Kina kërkon përfundimin e luftës Izrael-Hamas, bën thirrje për krijimin e dy shteteve
Lideri kinez Xi Jinping ka dhënë edhe komentet e para publike për luftën Izrael-Hamas, ndërsa ka kërkuar përfundimin e shpejtë të konfliktit.
Sipas Jinping, “rruga themelore për të dalë” nga konflikti Izrael-Hamas, është krijimi i dy shteteve me një Palestinë të pavarur.
“Prioriteti kryesor tani është një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur, për të shmangur zgjerimin e konfliktit apo edhe daljen jashtë kontrollit dhe shkaktimin e një krize serioze humanitare,”- citohet të ketë thënë Xi nga transmetuesi shtetëror i Kinës CCTV.
Këto komente lideri kinez i bëri gjatë një takimi me kryeministrin egjiptian Mostafa Madbouly në Pekin, duke shtuar se Kina është e gatshme të punojë me Egjiptin dhe vendet arabe për të "promovuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen palestineze.”
Lideri egjiptian ishte në Pekin bashkë me liderë të shumtë të vendeve të tjera për të marrë pjesë në Forumin Brez dhe Rrugë, një ngjarje kjo e profilit të lartë që shënon një dekadë nga iniciativa ambicioze dhe e diskutueshme e infrastrukturës globale të Xi-së.
Ndërkohë, kujtojmë se të mërkurën Egjipti ra dakord të lejojë ndihmën humanitare në Gaza përmes pikës kufitare Rafah, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij egjiptian Abdel Fattah el-Sisi.
Biden e arriti marrëveshjen gjatë vizitës së tij 7-orëshe në Izrael të mërkurën – një mision diplomatik për të treguar mbështetje të vendosur për të, ndërkohë që kërkon përmbajtje në veprimet në Gaza.
Sa i përket ndihmës humanitare për në Gaza, ende nuk dihet se kur do të lejohet të hyjë, kurse nga OBSh-ja është thënë se marrëveshja fillestare për 20 kamionë është pjesë e vogël e 100 kamionëve që janë të nevojshëm.
Rikujtojmë se konflikti që nisi më 7 tetor pas një sulmi terrorist të Hamasit ndaj Izraeli, përveç që ka lënë viktima të shumta në të dyja palët, ka shërbyer edhe si shfaqje e qartë e thellimit të ndarjeve midis fuqive botërore.
