Fronti Evropian dhe VLEN falënderojnë shqiptarët për pjesëmarrje në zgjedhje
Koalicionet zgjedhore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë shprehur të kënaqur me daljen e qytetarëve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, i cili është mbajtur sot.
Zyrtarët Frontit Evropian dhe VLEN kanë dalë në konferenca për media për t`i falënderuar qytetarët për pjesëmarrje masive dhe të qet në këtë proces zgjedhor.
Nënkryetari i BDI-së nga Fronti Evropian, Arbër Ademi, është shprehur optimist se shqiptarët kanë votuar për kandidatin e këtij koalicionin, Bujar Osmani.
“Sot popullit foli. Patëm një ditë të qetë dhe një proces demokratik dhe të ndershëm. Është një sukses i përbashkët. Falënderoj ata që treguan sjellje demokratike, duke votuar Frontin Europian dhe dhanë votë për kandidatin tonë, Bujar Osmani”, ka deklaruar, raporton TvKlan.mk.
Qytetarët për pjesëmarrje në këtë proces i ka falënderuar edhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari.
“Masovikisht qytetarët kanë votuar dhe ky masivitet dëshmon se duhet ndryshim. Kutitë besoj që tashmë janë hapur. Komisionet dhe vëzhguesit tanë e kanë në dorë fitoren dhe garantojmë që çdo votë të jetë e sigurtë. Vota shqiptare nuk do të preket, tërmeti nisi sot por dridhjet finale do të jenë më 8 maj”, është shprehur Taravari.