Kryetari i Hamasit thotë se është afër armëpushimi me Izraelin
Kryetari i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, ka thënë se ky grup dhe Izraeli janë afër arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim për luftimet në Gaza.
Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Telegram”, Haniyeh, me vendqëndrim në Doha, tha se Hamasi ua ka kthyer përgjigjen Katarit dhe ndërmjetësve të tjerë, pa dhënë hollësi të tjera, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Katari tashmë ishte duke bërë përpjekje ndërmjetësimi për ndërprerjen e luftimeve dhe për këtë e ka pasur edhe presionin e ShBA-së.
Javën e kaluar u raportua se Shtetet e Bashkuara, me kërkesë të Izraelit, i kanë bërë presion Katarit për ta siguruar lirimin e një numri sa më të madh të pengjeve.
Sipas raportimeve, Hamasi ishte pajtuar për lirimin e 50 pengjeve në këmbim të lirimit të disa të burgosurve palestinezë e një armëpushimi disaditor, por kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte kërkuar nga ShBA-ja që t’i bëhej presion Katarit që numri i pengjeve të liruara të jetë 70.
Para disa javëve, një zyrtar i Katarit kishte thënë se bisedimet e ndërmjetësimit ishin duke rrjedhur mirë dhe se mund të shpresohej për marrëveshje.
Të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se negociatorët po i afroheshin fundit rreth marrëveshjes për lirimin e pengjeve nga Hamasi, por nuk u dhanë hollësi për numrin e tyre. Raportohet se në Gaza nga grupe palestineze po mbahen rreth 240 pengje.
Lufta Izrael – Hamas nisi më 7 tetor, kur ky grup hyri në jug të Izraelit dhe, sipas zyrtarëve izraelitë, vrau rreth 1.200 njerëz. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj fuqishëm, fillimisht me sulme ajrore e pastaj edhe me operacion tokësor në Gaza.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi, rreth 13 mijë njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës.
Izraeli është ballafaquar ditëve të fundit me presion të shtuar ndërkombëtar për t’i mbrojtur civilët në Gaza dhe për ta lejuar hyrjen e ndihmave në enklavën e izoluar. Kritikat ndaj këtij shteti ditëve të fundit madje i kishin ashpërsuar edhe aleatët e fuqishëm perëndimorë, përfshirë ShBA-në, Francën, Britaninë e Gjermaninë.
Tel-Avivi është përballur edhe me krizë diplomatike për shkak të sulmeve në Gaza. Disa shtete i kanë ndërprerë marrëdhëniet dhe i kanë tërhequr ambasadorët nga Izraeli për shkak të fushatës ushtarake në Gaza.