Abazoviqi mes serbëve e malazezëve: Çka po ndodh në Mal të Zi? Krismat mund t’i dëgjojmë edhe në Kosovë - NACIONALE

Abazoviqi mes serbëve e malazezëve: Çka po ndodh në Mal të Zi? Krismat mund t’i dëgjojmë edhe në Kosovë

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Qeveria e Malit të Zi, me kryeministrin Dritan Abazoviq ka nënshkruar marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe. Nënshkrimi i saj bëri që Abazoviq të humbiste mbështjetjen e shumicës në Mal të Zi e cila mund të çojë drejt rrëzimit të kryeministrit të parë me origjinë shqiptare në këtë vend. Por, çka duhet të dinë lexuesit tanë në Kosovë për këto zhvillime, krismat e të cilave po i dëgjojmë edhe këtu?

Nënshkrimi i marrëveshjes mes qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe për rregullimin e marrëdhënieve ka ndikuar në situatën politike duke destabilizuar qeverinë përkundër që mësynte stabilizimin e gjithëmbarshëm socio-politik të vendit.

Gazetari nga Mali i Zi, Haxhi Shabani në një bisedë për Nacionalen thotë së janë dy skenarë për situatën politike në këtë vend.

Shabani thotë se Qeveria e Abazoviqit mund të mbijetojë pavarësisht mos-përkrahjes nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq sepse Abazoviqi mund të përkrahet nga partitë opozitare të cilat janë pro marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.

Mendoj se janë dy skenare të mundshme, por që nuk përjashtohet edhe ndonjë tjetër. Pasi, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq, tashmë me vendimin e saj për mospërkrahjen e këtij vendimi të Qeverisë së Malit të Zi, qeveria pakicë humb përkrahjen e shumicës në Parlamentin e Malit të Zi... si rrjedhim qeveria që udhëhiqet nga kryeminstri Dritan Abazoviq bie. Por ekziston mundësia që këtë qeveri pakicë ta përkrahë opozita e përbërë nga Fronti Demokratik dhe Demokratët, pasi këto subjekte janë angazhuar pikërisht për arritjen e marrëveshjes Qeveri e Malit të Zi-Kishë Ortodokse Serbe. Po të ndodhë ky skenar Qeveria e udhëhequr nga z. Abazoviqi mund të mbijetojë, megjithëse atëherë ky i fundit do të humbte identitetin e tij politik.” - ka thënë ai.

Shabani ka thënë se marrëveshja me Kishën Serbe vjen pas vizitës që pati Abazoviq në Serbi, ku ai mori garanci se do të ndihmohet nga Serbia për krizën e ushqimit që paralajmërohet në vjeshtë.

Ai thekson se roli që ka marrë Abazoviq si shqiptari i parë kryeministër i Malit të Zi, për pajtimin e malazezëve me serbët në Mal të Zi është mision i pamundur.

Sa i përket marrëveshjes mendoj se duhet të arrihet sa më parë që është e mundur, por duhet parë a thua vërtet formë e saj e tanishme është krijimi i një shteti serb brenda shtetit të Malit të Zi, siç shprehen se qarkullon një mendim. Arritja e kësaj marrëveshjeje është një produkt i vizitës që z. Abazoviq kishte në Beograd, ku ai arriti të marrë garanci nga Serbia se Mali i Zi do të ndihmohet nëse kriza e ushqimit që paralajmërohet në vjeshtë ndodh. Por, nuk duhet harruar se Mali i Zi ka një agjendë me dy prioritete siç është kriza e brendshme ekonomike e integrimet evropiane që janë më të rëndësishme se kjo çështje. Si përfundim qëndrimi në mes i shqiptarit të parë si kryeministër i Malit të Zi, me barrën e rëndë mbi shpatulla për të pajtuar malazezët me serbët në Malin e Zi, është pothuajse një mision i pamundur,” - ka argumentuar ai.

Ndërsa, njohësi i politikës nga Mali i Zi, Kristian Dukaj në një deklaratë për Nacionalen ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë i pritshëm që të ndodh në qeverisjen e Abazoviqit, pasi sipas tij, një ndër kushtet për formimin e qeverisë ishte nënshkrimi i saj.

Kjo është ndër temat aktuale dhe të diskutueshme për më tepër se një dekadë të plotë dhe çdo herë që është debatuar në cilin do nivel qoftë, ka nxitur polarizimin e mëtejmë mes strukturave në vend. Këtij hapi i ka paraprirë Ligji mbi besimin, i miratuar ne mandatin e qeverisë paraprake të kryesuar nga z. Krivokapiq. Pra, nëse marrim parasysh se marrëveshja themelore me Kishën Ortodokse Serbe ishte njëri nga kushtet për formimin e Qeverisë së Dritan Abazotiviq, miratimi i kësaj marrëveshjeje ishte diçka e pritshme sepse në të kundërtën mosmiratimi i saj po ashtu do pasonte ndoshta rrëzimin e Qeverisë aktuale nga PSP-ja, e cila është parti proserbe, por është pjesë e Qeverisë aktuale,” – është shprehur ai.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, partia e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviqit doli kundër saj duke bërë që Abazoviqi të humbiste shumicën paralamentare.

Mirëpo, sipas analistit Dukaj, mospërkrahja e partisë së Gjukanoviqit “nuk nënkupton domosdo rrëzimin e Qeverisë”.

Duke marrë parasysh se partia e presidentit Gjukanoviq (PDS) ka vendosur të mos e përkrah më tej qeverinë e Abazoviqit, kjo vetëvetiu nënkupton se kabineti qeveritar aktualisht nuk e ka përkrahjen e shumicës parlamentare në bazë të së cilës është formuar kabineti qeveritar. Nga ana tjetër, ky vendim nuk nënkupton domosdo rrëzimin e Qeverisë, pasiqë për një gjë të tillë është e domosdoshme shumica parlamentare prej 41 deputetëve, e që do të thotë se është e domosdoshme që idenë e tillë duhet ta përkrah ndonjë deputet nga radhët e opozitës,” – ka vazhduar z. Dukaj.

Ai shprehet optimist se qeveria në Mal të Zi mund të vazhdojë funksionimin pasi që partitë opozitare kanë mirëpritur marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe.

Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë prononcim nga partitë opozitare për mundësinë e përkrahjes për një gjë të këtillë. Në të kundërtën, nëse partitë opozitare vendosin të përkrahin rrëzimin e Qeverisë Abazoviq, kjo do të reflektojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kjo është më pak e besueshme pasi partitë më të mëdha opozitare e kanë mirëpritur miratimin e marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe, andaj vështirë se do të përkrahin rrëzimin e Qeverisë aktuale e cila ka miratuar këtë dokument,” – theksoi ai.

Në anë tjetër, gazetari nga Mali i Zi Mentor Dinosha për Nacionalen paralajmëron se në Mal të Zi mund të ketë një qeveri proserbe e cila mund të drejtohet nga Abazoviq.

Dinosha thotë se marrëveshja e njeh subjektivitetin e Kishës Serbe gjashtë shekuj më herët se atë Kishës në Serbi dhe kjo sipas tij është e dëmshme për Malin e Zi.

Ndryshe, sipas raportimeve të Radio Evropa e Lirë me anë të kësaj marrëveshje “Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.”

Lajme të ngjashme