23 vjet nga Marrëveshja e Rambujesë: Pse nuk humbi askush bastin në Kosovë? - NACIONALE

23 vjet nga Marrëveshja e Rambujesë: Pse nuk humbi askush bastin në Kosovë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rrafsh 23 vjet më parë, kur kosovarët po përballeshin me terrorin e agresionin e regjimit serb, u nënshkrua Marrëveshja e Rambujesë (Rambouillet) në Paris nga pala kosovare. Kjo marrëveshje ishte refuzuar kategorikisht të nënshkruhej nga delegacioni serb, çka çoi në nisjen e bombardimeve të NATO-s disa ditë më vonë, më 24 mars.

Imagjinojeni praninë e forcave policore serbe në natën e Vitit të Ri 2000. Apo edhe 2001. Kjo prani ishte paraparë madje edhe nga Marrëveshja e nënshkruar e Rambujesë për të cilën – derisa ndodhte lufta me Serbinë – po ndodhte edhe një luftë e tmerrshme e brendshme politike. Basti ishte i madh, shumë i madh.

Të mos nënshkruaje marrëveshjen nënkuptonte – siç thuhej – të vazhdoje luftën me forcat serbe dhe të ishe shkaktar i gjakderdhjeve që kushedi kur mund të ndaleshin. Të nënshkruaje – siç thuhej – nënkuptonte të prisje nëse ShBA-të do të realizonin premtimin e tyre për intervenim ushtarak.

Marrëveshja e Rambujesë më nuk është aq e debatueshme në hapësirën politike shqipfolëse, por në shkurtin dhe marsin e ’99-s, derisa shumica e shqiptarëve të Kosovës po i frikësohej edhe vdekjes, u bë mollë sherri për shumë armiqësi politike që do të zgjasnin me dekada. Për shkak të rëndësisë së saj, Marrëveshja qëndron në themelet e karrierës politike të Albin Kurtit e Hashim Thaçit, dhe shenjon fundin (ose fillimin e fundit) për Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen e Adem Demaçin.

Marrëveshja e Rambujesë ishte paraprirë nga një Konferencë, po ashtu e quajtur e Rambujesë, e cila kishte nisur më 6 shkurt të 1999-s, ose vetëm tri javë pas Masakrës së Reçakut.

Në Kosovë kishte dhimbje të mëdha lufte por njëkohësisht edhe frikë të madhe. Forcat serbe nuk zgjedhnin caqet se ku sulmonin.

Konflikti politik në vend ishte rritur aq shumë sa nuk mungonin – mbani mend, ishte kohë lufte dhe rreziku ishte alarmues – edhe etiketa shumë të rënda për figurat politike që u bënë pjesë e delegacionit shqiptar si “puqistë,” “tradhtarë”, “dezertorë” etj.

Çka ndodhi përgjatë periudhës shkurt-mars 1999?

Negociatat kishin zgjatur gjithsej 17 ditë mes dy delegacioneve.

Gati secili prej figurave të delegacionit tonë ka versionin e vet se çka kishte ndodhur në kështjellën mesjetare të Rambujesë.

Përçarjet brenda ekipit tonë kishin nisur qysh në ditën e parë të negociatave por përplasjet me Serbinë megjithatë i kishin hequr nga vëmendja e përgjithshme. Nëse marrim thënien e famshme të Von Claussewitzit se “lufta është politikë, por me mjete tjera,” atëherë ne po përjetonim në të njëjtën kohë edhe luftën por edhe politikën.

Delegacioni serb i kryesuar nga Sllobodan Millosheviqi e kundërshtonte me ashpërsi çdo propozim që dilte nga Konferenca. Mbështetja e vetme atij i vinte nga përfaqësuesit e Federatës Ruse. Mendohej se teksti i Rambujesë ishte bërë që të mos nënshkruhej nga pala serbe, si pretekst që të nisnin bombardimet.

“Teksti i Rambujesë, që i bënte thirrje Serbisë të pranonte trupat e NATO-s në Jugosllavi, ishte një provokim, një pretekst për të nisur bombardimet. Rambujeja është dokument që as serbi më engjëll nuk do ta pranonte. Ishte një dokument i tmerrshëm diplomatik që kurrë s’është dashur të prezantohej në atë formë,” – thoshte më 28 qershor, Henry Kissinger për The Daily Telegraph.

Por, megjithatë kishte një problem që kërkonte legjitimimin e bombardimeve: duhej nënshkrimi i palës kosovare.

Një pjesë e delegacionit shqiptar kishte vendosur që më 23 shkurt 1999 të largohej nga Rambujeja në drejtim të Kosovës. “Konsultim paraprak me popullin e Kosovës” ishte arsyetimi i shqiptarëve, kryesisht njerëzve të UÇK-së, të cilët i frikësoheshin reaksionit nga bashkëluftëtarët e tyre që po vriteshin në terren. Në veçanti, ata i frikësoheshin kundërshtimit nga komandantët e zonave të UÇK-së, i cili ishte i ashpër dhe zor i kapërcyeshëm. Dhe kështu, përnjëmend kishin nisur konsultat.

Adem Demaçi kishte qenë kategorikisht kundër. Edhe Hashim Thaçi. Edhe Albin Kurti. Në anën tjetër, Ibrahim Rugova nuk kishte pasur qëndrim të ngurtë duke besuar në miqësinë me ShBA-të. Rexhep Qosja nuk kishte treguar veten në atë situatë të nxehtë. Komandantët e zonave në anën tjetër, të lodhur nga luftimet, ishin kundërshtues por edhe të frikësuar nga fati që mund ta priste popullin e Kosovës nëse lufta zgjaste edhe shumë vjet.

E gjithë kjo hallakamë qëndrimesh u kapërcye kur Hashim Thaçi si kryesues i delegacionit ndërroi anë pas një varg lutjesh e përpjekjesh bindëse, madje edhe nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 18 mars, të enjten ndërsa bombardimet kishin nisur të mërkurën e javës tjetër, më 24 mars.

Shihni se çka thoshte Albin Kurti në atë kohë:

“Para Konferencës së Rambujesë raporti i humbjeve në ushtri ishte 1:10 në favor tonin, kurse përgjithësisht, duke përfshi edhe popullatën civile, ishte 1:3 në favor të tyre. Edhe pas ofensivave të egra serbe, UÇK-ja nuk u eliminua dhe ajo çdoherë e më shumë rritej e forcohej.

Madje, UÇK-ja nuk e pat përdorë akoma edhe një mënyrë shumë të rëndësishme dhe efikase - aksionet diversante. Ende s’u patën sulmuar kazermat, akoma pat qenë një farë faze fillestare dhe defanzive. Lufta për liri mund të zgjasë. Por, ajo vjen duke u kalitë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë i hodhi poshtë vitet e rezistencës dhe luftës çlirimtare.”

Përkundër që rezultati i Marrëveshjes së Rambujesë – që solli bombardimet, lirinë dhe më vonë edhe Pavarësinë e Kosovës – ishte i qartë, humbësit dhe fituesit politikë të saj nuk ishin. Hashim Thaçi kishte marrë merita si një ndër themeluesit e UÇK-së, por jo specifikisht për rolin që kishte luajtur në Rambuje. Ai do të qëndronte në opozitë deri në vitin 2008 duke pësuar humbje të thella në zgjedhje nga LDK-ja e Ibrahim Rugovës. Ky i fundit do të rriste tej mase popullaritetin dhe përkundër rolit vendimtar të UÇK-së për lirinë, do të dilte fitimtar i të gjitha zgjedhjeve të mbajtura gjatë kohës sa ishte ende gjallë. Demaçi e Qosja në anën tjetër, do të pasivizoheshin politikisht. Albin Kurti, sot nuk dihet nëse ka ndërruar qëndrim për Marrëveshjen por në vitin 2005 do të hapte një parti politike që do t’i linte emrin Vetëvendosje dhe që do të bartte idealet e qëndrimit që kishte pasur Kurti për Rambujenë.

Lajme të ngjashme