Macroni i ashpërson kritikat ndaj Izraelit: Të ndalojë së vrari foshnja e gra në Gaza, s’ka arsye - NACIONALE

Macroni i ashpërson kritikat ndaj Izraelit: Të ndalojë së vrari foshnja e gra në Gaza, s’ka arsye

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një intervistë për televizionin BBC, ka thënë se Izraeli duhet të ndalojë së vrari foshnja e gra në Gaza.

Në intervistën e realizuar në pallatin “Elysee”, presidenti francez tha se nuk ka justifikim për bombardimet dhe se nga armëpushimi do të përfitonte Izraeli, raporton televizioni britanik.

Përderisa e njohu të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, ai shtoi: “Ne u bëjmë thirrje atyre që ta ndërpresin këtë bombardim” në Gaza.

Megjithatë, në anën tjetër, Macroni theksoi se Franca “qartazi i dënon” veprimet “terroriste”Hamasit.

Franca, njësoj si Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe e vende të tjera perëndimore, e cilësojnë Hamasin si organizatë terroriste.

Kur u pyet nëse dëshiron që edhe udhëheqësit e tjerë – përfshirë ata të ShBA-së e Britanisë – t’i bashkohen thirrjes për armëpushim, presidenti francez u përgjigj: “Shpresoj se do t’i bashkohen.”

“De fakto, sot civilët janë të bombarduar – de fakto. Këto foshnja, këto zonja, këta të moshuar janë të bombarduar e të vrarë. Prandaj, nuk ka arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet, pra ne i bëjmë thirrje Izraelit që të ndalet”- shtoi Macroni.

Sidoqoftë, ai theksoi se nuk është punë e tij që të gjykojë nëse në këtë rast është shkelur e drejta ndërkombëtare.

“Ne e ndajmë dhimbjen [me Izraelin] dhe e ndajmë gatishmërinë e tyre për ta hequr qafe terrorizmin. Ne e dimë se çfarë do të thotë terrorizmi në Francë”- shtoi ai, por theksoi se “nuk ka justifikim” për bombardimin e vazhdueshëm të civilëve në Gaza.

“Është tepër e rëndësishme për të gjithë ne për shkak të parimeve tona, për shkak se ne jemi demokraci. Është e rëndësishme për aspektin afatmesëm e afatgjatë si dhe për vetë sigurinë e Izraelit që të pranojmë se të gjitha jetët kanë peshë”- tha më tej presidenti francez.

Lajme të ngjashme