Gjukanoviq: "Bota ruse" në Ballkan është "bota serbe", Kisha Serbe është faktor përçarës - NACIONALE

Gjukanoviq: "Bota ruse" në Ballkan është "bota serbe", Kisha Serbe është faktor përçarës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti malazez Milo Gjukanoviq ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe është një faktor përçarës si në Mal të Zi ashtu edhe në rajon, duke thënë se arsye për luftë ka "shumë" dhe se "arsyeja mund të gjendet pothuajse në çdo vend".

Në një intervistë për gazetën greke Kathimerini, Gjukanoviq tha se, përveç "çështjeve të pazgjidhura" nga periudha e shpërbërjes së Jugosllavisë, ka "mjedis të përshtatshëm për destruktivitet dhe stagnim në integrimin evropian të të gjithë rajonit në vitet e fundit", dhe se në Malin e Zi "të shtypur nga destruktiviteti i Serbisë së Madhe dhe Rusisë këto pesë, gjashtë vite, kemi një krizë politike që nuk po i shihet fundi".

Gjukanoviq thekson se "gjatë historisë së Ballkanit, kurrë nuk ka qenë problem të gjendet arsye për një luftë të re" dhe se projekti i "Botës Ruse" në Ballkan quhet "Bota Serbe", kurse Mali i Zi "konsiderohet pjesë natyrore e saj”.

“Mendoj se këto ideologji dhe promotorët e tyre, sot shihen qartë. Nuk i sheh vetëm ai që nuk do t'i shohë. Përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi në vitin 2016, të cilit i rezistuam pa ndihmën e askujt, ishte vetëm një paralajmërim për tmerret të cilat po i shohim në Ukrainë.

Rusia po e ripërtrinë plotësinë e saj historike, duke bashkuar botën ruse në tërësinë e saj të rusëve, bjellorusëve dhe malorusëve - pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës këto ditë tregon për ambiciet e saj perandorake," tha ai.

Ai shtoi se në të njëjtën kohë, Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije, deklaroi se "ngjarjet në Ukrainë janë pasoja të mosbesimit në Zot" dhe se "Mali i Zi parashikohet të jetë një Ukrainë e vogël".

"Ata po ndjekin Kishën Ruse, e cila mbështet pa rezerva pushtimin e Ukrainës. Priftërinjtë serbë në rrjetet sociale i "duartrokasin" presidentit çeçen, Kadyrov, i cili dërgoi forcat e tij speciale në Kiev. Forcat pro-ruse në Serbi, Mal të Zi, e Republika Srpska, po organizojnë tubime në mbështetje të Putinit dhe festojnë 'të bëmat' e ushtrisë ruse.

Infrastruktura mediatike, me mbështetje të mëdha financiare për veprimtarinë e tyre, është ngritur prej kohësh në rajon. Qendrat janë në Beograd dhe Banja Llukë, nga ku aktiviteti përhapet në Mal të Zi dhe në të gjithë rajonin," tha ai.

I pyetur se si e sheh fundin e luftës në Ukrainë, Gjukanoviq tha se "as ata që e filluan këtë luftë, as ata që janë të detyruar të mbrohen, nuk kanë një përgjigje për këtë pyetje", duke përfunduar se "Rusia do të ishte humbësi më i madh, shikuar edhe nga këndvështrimi historik...

"I pyetur nëse ai sheh ngjashmëri mes Slobodan Millosheviçit dhe Vladimir Putinit, për sa i përket ushtrimit të pushtetit, Gjukanoviq tha se dërgimi i tankeve dhe rrethimi i Vukovarit dhe Sarajevës në fillim të viteve 1990 ishte kopjuar sot në Kiev, Kharkiv dhe Mariupol në Ukrainë.

Ai shtoi se "kulti i liderit është i njëjti që gëzonte Millosheviqi", duke thënë se është "interesante të kërkosh përgjigje se si hyri Rusia në gjithë këtë tridhjetë vjet më vonë sipas konceptit të projekteve ballkanike shtet-mëdha të viteve1990, dhe si nuk mësoi asgjë nga gabimet e të tjerëve".

Përkthyer nga Nacionale

Lajme të ngjashme