ShBA-ja e bllokon me veto në OKB rezolutën e Brazilit që bënte thirrje për armëpushim mes Izraelit e Gazës - NACIONALE

ShBA-ja e bllokon me veto në OKB rezolutën e Brazilit që bënte thirrje për armëpushim mes Izraelit e Gazës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të mërkurën e bllokuan përmes së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara draft-rezolutën e propozuar nga Brazili, me të cilën bëhej thirrje për pauza humanitare në konfliktin mes Izraelit e militantëve të Hamasit për ta mundësuar hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

“Ne jemi në terren duke e bërë punën e vështirë të diplomacisë”- tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha në Këshillin e Sigurimit me 15 anëtarë pas votimit, raporton agjencia "Reuters".

“Ne besojmë se duhet ta lejojmë atë diplomaci që të zhvillohet. Po, rezolutat janë të rëndësishme dhe po, ky këshill duhet të flasë, por veprimet që ne i ndërmarrim duhet të jenë të informuara nga faktet në terren dhe të mbështeten përpjekjet e diplomacisë së drejtpërdrejtë”- shtoi jo.

Ndaj qëndrimit të Shteteve të Bashkuara për draft-rezolutën e propozuar nga Brazili reagoi mjaft ashpër ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia. “Ne porsa ishim dëshmitarë të hipokrizisë dhe standardeve të dyfishta të kolegëve tanë amerikanë”- tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të mërkurën bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar që të lejohen lirimi i pengjeve dhe hyrja e ndihmave humanitare në Gaza.

Rusia tha se kishte kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që ka 193 shtete anëtare, që të mblidhet urgjentisht për të diskutuar rreth konfliktit. Federata Ruse mund të marrë vendim që të paraqesë një draft-rezolutë në këtë organ, ku asnjë shtet nuk e ka të drejtën e vetos. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por kanë peshë politike.

Emisasi i paqes i OKB-së për Lindje të Mesme, Tor Wennesland, tha në Këshillin e Sigurimit se ekziston rreziku “shumë real dhe tepër i rrezikshëm” për zgjerimin e konfliktit.

“Kam frikë se jemi buzë një humnere të thellë e të rrezikshme që do të mund ta ndryshonte trajektoren e konfliktit izraelito-palestinez, nëse jo Lindjen e Mesme në tërësi”- tha ai, duke iu adresuar Këshillit të Sigurimit nga Doha e Katarit.

Lajme të ngjashme