Opozita: Raporti i DASh-it goditje për Qeverinë Kurti, tregon për korrupsionin serioz qeveritar - NACIONALE

Opozita: Raporti i DASh-it goditje për Qeverinë Kurti, tregon për korrupsionin serioz qeveritar

1 javë më parë

nga NACIONALE

Opozita ka reaguar fuqishëm ndaj Raporti i Departamentit Amerikan për Kosovës. Raporti 2023, i cili tregon prezencën e korrupsionit serioz qeveritar, është vlerësuar si shqetësues për institucionet e Kosovës.

Zyrtarët opozitarë kanë bërë me dije se raporti në fjalë tregon të vërteten për Qeverinë Kurti.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka theksuar se një gjë e tillë ka qenë e pritshme pas aferave të shumta qeveritare.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është shqetësues për institucionet e Republikës së Kosovës. Raporti thekson për, prezencën e korrupsionit serioz qeveritar, probleme me pavarësinë gjyqësorit dhe me kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve. Kjo ka qenë e pritur pas aferave, sikur ajo e Ambasadorit Berishaj, me rezerva shtetërore, aferat korruptive në KEK dhe tani me ambalazhuesit e ujit. Në vend që të kërkojnë drejtësi, bartësit e institucioneve dalin në mbrojtje publikisht ndaj personave të dyshuar”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, raporti është një e vërtetë e hidhur për Qeverinë Kurti.

E kanë bërë normë sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurorit të shtetit dhe shantazhimin e kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave. Raporti i DASH është një e vërtetë e hidhur që e kemi përmendur disa herë. Nuk ka pasur asnjë reflektim nga qeveria dhe më e rëndësishmja nga Presidentja e shtetit, e cila ka mandat kushtetues t’i mbrojë institucionet e pavarura. Kjo qeveri ka tendencë për të imponuar një sistem diktatorial, në mënyrë që Kryeministri të kontrolloj gjithçka: qeverinë, gjyqësinë, kuvendin, presidencën dhe mediat”, ka shkruar Hoti.

Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se raporti i DASh-it e demistifikon kursin mashtrues të Qeverisë.

Vetëmashtrimi i Qeverisë duke krijuar tituj bombastik për fitoret e paqena kundër Serbisë e në raste të caktuara edhe kundër komunitetit ndërkombëtar, janë gënjeshtrat të cilave Qeveria ka filluar t’ju besojë edhe vetë. Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit për Kosovën është goditja më e fuqishme që demistifikon këtë kurs të mashtrimit”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, për korrupsionin qeveritar janë të vetëdijshëm edhe qytetarët e Kosovës.

Nuk besoj që ka qytetar të këtij vendi që sot nuk është i shqetësuar me gjetjet e këtij raporti në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e shprehjes, lirisë së mediave si dhe të drejtave të njeriut e plot fusha të tjera. Raporti i DASH-it është për vitin 2023 dhe nuk ka arritur të evidentojë edhe plot dështime të tjera, përfshirë këtu edhe qindra kontrata njëburimore në vlerë prej qindra milionë eurosh. Në një situatë normale ky raport i DASH-it do të duhej t’i shërbente Qeverisë për vetëreflektim, që nënkupton dorëheqjen e saj”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka vlerësuar se raporti në fjalë ka dekonstruktuar propagandën e pushtetit.

‘Korrupsion serioz qeveritar’, po thotë Departamenti i Shtetit të SHBA-së, për Kosovën! Ky është rezultati i propagandistëve që nuk lanë gjë pa bërë për të ushqyer shpresa të rrejshme deri sa erdhën në pushtet”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të ngjashme