Episodi XI: Cili është dallimi në mes të një patrioti dhe një banditi? - NACIONALE

Episodi XI: Cili është dallimi në mes të një patrioti dhe një banditi?

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Në vikendin që shkoi, shteti kosovar u sfidua keq në Skënderaj, ku dy policë mbetën të plagosur nga familjarë të ish-nënkryetarit të komunës, Nuredin Lushtaku. Pashmangshmërisht kjo është tema boshtore e episodit të ri të “Ditarit të Buzhalës”.

Në fakt, në episodin e titulluar “Cili është dallimi në mes të një patrioti dhe një banditi”, trajtohet çështja e të “fortëve” si puna e Lushtakut, dhe sulmet mbi shtetin e Kosovës.

Kuptohet rasti i Nuredin Lushtakut ishte më flagranti, por shtetin e sulmuan edhe Albin Kurti, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Ramush Haradinaj e Xhelal Sveçla.

Sipas gazetarit Berat Buzhala, që është edhe autor i emisionit, pozita e nënkryetarit të Skënderajt është joshëse për njerëzit e fortë.

“Çka është puna me pozitën e “nënkryetarit” në Skënderaj që është aq joshëse për njerëzit e fortë. Tash është Sami Lushtaku, e para tij ishte Nuredin Lushtaku. Kryetarët – Fadil Nura tash, Bekim Jashari më herët – duken si fëmijë të vegjël para tyre, e jo si shefa. Mos ka ndonjë keqkuptim në Drenicë, ndoshta pozita e nënkryetarit atje po lexohet si “nëna e kryetarit”. Kushedi”, thekson Buzhala.

Në episodin e XI, të titulluar “Episodi XI: Shteti nën sulm nga i forti Nuredin Lushtaku”, analizohet ajo çfarë ndodhi në natën e 2 korrikut.

Buzhala analizon “barazinë” e qytetarëve para ligjit në Kosovë, duke thënë se gjithçka përfundon nëse dikush është më “i barabartë” se të tjerët.

“Shteti, ligji, e drejta, policia – krejt këto bien në ujë, nëse dikush prej nesh është pak – sado pak – më i “barabartë” se dikush tjetër”, deklaron Buzhala.

Natyrisht, në episodin e ri nuk mungon edhe interpretimi për të kaluarën e Policisë dhe mënyrën se si ajo u themelua.

Për Buzhalën, historia e themelimit të Policisë është nisur gabimisht.

Gazetari flet edhe për të përbashkëtat që kemi si shoqëri, duke theksuar se institucionet publike duhet t’i trajtojnë të gjithë mënyrë të barabartë.

“Sigurisht jetojmë në kapitalizëm, jetojmë në treg të lirë, mirëpo janë disa shtylla të shoqërisë, janë disa institucione të shoqërisë, ku fuqia politike, fuqia financiare, fuqia familjare, do të duhej të vdisnin, e para të cilave secili prej nesh do të duhej të ishim krejtësisht të barabartë”, komenton Buzhala.

Shikim të këndshëm!

Lajme të ngjashme