Sulmet e shpeshta ndaj policëve në veri, Sindikata e Policisë kërkon zbardhjen e rasteve
Sulmet ndaj policëve të Kosovës në veri të vendit janë shtuar kohëve të fundit. Deri tash, nuk ka të arrestuar për sulmet gjatë muajit prill, ndërsa për sulmin e fundit, e ku mbetën të lëndur pesë policë, u arrestua vetëm një person.
Sindikata e Policisë është e alarmuar me ndodhitë në veri, teksa ekspertët e sigurisë kërkojnë zbardhjen e rasteve.
Sulme të njëpasnjëshme
Në sulmin e fundit në fshatin Jashanicë të komunës së Leposaviqit, që ndodhi dy ditë më parë, mbetën të lënduar pesë efektivë të policisë.
Në orët e mbrëmjes të së shtunës, shoferi i një kamioni që po kontrabandonte mallra, në tentim për t’u ikur policëve kufitarë, i godet ata me mjetin transportues, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm e duke rrezikuar jetën e policëve po ashtu.
Policët që pësuan nga ky sulm, u pritën edhe nga kryeministri Kurti, i cili pati kritika ndaj prokurorisë së vendit për neglizhencë në zbardhjen e rasteve.
“Policia jonë çdo ditë demonstron vendosmëri dhe shkathtësi për të siguruar ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës. Përderisa puna profesionale e policëve ka arritur të sjellë personat e dyshuar para drejtësisë, kjo e fundit, në këtë rast Prokuroria, liron njërin të dyshuar në procedurë të rregullt, sipas pohimeve të policëve”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Prokuroria ndërkaq, ka kërkuar paraburgim 30-ditor ndaj të dyshuarit A.D..
Në kërkesën e publikuar, mësohet se ka edhe një të dyshuar tjetër, U.R., që sipas Prokurorisë, ka lehtësuar rrugëtimin dhe ka luajtur rolin e personit që ka njoftuar të dyshuarin A.D. për çdo pengesë të mundshme në rrugë.
“Përderisa policët gjatë një pike kontrolli kanë tentuar ta ndalojnë kamionin të cilin e ngiste i dyshuari A.D., i njëjti nuk i është përfillur urdhrave për të ndaluar kamionin, i cili gjatë ikjes me qëllim dy herë e godet veturën e policisë, ku edhe zyrtarët policorë si pasojë e goditjeve marrin lëndime trupore. Policët pasi arrijnë ta ndalin kamionin në fjalë, i dyshuari A.D., ik këmbë drejt malit, mirëpo policët pas një ndjekjeje arrijnë ta arrestojnë të njëjtin”, shkruhej në njoftim.
Sindikata e Policisë kërkon zbardhjen e rasteve
Lidhur me këtë, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me kreun e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Zeqiri tha se si sindikatë kanë kërkuar që organet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit.
“Sa i përket sulmit të fundit, ashtu si edhe në të gjitha rastet e tjera, kemi kërkuar që organet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit”, tha fillimisht ai.
Ndërkaq, i pyetur nëse ka pasur ndonjë hap para rreth çështjes së shumëpërfolur, sigurimit shëndetësor për policët kosovarë, Zeqiri deklaroi se ai e ka bërë kërkesën, porse nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Unë e kam ngritur këtë çështje, por që nuk kam marrë ende përgjigje”, përfundoi ai për Nacionalen.

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha se sulmet ndaj policisë sonë tregojnë edhe një herë faktin se Serbia është duke mbështetur krimin e organizuar në atë pjesë.
Tutje, Shala tha se prania e policëve po kontribuon në luftimin e çdo vepre të mundshme kriminale.
“Sulmet që janë bërë kundër pjesëtarëve të PK-së, po e tregojnë edhe një herë faktin që krimi i organizuar është i mbështetur nga shteti i Serbisë dhe që me çdo kusht dhe formë tenton që në atë pjesë të mbizotërojë kaosi ligjor. Por, për faktin që kemi të angazhuar pjesëtarë të PK-së, në ato pjesë të cilat janë proaktive në luftimin e çdo vepre të mundshme kriminale, kjo po ua pamundëson që këto grupe të veprojnë”, vazhdoi ai.
Ndërkaq, fare në fund, Shala tha se sulme të tilla mund të rriten, duke parë faktin se prapa tyre qëndron personi më i kërkuar në veri.
“Veprimet e tilla kriminale në këto ditë në vazhdim priten të kenë intensitet, për arsye që prapa tyre qëndron personi më i kërkuar në veri për një mori veprash penale dhe ardhja e tij në Kosovë po jep tani frytet e saj në aspektin negativ, duke kundërshtuar çdo veprim policor në atë pjesë.”
Kujtojmë se jo vetëm në Leposaviq, porse në të gjitha komunat veriore, brenda një kohe të shkurtër janë regjistruar disa sulme, në forma të ndryshme.

