Sulmet ndaj Policisë e shpërthimet në veri, çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës? - NACIONALE

Sulmet ndaj Policisë e shpërthimet në veri, çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Java e fundit ka shënuar ringjalljen e sulmeve në veri të vendit kundër Policisë së Kosovës. Pjesëtarët e organit të sigurisë u bënë cak i sulmeve, ku u përdorën armë, pengesa rrugore e mjete piroteknike.

Në veri të vendit shpërthime u dëgjuan edhe gjatë vikendit për të cilat Policia tha se ishin fishekzjarre.

Kundrejt sulmeve të ripërsëritura ndaj Policisë së Kosovës, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë se duhet të rritet niveli i gatishmërisë së organeve të rendit.

“Në këtë fazë duhet që Kosova të ngrit nivelin e gatishmerisë së njësive relevante të sigurisë por asesi të ndërmarren veprime të ngutshme që mund të përshkallzojnë sigurinë e vendit përmes dërgimit të njësive speciale operative në këtë pjesë”, tha Shala për Gazetën Nacionale.

Shala shton se duhet të ketë një koordinim ndërmjet mekanizmave vendor dhe atyre ndërkombëtar.

“Pra Policia e Kosovës dhe AKI-ja në bashkëpunim më KFOR dhe EULEX të jenë në terren dhe të bëhet monitorimi nga këto 4 mekanizma dhe një shkëmbim i informacioneve në kohë reale mund të sjellë masa adekuate në parandalim të ndonjë levizje”, shtoi Shala.

Ndërsa eksperti tjetër i sigurisë, Avni Islami, i cilëson sulmet ndaj policisë si akte të sinkronizuara që kanë për qëllim destabilzimin e veriut të vendit.

Sulmet sipas tij bëhen nga strukturat e krimit të organizuar me qëllim të dërgimit të mesazhit se pushteti i Kosovës në veri nuk është i mirëpritur.

Megjithatë, Islami thotë se sulmet janë të koordinuara ndërmjet shërbimeve të inteligjencës Serbe dhe asaj ruse.

“Sulme janë të sinkronizuara dhe nuk është rastësi. Pra sulmet janë të drejtuara ekskluzivisht ndaj forcave të sigurisë së Kosovës dhe në veçanti ndaj Policisë. Është indikative që përqëndrimi i Perëndimit në tërësisht në Ukrainë dhe se strukturat e inteligjencës së Serbisë në bashkërendim me ato të Rusisë dëshirojnë të ngritin një tension artifical në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të shpërqëndrohet në raport me Ukrainën”, tha Islami pëër Nacionale.

Ai i tha Nacionales se nuk pret përshkallëzim të situatës për shkak se KFOR-i dhe NATO-ja është përgjegjëse për tërësinë territoriale të Kosovës.

Islami thotë se duhet të ketë një koordinim dhe bashkëpunim më të thellë ndërmjet organeve të rendit dhe KFOR-it në mënyrë që të ofrohet siguri për atë pjesë të Kosovës.

KFOR-i gjatë javës së kaluar ka theksuar gatishmërinë për të ndihmuar Policinë e Kosovës gjatë patrullimeve në veri të vendit.

“Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet. Ne presim nga të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet pa nevojë dhe të ndikojnë negativisht në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, thuhej në njoftimin e KFOR-it, shkruan Nacionale.

Ndryshme, sulmi apo të shtënat e së dielës ende janë nën hetim. Deri më tani nuk dihet nëse shpërthimet e fundit ishin drejtuar kah policët apo targ i tyre ishte ndonjë person tjetër.

Deri më tani, dihet se shpërthimi ndodhi në Lagjen e Boshnjakëve, vendbanimin me shumicë shqiptare në Mitrovicën e Veriut.

Javën e kaluar, Policia e Kosovës ishte cak i disa sulmeve, për të cilat ende nuk ka asnjë të arrestuar.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti tha se përgjegjës për këto sulme është Serbia.

“Për tre ditë rresht oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia, ka shkruar Kurti, lidhur me sulmin e sotëm të personave ende të panjohur mbi një patrullë të Policisë së Kosovës”, deklaroi Kurti.

Lajme të ngjashme