Kriza e gazit rus në Gjermani, Hanoveri fik dritat dhe ndalon ujin e nxehtë
Qyteti gjerman i Hanoverit ka fikur ngrohjen dhe ka kaluar në dushe të ftohta në të gjitha ndërtesat publike për shkak të krizës së gazit rus.
Masa vjen pasi Rusia ka ulur në mënyrë dramatike furnizimin me gaz për vendin, duke bërë që Hanoveri të jetë qyteti i parë i madh që mbyll ujin e nxehtë.
Gjermanëve poashtu u është thënë të presin masa gjithëpërfshirëse për reduktimin e gazit dhe tarifa shtesë në faturat e tyre të energjisë, ndërkohë që BE-ja ka rënë dakord që këtë dimër të ulë me 15% kërkesën për gazin rus.
Sipas BBC-së, në një përpjekje për të kursyer energji, qyteti verior i Gjermanisë, Hanoveri, ka vendosur që uji i nxehtë të mos jetë më i disponueshëm për larjen e duarve në ndërtesat publike, ose në dushe në pishina, salla sportive e palestra.
Vendi ka ndaluar gjithashtu shatërvanet publike, si dhe ka lajmëruar se gjatë natës do të ndalen edhe dritat në ndërtesat kryesore si komuna dhe muzetë.
Kryetari i qyteti Belit Onay tha se qëllimi i këtyre masave ishte ulja e konsumit të energjisë së qytetit me 15% si reagim ndaj një "mungese të menjëhershme të gazit" që përbën një sfidë të rëndësishme për qytetet e mëdha.
E këto rregulla do të zbatohen edhe për ngrohjen. Është bërë e ditur se ndërtesat publike nuk do të kenë ngrohje nga prilli deri në fund të shtatorit të çdo viti, ndërsa temperaturat e dhomës do të kufizohen më maksimun 20 gradë C në pjesën tjetër të vitit.
Qyteti gjithashtu është duke ndaluar kondicionerët portativë, ngrohjet dhe radiatorët.
Ndërsa Gjermania është duke garuar për të krijuar rezerva përpara dimrit, kjo politikë vjen në përputhje me njoftimet nga Berlini të javës së kaluar. Përveç Hanover, edhe qytete të tjera si Augsburg në Bavari - kanë prezantuar tashmë masat e tyre, si fikjen e shatërvaneve publike.
Objektivi i reduktimit prej 15% në Hanover përputhet me objektivin e mbarë BE-së për të reduktuar varësinë nga gazi rus. Ndërkohë që ditën e enjte, Gjermania konfirmoi se një shtesë e planifikuar e gazit për klientët mund të jetë shumë më e lartë se sa pritej më parë, në përpjekje për të siguruar që kompanitë e energjisë të mos falimentojnë në muajt e ardhshëm.
"Nuk mund të themi ende se sa do të kushtojë gazi në nëntor, por lajmi i hidhur është se do të jenë padyshim disa qindra euro për familje,” është shprehur ministri i Ekonomisë Robert Habeck.
Ndërsa, disa raporte kanë lënë të besohet se taksa e re mund t’u kushtojë familjeve deri në 500 euro shtesë në muaj.
Gjermania është mbështetur prej kohësh në gazin rus për nevojat e saj energjetike, por kohët e fundit ka akuzuar Rusinë për kufizimin e rrjedhës në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së për luftën në Ukrainë – diçka që Rusia e mohon.
E krahasuar me kohën e para luftës në Ukrainë, kur gazi rus përbënte më shumë se gjysmën e furnizimeve për Gjermani, tani përbën vetëm rreth një të katërtën e nevojave të vendit.

