Episodi XIII: Ditari i Buzhalës për Hashim Thaçin e viteve ‘90 - NACIONALE

Episodi XIII: Ditari i Buzhalës për Hashim Thaçin e viteve ‘90

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Episodi i XIII i Ditarit të Buzhalës do të tematizojë vitet e okupimit brutal jugosllav të viteve ’90, me një protagonist që do të vepronte në hije deri në fundin e tyre, për t’u bërë më pas kryeprotagonist i asaj dekade.

Bëhet fjalë për Hashim Thaçin. Për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Kosovës që ndodhet i paraburgosur në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Për Hashim Thaçin që lexoi deklaratën e Pavarësisë. Për Hashim Thaçin që në Facebook-un e tij nuk ka bërë asnjë postim, po prej 5 marsit të vitit 2020.

Por, këtu autori Berat Buzhala flet për një Hashim Thaç tjetër. Është Hashim Thaçi si një student e aktivist i panjohur i viteve ’90, që kishte dukje tjetër, pikëpamje tjera e synime tjera jetësore.

Buzhala provon të ofrojë pikëpamjen e tij edhe për mënyrën se si u ‘brumosën’ rrethanat për krijimin e këtij personazhi interres.

“Ai [Thaçi] pas vendosjes në Zvicër kishte filluar, që përveç aktivitetit partiak në LPK, përveç radikalizimit të gjuhës, duke e favorizuar luftën në kurriz të paqes, t’i vendoste edhe kontaktet e para diplomatike. Dikush thotë me shërbimet sekrete perëndimore, dikush me diplomatët perëndimorë, por pa marrë parasysh se cila është e vërteta, Thaçi po e bënte dallimin me shokët e tjerë”, komenton Buzhala në videocastin e tij të radhës.

Autori jep vlerësime pozitive për figurën e Thaçit në atë kohë, por konsideron që një gjë të tillë po e bën “për ta balancuar sadokudo propagandën e egër që është bërë kundër tij, por edhe kundër lojtarëve të asaj etape historike, duke i paraqitur si njerëz që kanë qëndruar në Rogner. Ata djem, duke i ditur rrethanat kur po vepronin, kundër kujt po vepronin, duhet të kenë qenë të çmendur. Në njërën anë LDK, në anën tjetër forcat serbe, e gjithashtu në anën krejt tjetër komuniteti ndërkombëtar. Të gjithë faktorët politikë ishin kundër tyre, e këta nuk po dorëzoheshin”.

Buzhala tregon edhe relacionin personal që ka pasur me figurën e Thaçit pas zhvillimeve sa i përket Konferencës së Rambujesë kur Thaçi nuk po lëkundej fillimisht nga pozicioni i mosnënshkrimit të marrëveshjes.

“Unë personalisht e kam urryer në atë kohë. Një djalë i ngujuar në fshat, i rrethuar nga policia serbe në të gjitha anët, doja paqe, me çdo kusht. Sakrifica për liri nuk është që të gjithëve na bind në mënyrë të ngjashme, disa prej nesh, e duam jetën. Unë e doja jetën, kurse Thaçi, duke i ikur nënshkrimit të marrëveshjes, duke kërkuar më shumë sesa çfarë po jepej atje, po na rrezikonte të gjithëve që ishim në mal”, evokon gazetari nga kujtesa e tij.

Për më shumë, ju ftojmë të ndiqni të gjithë episodin.

Lajme të ngjashme