Katari thotë se ka përparim në bisedimet për lirimin e pengjeve, ka shpresë për marrëveshje - NACIONALE

Katari thotë se ka përparim në bisedimet për lirimin e pengjeve, ka shpresë për marrëveshje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha të mërkurën se bisedimet e udhëhequra nga ky shtet për ta siguruar lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Gaza janë duke përparuar dhe se ai ka shpresë që së shpejti do të arrihet një marrëveshje.

Ministria e Jashtme e Katarit bëri thirrje për de-eskalim dhe paralajmëroi se një sulm tokësor i Izraelit në enklavën me popullsi të dendur do ta bënte lirimin e pengjeve “shumë më të vështirë”, raporton agjencia “Reuters”.

“Është ca përparim dhe ca lëvizje përpara dhe ne mbetemi me shpresë”- tha kryeministri i Katarit në një konferencë për gazetarë në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Katari ka pasur dialog të hapur me Izraelin e Hamasin, që ka rezultuar me lirimin e katër pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi më 7 tetor, përfshirë dy gra izraelite të hënën.

“Nëse mund të kenë harmoni mes dy palëve, mendoj se do të shohim disa përparime domethënëse me shpresë së shpejti”- tha kryeministri i Katarit, që gjithashtu është ministër i Punëve të Jashtme dhe që foli krahas homologut turk.

Arritja e mundshme e marrëveshjes për lirimin e pengjeve nga Hamasi do të ishte hap i konsiderueshëm drejt përfundimit të konfliktit ose, të paktën, për arritjen e një armëpushimi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se diskutimet për armëpushim mund të zhvillohen vetëm nëse Hamasi i liron të gjitha pengjet.

Lajme të ngjashme