Dinosha: Abazoviq s’po bëhet kryeministër si shqiptar - NACIONALE

Dinosha: Abazoviq s’po bëhet kryeministër si shqiptar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, ka mirëpritur mandatimin e liderit të Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi. Ai ka thënë se qeveria e re, e cila do të jetë qeveri e pakicës, nuk do të këtë mandat të plotë. Dinosha është shprehur për gazetën Nacionale se Abazoviq nuk po bëhet kryeministër si shqiptar dhe si mbrojtës i çështjes shqiptare.

Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, ka treguar edhe për prioritetet që duhet t’i këtë qeveria e re e këtij vendi, e cila pritet të formohet së shpejti.

Në një bisedë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se qeveria pro-perëndimore duhet t’i mbështesë projektet strategjike për Malin e Zi.

Dinosha ka folur edhe për mandatarin për formimin e qeverisë së re, liderin e Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq.

Dinosha ka thënë se Abazoviq nuk vjen në këtë post si mbrojtës i çështjes shqiptare.

“Është mirë që z. Abazoviq, më në fund i iku ‘përqafimit serb’ dhe është mirë që do të bëhet kryeministër i Qeverisë pro-perëndimore të Malit të Zi. Por, duhet thënë se ai nuk vjen në këtë post si shqiptar, as si mbrojtës i çështjes shqiptare. Ai jo vetëm që nuk vjen nga radhët e partive shqiptare, por as mandatet e deputetëve nuk i ka nga votat shqiptare. Ai është një politikan i shkolluar i proviniencës qytetare, i cili nuk çan kokën shumë për çështje të identitetit kombëtar. Këtë e dëshmon edhe mbiemri i tij, që e ka në konflikt interesi me emrin.” - ka deklaruar ai.

Sidoqoftë, ish-ambasadori Dinosha është shprehur pozitivisht për këtë lëvizje të subjektit URA që drejtohet nga kryeministri i ri malazez duke thënë që “është mirë që më në fund ai e ka kuptuar interesin e Malit të Zi!”

“Zhvillimet e ditëve të fundit në skenën politike të Malit të Zi i përkrah plotësisht dhe mendoj se do të jenë të mira për vazhdimin e proceseve demokratike atje. Kjo sidomos nëse z. Abazoviq e ka kuptuar qartë se sa e dëmshme dhe e panevojshme ka qenë aventura e tij e hyrjes në Qeveri të Malit të Zi, me përkrahjen e partive pro-serbe e pro-ruse. Qeveria e pakicës nënkupton përkrahjen parlamentare të ndonjë subjekti të madh, pa pjesëmarrjen e tij në të. Kjo, në kushtet e Malit të Zi, do të thotë se Qeverinë do ta formojë grupimi politik i mandatorit Abazoviq, me ndonjë parti pro-malazeze dhe me ato të pakicave nacionale, e përkrahjen në Parlament do ta sigurojë PDS-ja e z. Gjukanoviq”, - argumenton Dinosha.

Më tej, ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovës, ka treguar se çka do të ishte mirë për qeverinë e re të këtij vendit.

“Do të kishte qenë mirë sikur kësaj Qeverie t’i bashkohej edhe ndonjë subjekt tjetër i shumicës aktuale, siç është Partia Socialiste Popullore (PSP), e cila nuk është radikale sa partitë e tjera serbe dhe e cila ka 5 deputetë. Pra, me të brendapërbrenda, do të formohej një shumicë e re parlamentare prej 49 deputetësh [shën. i gazetarit: Mali i Zi ka një Parlament me 81], gjë që do të kishte përkrahjen edhe të miqve tanë perëndimorë. Por, edhe nëse ndodh që PSP të mos hyjë në Qeverinë e re, ajo do të ketë përkrahjen e 44 deputetëve. Duhet shtuar se kjo Qeveri nuk do të kishte mandat të plotë, por do të merrej me krijimin e logjistikave për zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare dhe me vazhdimin e bindshëm të projekteve strategjike dhe zhvillimore të Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian.”

Zanafilla e aktualitetit politik në Mal të Zi

Pas 30 vitesh në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) e Presidentit të shtetit, Millo Gjukanoviq, në vitin 2020 kishte shkuar në opozitë.

PDS-ja, e cila përkrahte çdo proces euroatlantik, ndonëse kishte fituar zgjedhjet, nuk kishte mundur ta formonte qeverinë.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit 2020, qeverinë e formuan subjektet pro-serbe e pro -ruse. Boshtin e përkrahjes parlamentare të kësaj qeverie e përbënin partitë e Frontit Demokratik, të cilat kishin qenë kundër pavarësisë së Malit të Zi, kundër njohjes së Kosovës si shtet e kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Pjesë e kësaj qeverie ishte bërë edhe lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq.

Me ndihmën e tij, ishte formuar shumica parlamentare prej 41 deputetësh, në Parlamentin që siç thamë numëron gjithsej 81 deputetë. Opozita mbeti me 40 mandate dhe përpos partisë së Gjukanoviqit, atë e përbënin edhe dy subjekte të socialdemokratëve, Partia Liberale e Malit të Zi dhe partitë nacionale të shqiptarëve e të boshnjakëve.

U vu re se në opozitë mbetën edhe partitë e pakicave nacionale, të cilat qysh në vitin 1998, kur Gjukanoviq ishte distancuar nga politikat e Sllobodan Millosheviqit, kishin qenë pjesë të qeverive në krye me PDS-në.

Shumica e re, para se të formohej Qeveria, kishte nënshkruar një marrëveshje se nuk do të prekte në projektet strategjike të Malit të Zi, ku përfshihen integrimet euroatlantike e ato evropiane. Qeveria e re, si agjendë kryesore të punës së saj, proklamoi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, njohësit e rrethanave politike tërhiqnin vërejtjen se partitë serbe të cilat i kishin dhënë përkrahje Qeverisë së re, do të prisnin momentin për ta kthyer Malin e Zi drejt politikave të Rusisë, duke iu larguar atyre të Perëndimit.

Kjo së shpejti do të shprehej qartas në Parlamentin e Malit të Zi. Me rastin e shënimit të përvjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, Partia Boshnjake kishte propozuar një rezolutë për dënimin e këtij gjenocidi. Por, partitë serbe të shumicës, nuk i dhanë përkrahje. Ajo u miratua me votat e opozitës dhe të disa deputetëve të shumicës. Madje, as Ministri i Drejtësisë në Mal të Zi nuk u pajtua me formulimin e rezolutës rreth Srebrenicës, për të cilën çështja u shkarkua më vonë, po prapë me votat e opozitës.

Paralelisht me këtë, për shkak të pakënaqësisë me punën e Qeverisë, partitë serbe që e përkrahnin filluan ta kritikojnë ashpër, por asnjëherë nuk kërkuan votëbesimin e saj, duke iu frikësuar kthimit në pushtet të partisë së z. Gjukanoviq, që për nga numri i mandateve është edhe subjekti më i madh politik në Mal të Zi.

Duket se këto dhe të tjera kanë bërë që para disa ditësh, votëbesimin Qeverisë t’ia kërkonte vetë zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, duke propozuar formimin e një qeverie të pakicës.

Me ndihmën e votave të opozitës, Qeveria pro-serbe ra më datë 4 shkurt të këtij viti. Kurse, më 3 mars, kryetari i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq e ka emëruar mandator për formimin e qeverisë së pakicës Dritan Abazoviqin.

Fronti Demokratik dhe partitë tjera pro-serbe kanë kundërshtuar formimin e qeverisë së pakicës. Ata kërkojnë formimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve.

Në kundërshtim të kësaj qeverie, në Podgoricë dhe qytete të tjera malazeze po organizohen protesta dhe bllokada duke kërkuar zgjedhje të reja. /Nacionale/

Lajme të ngjashme