe çfarë pritet më tej?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas muajsh turbulencash ekonomike, politike dhe sociale në Sri Lanka, mijëra protestues sulmuan ndërtesat kryesore qeveritare në kryeqytetin Colombo, duke përfshirë rezidencën zyrtare të Presidentit Gotabaya Rajapaksa.

Edhe pse, Rajapaksa ka njoftuar se do të japë dorëheqjen më 13 korrik, protestuesit i kanë vënë zjarrin edhe rezidencës personale të kryeministrit Ranil Wickremesinghe, i cili gjithashtu ka ofruar të japë dorëheqjen.

E ndërsa në këto trazira janë plagosur dhjetëra persona përfshirë gazetarë dhe policë, protestuesit kanë mbetur në shtëpinë e presidentit, Sekretariatin Presidencial dhe rezidencën zyrtare të kryeministrit, të njohur si Pemët e Tempullit, duke thënë se do të vazhdojnë të pushtojnë ndërtesat derisa presidenti dhe kryeministri të japin zyrtarisht dorëheqjen.

Por, si erdhi deri te kjo dhe cila është rruga e mundshme përpara për Sri Lankën?

Sri Lanka është përballur me çështje të bilancit të pagesave që nga vitet 1950 dhe ka kapërcyer hendekun midis importeve dhe eksporteve përmes dollarëve të fituara nga huamarrja, turizmi dhe remitancat nga punëtorët e huaj.

Por, pasi u zgjodh në vitin 2019 presidenti Gotabaya Rajapaksa uli taksat, gjë që e privoi shtetin nga të ardhurat shumë të nevojshme, duke bërë që agjencitë e vlerësimit të ulnin vlerësimet e kreditit të Sri Lankës, gjë që e bëri më të vështirë për vendin marrjen e huasë nga tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Po ashtu për shkak të pandemisë COVID-19, të ardhurat nga turistët e huaj dhe remitancat ranë ndjeshëm. Me ekonomistët që paralajmëruan se Sri Lanka mund të mos jetë në gjendje të shlyejë borxhin e saj të jashtëm dhe i kërkuan qeverisë t'i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Gjatë vitit 2022, inflacioni në Sri Lanka u rrit në pothuajse 55 për qind, ndërsa guvernatori i Bankës Qendrore Nandalal Weerasinghe tha se në muajt e ardhshëm inflacioni mund të rritet në 70 për qind.

E kjo krizë ekonomike në rritje nisi një seri protestash që filluan më 31 mars dhe kulmuan me sulmin ndaj rezidencës së presidentit më 9 korrik.

Trashëgimia e Rajapaksës

Familja Rajapaksa ka dominuar politikën e Sri Lankës që nga viti 2005, pas zgjedhjes së Mahinda Rajapaksa si presidente e vendit.

Më par, Gotabaya Rajapaksa, vëllai më i vogël i Mahinda, fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2019. Kjo u pasua nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020, në të cilat partia e tij fitoi me një shumicë dërrmuese në parlament.

Por, pas një sërë gabimesh politikash, veçanërisht një politikë katastrofike bujqësore ai humbi popullaritetin e tij. E pas protestave masive për krizën ekonomike të vendit Rajapaksa, kishte thënë se do të jepte dorëheqjen sot, por tani që ka mbetur vetëm pak kohë që ai të përmbushë zotimin e tij, u bë e ditur se gjatë natës ai ka ikur në Maldive me një avion ushtarak me gruan e tij dhe dy zyrtarë të sigurisë.

Përpara se të ikte, ai ka emëruar për të marrë detyrën e presidentit të Sri Lankës, kryeministrin Ranil Wickremesinghe, i cili po ashtu është përballur me një situatë kaotike pasi mijëra protestues kanë hyrë në zyrat e tij duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme.

Në këtë situatë Wickremesinghe ka urdhëruar policinë dhe ushtrinë të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të rivendosur rendin.

Tani, nëse Rajapaksa jep dorëheqje zyrtarisht, ai do të bëhet presidenti i parë i Sri Lankës që nuk ishte në gjendje të përfundonte mandatin e tij.

E sipas analistëve politikë, kriza aktuale në vend po minon dinastinë Rajapaksa. Ata thonë se Rajapaksas janë një forcë e shpenzuar në politikën e Sri Lankës, të paktën për disa vitet e ardhshme.

Çfarë pritet të ndodhë?

Pas dorëheqjes së presidentit, një qeveri e kryesuar nga kryetari i parlamentit pritet të udhëheqë tranzicionin politik në një administratë të re.

Megjithatë, parlamenti duhet të zgjedhë presidentin e ardhshëm brenda një muaji dhe është ende e paqartë nëse anëtarët e parlamentit do të jenë në gjendje të zgjedhin dikë që mund të marrë mbështetjen e shumicës së ligjvënësve (113), si dhe legjitimitet në sytë e publikut.

Duke qenë se, partia e presidentit Rajapaksa ende mban shumicën në parlament. Pa shumicën e tyre, një qeveri e besueshme dhe legjitime nuk mund të zgjidhet dhe protestat masive mund të vazhdojnë edhe më tej.

Sri Lanka është gjithashtu në mes të diskutimeve me FMN-në për një marrëveshje huadhënieje të Fondit të Zgjeruar (EFF) dhe ka nevojë për një qeveri funksionale për të vazhduar negociatat e saj. Ndërkohë, FMN dhe vende të tjera i kanë kërkuar Sri Lankës që të arrijë një zgjidhje politike sa më shpejt të jetë e mundur.

Një qeveri e qëndrueshme do të ndihmonte gjithashtu aftësinë e vendit për të negociuar një marrëveshje me FMN-në dhe për të zbatuar rekomandimet e politikave. /Nacionale/

Lajme të ngjashme