Kush është Dritan Abazoviqi, kryeministri shqiptar i Malit të Zi? - NACIONALE

Kush është Dritan Abazoviqi, kryeministri shqiptar i Malit të Zi?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dritan Abazoviq është zgjedhur sot pasdite kryeministër i Malit të Zi, pasi mori besimin e 45 deputetëve të Kuvendit malazez. Kundër tij votuan vetëm tre deputetë në seancën e jashtëzakonshme, në të cilën nuk morën pjesë një numër i konsiderueshëm i deputetëve.

Gjatë karrierës së tij politike, Abazoviq ka qenë i zëshëm për luftimin e korrupsionit dhe shtetit të së drejtës.

Si kryetar i partisë qytetare "ABR-URA", Abazoviq në politikë u njoh si lider me deklarata kundër nacionalizmit. Madje, ai mori shumë përkrahje nga malazezët, duke mos e 'etnizuar' votën. Si lider i ri, Abazoviq mban qëndrime progresiste, duke mos e ndarë shoqërinë malazeze mbi kampe etnike.

Sa ka qenë në opozitë, ai ka kritikuar vazhdimisht Presidentin e tanishëm të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, të cilën e akuzonte për korrupsion e krim të organizuar.

Për ironi të fatit, përkrahja e Gjukanoviqit i mundësoi Dritan Abazoviqit që të bëhet “kryeministri i parë shqiptar në Mal të Zi”.

Por, kush është Dritan Abazoviq, kryeministri i ri i shtetit fqinj?

Lexojeni më poshtë biografinë e shkurtër të përgatitur nga Gazeta Nacionale për njeriun e parë të Qeverisë së Malit të Zi.

Dritan Abazoviq lindi në Ulqin, më 25 dhjetor të vitit 1985, në një familje shqiptare. Pasi mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në Ulqin, Abazoviq vazhdoi shkollimin në Sarajevë, nga ku diplomoi në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Gjatë studimeve, ai u bë fitues i "Distinktivit të Artë" dhe "Kartës së Artë" të Universitetit të Sarajevës, çmime që ndahen për studentët e dalluar.

Ai magjistroi në vitin 2008 në Fakultetin e Shkencave Politike, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Malit të Zi. Në vitin 2019, Abazoviq, përfundoi doktoraturën në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, me temën e doktoraturës së titulluar “Politika globale – Aspekte Etike të Globalizimit”.

Për një kohë të gjatë, ai ishte bashkëpunëtor i organizatave joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut, atyre euroatlantike dhe aktivizmit qytetar. Ai ishte i angazhuar në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat pas konfliktit të ish-Jugosllavisë.

Si pjesëmarrës në programe, konferenca dhe seminare ndërkombëtare, ai u specializua në disa programe studimi. Nga viti 2005 deri në vitin 2007 ka qenë asistent në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Në vitin 2009, ai përfundoi kursin për Studimin e Paqes (Kërkimet e Paqes) në Universitetin e Oslos. Në të njëjtin universitet ka kryer seminarin për zhvillim profesional (Zhvillimi Profesional).

Në vitin 2011, ai u zhvendos përkohësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa merrte pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Uashington D.C.

Për dy vite, ai udhëhoqi si drejtor ekzekutiv kompaninë lokale të transmetimit, "Teuta", e cila është agjenci e lajmeve në gjuhën shqipe.

Nga viti 2010 deri në vitin 2012 ka qenë drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Mogul” në Ulqin.

Saktësisht 12 vite më parë, ai botoi librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Nga viti 2010 punoi si mësues në shkollën e mesme në Ulqin, duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë.

Abazoviq flet rrjedhshëm gjuhët shqipe, serbe, dhe angleze.

Para marrjes së detyrës si kryeministër i Malit të Zi, Abazoviq është është zotuar se do të luftojë korrupsuionin në vend e do të angazhohet në iniciativa të cilat i konsideron si të mira për Malin e Zi, ndër to edhe “Ballkani i Hapur”. /Nacionale/

Lajme të ngjashme