ShBA-ja kundër botës: Tash s’është koha për armëpushim mes Izraelit e Hamasit
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se tani nuk është koha për armëpushim mes Izraelit e Hamasit, përderisa Kombet e Bashkuara raportojnë se disa palestinezë, që kishin ikur nga shtëpitë e tyre në veri të Gazës, janë kthyer prapë për shkak të mungesës së ushqimit e strehimit në jug të enklavës.
Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i tha televizionit CNN të hënën se Izraeli ende kishte “punë për të bërë për t’iu vënë pas udhëheqësisë së Hamasit”, duke u bërë jehonë komenteve të presidentit amerikan, Joe Biden, se çfarëdo diskutimi për armëpushim mund të ndodhë vetëm nëse Hamasi i liron të gjitha pengjet në Gaza, raporton gazeta “The Guardian”.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë ishte në kundërshtim me komentet nga zyrtarët e Kombeve të Bashkuara e Bashkimit Evropian, të cilët të hënën bënë thirrje për pauzë humanitare në luftime në mënyrë që të shpërndahen ndihmat në Gaza.
Ndërkohë, edhe Rusia e Kina, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë bërë thirrje për armëpushim mes Izraelit e Hamasit, duke i lënë Shtetet e Bashkuara pothuajse të vetmuara në përkrahjen e tyre gati të pakusht për Izraelin rreth operacioneve të tij ushtarake.
Ndërkohë është shtuar shqetësimi për gjendjen e vështirë të njerëzve në Gaza. Drejtori i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në Gaza, Thomas White, tha se mungesa e strehimit, ushqimit dhe ujit të pijshëm në jug kishte detyruar disa banorë që të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veri të enklavës.
Izraeli kishte lëshuar urdhra të shpejtë për evakuim për gati gjysmën e popullsisë së Gazës më 13 tetor. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se gati dy të tretat e popullsisë së Gazës janë zhvendosur gjatë dy javëve të kaluara.
“Njerëzit kanë lënë gjithçka në veri... kanë ardhur në jug, ku po kanë vështirë për të gjetur strehim, ushqimi është i paktë, shumë njerëz po detyrohen që të pinë ujë të papijshëm, pra situata në jug është e llahtarshme”- i tha zyrtari i OKB-së televizionit BBC.
Raportohet se ushtria izraelite bombardoi një kamp refugjatësh në veri të Gazës të hënën vonë. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se në shënjestër të sulmit ishte një zonë për nisjen e sulmeve të Hamasit. Mediat palestineze raportuan se pesë persona u vranë.
Autoriteti shëndetësor i Gazës, që menaxhohet nga Hamasi, ka thënë se të paktën 5 mijë e 87 persona janë vrarë gjatë bombardimeve dyjavore të Izraelit, shumë prej tyre fëmijë.
Të dielën u raportua se Shtetet e Bashkuara e kishin shtyrë Izraelin për ta shtyrë fillimin e një ofensive të pritshme tokësore në Gaza për të lënë kohë për lirimin e më shumë pengjeve e shpërndarjen e më shumë ndihmave.

