Me kërkesë të Izraelit, ShBA-ja i bën presionin Katarit për ta siguruar lirimin e pengjeve të Hamasit - NACIONALE

Me kërkesë të Izraelit, ShBA-ja i bën presionin Katarit për ta siguruar lirimin e pengjeve të Hamasit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar presionin ndaj Katarit për ta siguruar lirimin e rreth 240 pengjeve që po mbahen nga grupet palestineze në Gaza në kohën e raportimeve se Izraeli po nguron që të pranojë një marrëveshje fillestare që do ta mundësonte largimin e disa fëmijëve nga Gaza pa nënat e tyre.

Presidenti amerikan, Joe Biden, zhvilloi një tjetër bisedë telefonike të premten me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al-Thani dhe para tij e theksoi “nevojën urgjente” për “lirimin pa vonesë të mëtejshme” të rreth 240 pengjeve, tha Shtëpia e Bardhë, raporton gazeta "The Times of Israel".

Gjatë takimit të së martës mbrëma të kabinetit të luftës, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, bisedoi përmes telefonit me Bidenin dhe kërkoi nga ai që t’i bënte presion emirit të Katarit për ta rritur numrin e pengjeve që do të përfshiheshin në marrëveshjen që po diskutohet në Doha mes Izraelit dhe Hamasit.

Shefi i Mossad-it, David Barnea, tashmë është në kontakt me zyrtarë të Katarit, por Netanyahu ka dashur që ta shtojë presionin nga një burim tjetër, thuhet në raport.

Sipas raportit, me propozimin më të ri të Katarit nga dita e martë do të liroheshin 50 pengje në këmbim të një armëpushimi 5-ditor dhe lirimit të 150 të burgosurave që po mbahen në Izrael.

Megjithatë, për shkak se më këtë masë do të ndaheshin disa nëna nga fëmijët e tyre, Izraeli ka refuzuar dhe do të kërkojë që të gjitha nënat dhe fëmijët e tyre të lirohen së bashku, thuhet më tej në raport.

Sipas televizionit “Channel 12”, Netanyahu i ka bërë thirrje Bidenit që të mundohet për ta siguruar lirimin e të paktën 70 pengjeve.

Ky televizion theksoi se pavarësisht nga diskutimi i propozimeve, mund të nevojiten orë ose ditë për të marrë përgjigje nga udhëheqësit e Hamasit të Gaza, të cilët i marrin vendimet dhe që tash për tash ndodhen në tunele. Kontakti i tyre me botën e jashtme mund të bëhet në mënyrë të kufizuar.

Në anën tjetër, Hamasi lëshoi një deklaratë me të cilën e paralajmëroi Izraelin që të mos zhagitet.

Sipas një deklarate të zëdhënësit të krahut ushtarak të Hamasit, Abu Obeida, Izraeli paralajmërohet që pengjet “mund të bëhen të harruara”.

Ai tha, gjithashtu se sa më gjatë që pengjet qëndrojnë në mbajtje, aq më të mëdha janë gjasat që ato të vriten. Hamasi në disa raste ka pretenduar se janë vrarë pengje nga sulmet izraelite. Izraeli i cilëson këto pretendime si luftë psikologjike dhe propagandë.

Lajme të ngjashme