FMN-ja paralajmëron se ndalja e gazit rus do të fuste në recesion disa shtete të BE-së
Ndalja e plotë e furnizimit me gaz nga Rusia do ta zvogëlonte GDP-në deri në 6 për qind në vendet më të ndjeshme të BE-së dhe do t’i çonte ato drejt recesionit, ka paralajmëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Mes spekulimesh se presidenti rus, Vladimir Putin, do ta mbajë të mbyllur gazsjellësin “Rrjedha Veriore 1”, kur procesi vjetor i mirëmbajtjes të përfundojë këtë javë, FMN-ja tha se Evropës i mungon një plan gjithëpërfshirës për t’u ballafaquar me mungesën e gazit, rritjen e mëtejme të çmimeve të energjisë dhe ndikimit ndaj rritjes ekonomike.
Institucioni me bazë në Uashington i identifikoi Hungarinë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke si tri vendet e BE-së që kanë më shumë gjasa për pasojat më të rënda, por tha se edhe Italia, Gjermania e Austria do të pësonin efekte të konsiderueshme.

“Mundësia për një ndalje të pashembullt totale është duke nxitur shqetësim për mungesën e gazit, çmimet ende më të larta dhe ndikimet ekonomike. Përderisa politikëbërësit po lëvizin shpejt, atyre u mungon një plan për ta menaxhuar dhe minimizuar ndikimin”, thanë zyrtarët e FMN-së.
“Puna jonë tregon se në disa nga shtetet më të prekura në Evropën Qendrore dhe Lindore, ekziston rreziku për mungesë deri në 40 për qind të konsumit dhe që prodhimi vendor bruto të tkurret deri në 6 për qind”, thuhet në deklaratë.
“Sidoqoftë, ndikimet mund të zbuten përmes sigurimit të furnizimeve dhe burimeve alternative të energjisë, përmes lehtësimit të ngushticave infrastrukturore, përmes inkurajimit të kursimit të energjisë, njëkohësisht duke i mbrojtur amvisëritë e ndjeshme dhe duke i zgjeruar marrëveshjet e solidaritetit për ta ndarë gazin mes vendeve”, thuhet më tej.

FMN-ja tha se infrastruktura evropiane e energjisë dhe furnizimi global ia kanë dalë deri më tani me 60 për qind rënie të furnizimit nga Rusia nga qershori i vitit të kaluar, por i theksoi kostot e mundshme, nëse Kremlini u kundërpërgjigjet sanksioneve perëndimore duke e përdorur si armë furnizimin me energji.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar që Fondi Monetar Ndërkombëtar ta zvogëlojë rritjen e parashikuar të ekonomisë globale në 3.6 për qind këtë vit dhe do ta njoftojë një zvogëlim tjetër më vonë këtë muaj.
FMN-ja tha se në rast të ndaljes së plotë të gazit rus, BE-ja mund të pësojë rënie të prodhimit ekonomik për gati 3 për qind gjatë 12 muajve të ardhshëm. Disa shtete, si Suedia, Danimarka dhe Greqia, do të pësonin pak ose aspak sa i përket rritjes ekonomike, por Italia, për shkak të varësisë së madhe nga gazi për prodhimin e energjisë, mund të pësojë rënie për më shumë se 5 për qind./Përktheu: Nacionale