“Pagjumësia” e prek Besnik Bislimin, zëvendëskryeministri tregohet arrogant me gazetarët - NACIONALE

“Pagjumësia” e prek Besnik Bislimin, zëvendëskryeministri tregohet arrogant me gazetarët

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pasur një paraqitje arrogante me mediat që interesoheshin në lidhje me zbatimin e udhërrëfyesit për energji, për të cilën kryeministri Albin Kurti u kritikua shumë. Duket se pagjumësia ka ndikuar në mënyrën se si dyshi i Qeverisë Kurti percepton pyetjet e gazetarëve.

Një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti deklaroi se vartësi i tij bie e zgjohet nga gjumi duke menduar për regjistrin e konsumatorëve në veri, të cilët deri më tani nuk kanë paguar për shpenzimet elektrike.

Edhe sot e kësaj dite nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi im kryesor, dhe kjo është çështja numër një me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im, nëse fle, Besnik Bislimi, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme sot për të, por edhe pushtimin tonë që të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumimit dhe stabilitetin energjetik në Kosovë”, tha Kurti në konferencën e djeshme për media.

Arroganca e Bislimit

Bislimi u përball me këtë deklaratë të kryeministrit sot pasdite.

Pa kaluar më shumë se 24 orë, gazetarët e pyetën për atë çfarë tha z. Kurti dje.

Nuk dihet nëse Bislimi ka fjetur mbrëmë apo jo, por ajo që u pa sot, është një nervozizëm i panevojshëm i shefit të ekipës kosovare për dialog me Serbinë.

Kur Bislimi u pyet për këtë deklaratë, ai u tregua aspak miqësor me gazetarët. Pra, Bislimit i pengoi kjo pyetje, duke e cilësuar si “banale”.

Sa i përket deklaratës së kryeministrit, a mundeni një opinion tuajin nëse është e vërtetë që rrini tërë natën pa gjumë”, ishte pyetja e gazetarit, të cilën nuk arriti ta përfundonte për shkak të ndërhyrjes së Bislimit.

Shefi i negociatave mori mbi supe rolin e vlerësuesit të seriozitetit të pyetjes. E matësi i seriozitetit të gazetarëve, pati edhe një koment shtesë.

Unë mendoj që niveli juaj duhet të jetë përtej këtyre pyetjeve banale”, ishte përgjigjja plot arrogancë e Bislimit.

E “pagjumësia” e Bislimit u vërejt edhe në pyetjen tjetër që e bëri një tjetër gazetare, e cila pyeti nëse ka mundësi që për shkak të moszbatimit të marrëveshjes me Elektroseverin, gjithçka të kthehet në pikë zero.

Bislimi u acarua edhe me këtë pyetje.

Nuk e di, pse po flisni për pikë zero, në vend se të flisni për implementim të marrëveshjes. Marrëveshja ka 100 ditë, nëse keni interesim që të kthehet në pikën zero, atëherë thuani. Mirëpo ne nuk jemi të interesuar, ne jemi të interesuar të respektojmë marrëveshjen”, tha Bislimi.

“Pagjumësia” e Bislimit

Në fakt, Bislimi shumë herë ka pasur përgjigje të ashpra, e paraqitje publike aspak të lavdëruara.

Bislimi njihet gjerësisht për deklaratat e tij jo të zakonshme.

Ndonëse është ekonomist me profesion, në disa deklarata Bislimi ka thyer edhe logjikën ekonomike.

Më e famshmja e tij, është ajo për punësimin në kohë të mbylljes totale si pasojë e pandemisë, teksa Bislimi krenohej se ka punësuar njerëz gjatë kohës sa ekonomia ishte e mbyllur.

Ndonëse e gjithë bota i frikësohej humbjeve ekonomike si pasojë e kufizimeve nga COVID-19, Bislimi theksonte punësimin e mbi 9,300 personave. E gjithë këtë ia faturonte qeverisjes së mirë të Qeverisë Kurti 1.

Kontributi i politikanit në shkencën ekonomike do të mbahet mend edhe për një interpretim të ri të pagës. Më konkretisht asaj se çfarë nuk është paga.

’Paga s’është loto, me hapë smok, me këqyr a ka dalë paga aty. Është njëfarë analize që i paraprin‘’, thoshte Bislimi në një raportim në Kuvend, teksa flitej për ligjin e pagave e koeficientët.

Në një deklaratë tjetër, Bislimi irritoi edhe mjekët e Kosovës. Dyshi i Qeverisë tha se mjekët largohen edhe nga Gjermania, teksa fliste për ikjen e mjekëve nga Kosova.

Bislimi e pati edhe një paraqitje televizive krejt horror, duke mos pasur njohuri aspak për marrëveshjen për energjinë, e të cilën e kishte nënshkruar kohë më parë.

Lajme të ngjashme