Episodi XII: Abazoviqi nuk është kryeministër i shqiptarëve
Episodi i XII i Ditarit të Buzhalës do t’i kushtohet një njeriu, e megjithatë jo vetëm një njeriu. Është fjala për Dritan Abazoviqin, e megjithatë jo vetëm për Dritan Abazoviqin. Deklarata e fundit e Dritan Abazoviqit që u shpreh se viktimat e Srebrenicës nuk ishin boshnjakë por njerëz, dhe se nuk ishin vrarë nga Serbia po nga politika, nxiti shumë reagime negative.
Sidoqoftë, Dritan Abazoviqi ishte një pikëpyetje e madhe për shqiptarët – jo veç në Kosovë – prej që hyri me vrull të madh në skenën politike të Malit të Zi.
Tash ai nuk është veç pikëpyetje, por edhe pikëçuditëse, sepse mban të drejtën për të marrë vendimet më të rëndësishme shtetërore në Mal të Zi nga pozita e kryeministrit.
Autori i Ditarit të Buzhalës, Berat Buzhala, ekzaminon këtë figurë interesante politike pikërisht nga pikënisjet e tij.
A është Gjukanoviqi më i keq se Vuçiqi? Shihni raportin e Dritanit me Gjukanoviqin – që konsiderohet të jetë gjerësisht si babai i kombit të ri malazez – dhe raportin me Aleksandër Vuçiqin. Por, përtej pikëpyetjeve, Abazoviqi ishte po ashtu edhe një shpresë e re për shqiptarët. A duhej të ishte? Sipas autorit të emisionit, jo.
“Ai nuk është zgjedhë si shqiptar, por si jugosllav”, shprehet Berat Buzhala.
Ai pretendon se kryeministri i Malit të Zi po provon ta luajë rolin e Titos, për një lloj bashkimi të Ballkanit nëpërmjet të ashtuquajturit Ballkani i Hapur (Open Balkan). Si mund të bëhet kjo pa u afruar me Serbinë dhe pa e larguar Gjukanoviqin nga skena e Malit të Zi? Epo, pikërisht ky del të jetë misioni i z. Abazoviq nëse marrim për bazë fjalët e z. Buzhala.
Për më shumë, në fakt për shumë më shumë, ju ftojmë të ndiqni episodin e ri të këtij video-casti që është prodhim i gazetës Nacionale.