AP: ShBA-ja e pa se është vështirë që ta shmangë Rusinë
Administratës së Bidenit i pëlqen që të thotë se Rusia është bërë e izoluar në rrafshin ndërkombëtar për shkak të luftës së saj në Ukrainë. Prapëseprapë, zyrtarët më të lartë të Moskës zor se janë mbyllur në Kremlin. E tash, edhe ShBA-ja dëshiron që të bisedojë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar me udhëheqës botërorë, përfshirë homologun turk, Rexhep Erdogan, vendi i të cilit është anëtar i NATO-s. Ndërkohë, kryediplomati i tij, ministri i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, po fluturon rreth botës, duke qeshur, duke shtrënguar duar e duke dalë në fotografi me udhëheqës të huaj – përfshirë disa miq të ShBA-së.
Të mërkurën, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha se dëshiron që t’i japë fund ftohjes diplomatike të nivelit të lartë të vendit të tij me Lavrovin për t’i diskutuar lirimin e të ndaluarve amerikanë dhe çështjet e lidhura me Ukrainën. Biseda telefonike nuk është caktuar, por pritet që të zhvillohet në ditët e ardhshme.

Shtrëngimet e duarve dhe bisedat telefonike hedhin dyshim mbi një pjesë thelbësore të strategjisë së ShBA-së, që synim e ka përfundimin e luftës në Ukrainë: që izolimi diplomatik e ekonomik, bashkë me pengesat në fushëbetejë, do ta detyronin përfundimisht Rusinë që t’i dërgojë ushtarët në shtëpi.
Edhe pse i ka bërë të ditura planet për bisedë telefonike, Blinkeni vazhdoi që të këmbëngulte se Rusia duhet të izolohet. Ai argumentoi se udhëtimi i zyrtarëve të saj më të lartë është thjesht kontrollim i dëmit dhe reagim ndaj kritikave ndërkombëtare me të cilat po ballafaqohet Moska për luftën në Ukrainë.
Zyrtarët amerikanë thonë se Rusia po mundohet që t’i mbajë gjallë ato pak aleanca që i kanë mbetur – disa prej të cilave janë armike të amerikanëve si Irani. Por shtetet që gjoja janë partnere të ShBA-së, si Egjipti e Uganda, gjithashtu po i mirëpresin ngrohtësisht figurat e larta ruse.

Dhe pas mbrojtjes së idesë nga shkurti se nuk ka kuptim që të bisedohet me Rusinë, sepse ky shtet nuk është serioz në diplomaci dhe nuk mund t’i besohet, ShBA-ja ka pranuar se duhet të angazhohet edhe me Moskën.
Afrimi publik ndaj Lavrovit, i kombinuar me njoftimin për “propozimin e konsiderueshëm” për Rusinë që të fitohet lirimi i amerikanëve të ndaluar, Paul Whelan dhe Brittney Griner, befasoi shumë njerëz.
Një bisedë Blinken – Lavrov do të ishte kontakti i nivelit më të lartë mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë që nga 15 shkurti, para pushtimit rus, dhe do të mund ta hapte rrugën për diskutime të mundshme fizike, ndonëse zyrtarët e administratës amerikane thonë se nuk ka plane për këtë.

Si duket, Kremlini i është gëzuar lajmit se Shtetet e Bashkuara tash po kërkojnë kontakt dhe, me gjasë, do ta shtyjë procesin e caktimit të bisedës telefonike për të përfituar përparësi maksimale.
“Ata do ta vonojnë këtë dhe do të mundohen që të na poshtërojnë sa më shumë që munden”, tha Ian kelly, diplomat karriere në pension, i cili ka qenë ambasador i ShBA-së në Gjeorgji gjatë administratave të Obamas dhe Trumpit. “Nuk mendoj që kjo përshtatet me politikën e përgjithshme (të administratës)”, shtoi ai.
Kelly tha se kërkesa për bisedë telefonike është “kundërproduktive ndaj përpjekjes sonë më të gjerë për ta izoluar Rusinë”.
“Shtetet e tjera do ta shikojnë këtë dhe do të thonë “Pse nuk duhet ne të merremi me Lavrovin e Rusinë më gjerësisht”, tha ai.

Kërkesat e Perëndimit për t’i bindur vendet aziatike e afrikane për ta shmangur Rusinë, duket se janë shpërfillur, pasi Lavrovi po udhëton përreth botës.
Prapëseprapë, Blinkeni u mundua që ta minimizonte rëndësinë e udhëtimeve të Lavrovit. Ai tha se ato janë reagim ndaj pranimit të ftohtë që Rusia e ka marrë ndaj mungesës së drithërave të lidhura me Ukrainën, që tashmë po prek pjesë të mëdha të botës në zhvillim, sidomos tash kur ende nuk është zbatuar marrëveshja e përkrahur nga OKB-ja për t’i zhbllokuar ato dërgesa.
“Ajo që shoh unë është një lojë dëshpëruese e mbrojtjes në përpjekje që disi të justifikohen para botës veprimet që Rusia i ka ndërmarrë, disi duke u munduar që ta justifikojë atë që është e pajustifikueshme”, tha kryediplomati amerikan.
Rusia vazhdon që të mbajë lidhje të ngushta me Kinën, Indinë dhe disa shtete në zhvillim në Azi e Afrikë. Shumë prej tyre varen nga Rusia për energji dhe eksporte të tjera, ndonëse ato varen edhe nga Ukraina për drithëra.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli