Hamasi jep shenjë se do armëpushim: Nevojitet për lirimin e pengjeve - NACIONALE

Hamasi jep shenjë se do armëpushim: Nevojitet për lirimin e pengjeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i Hamasit e ka lidhur lirimin e pengjeve që po mbahen në Gaza me një armëpushim në sulmet ajrore izraelite mbi këtë enklavë, që u nisën pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit në jug të Izraelit para gati tri javëve.

Gazeta ruse, “Kommersant” citoi një anëtar të delegacionit të Hamasit për vizitë në Moskë të ketë thënë se nevojitet kohë për ta gjetur vendndodhjen e të gjithë personave që janë rrëmbyer në Izrael nga grupe të ndryshme palestineze gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, që e nxiti krizën.

Izraeli thotë se është duke u përgatitur për një ofensivë tokësore në Gaza, por është nxitur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet arabe që ta shtyjë zbatimin e këtij plani, që do ta rriste numrin e viktimave civile në enklavën me popullsi të dendur dhe që do të mund të ndizte konflikt më të gjerë, raporton agjencia “Reuters”.

“Ata morën dhjetëra njerëz, shumica prej tyre civilë, dhe neve na nevojitet kohë për t’i gjetur ata në Rripin e Gazës e pastaj për t’i liruar”- tha Abu Hamidi, anëtar i delegacionit të Hamasit që e vizitoi Moskën.

Ai shtoi se Hamasi, që deri më tani ka liruar katër pengje, ka bërë të qartë që nga ditët e para të luftës se synon që t’i lirojë “të burgosurit civilë”.

Megjithatë, Abu Hamidi theksoi se nevojitet “mjedis i qetë” për ta përfunduar këtë detyrë, duke e përsëritur pohimin – të cilin agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë – se bombardimet izraelite tashmë kanë lënë të vrarë 50 të burgosur.

Në anën tjetër, duket se armëpushimin po e duan edhe një pjesë e konsiderueshme e izraelitëve. Sipas një ankete të publikuar të premten, gati gjysma e izraelitëve tani duan që ushtria të zmbrapset nga nisja e ofensivës tokësore për shkak të frikës për gjendjen e të paktën 224 pengjeve që raportohet të jenë duke u mbajtur në Gaza.

Lajme të ngjashme