Pas KPK-së, cilat ligje tjera të “reformës” mund t’i rrëzoj Gjykata Kushtetuese - NACIONALE

Pas KPK-së, cilat ligje tjera të “reformës” mund t’i rrëzoj Gjykata Kushtetuese

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Reforma në drejtësi, ka qenë qëllimi kryesor të paktën deklarativisht i të gjitha partive. Raporte ndërkombëtare e vlerësime nga OJQ që merren ekzluzivisht me këtë punë, kanë vënë në pah nevojën për reformë në sistemin e drejtësisë.

Por, për të ndodhur kjo reformë duhet hartim i ligjive, e miratimi i tyre. Përveq kësaj ligjet patjetër duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e vendit, si akti më I lartë juridik e politik i vendit.

A po arrinë VV-ja, ta shtyjë përpara reformën?

Njëri nga ligjet kryesore për ta reformuar drejtësinë, ai për Këshillin Prokurorial, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, sepse sipas këtij organi, ky ligj rrezikonte pavarësinë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Shumë nervoze në lidhje me këtë vendim u shfaq ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, duke e quajtur absurd këtë vendim, e duke i sulmuar gjyqtarët se deri te vendimi kanë ardhur për shkak të interesave të tyre personale.

Edhe Kryeministri Kurti, ditë më parë vet faktin se këto ligje po dërgohen në Kushtetuese i kishte quajtur tendencë për ta sabotuar reformën në drejtësi. Anipse verifikimi nga Kushtetuesja është i domosdoshëm në praktikën juridike e në demokraci, vlerësojnë njohësit.

Por, jashtë deklarimeve politike, ligjërisht efekti i vendimit të Gjykatës Kushtetuese juridikisht është I pakthyeshëm. Pra, nuk ekziston organ më i lartë në të cilin mund të ankimohet kjo çështje. Prandaj ligji i ri për KPK-në, zyrtarisht u zhbë.

Janë edhe një sër ligjesh që presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të parë nëse procesi i reformës është në rrugën e duhur, apo përfundimisht po kthehen në një dështim. Përveq ligjeve që e prekin direkt reformën, ka edhe disa ligje të tjera që ose janë në Kushteuese ose pritet të dërgohen, përfshirë edhe Ligjin Për Paga.

Ligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë, Ligji për Vetting, Ligji për Zyrtarë Publik, Ai për Energjinë ndodhen në Kushtetuse. E Ligji i pagave pritet të dërgohet. Siç merr vesh Nacionale, te Avokati i Popullit janë parashtruar mbi 75 ankesa deri më tash në lidhje me këtë ligj, e që kërkojnë që i njejti të shkoj në Kushteuese.

Vettingu

“Populli bërtet për vetting” ishte shprehur Kurti, duke përshkruar nevojën sipas tij, që sistemi i drejtësisë t’i nënshtrohet një “kontrolli” që është edhe thelbi i procesit të vettingut.

Këshilli Gjyqësor e Prokurorial nuk e përkrahën, sidomos jo me ndryshime kushtetuese.

Ligji tashmë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga i pari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Paraprakisht ai u dërgua edhe në Venecia aty ku u shqyrtua komisioni më i thirrur për këtë punë. Kaloi unanimisht në komisionin Ad-Hoc të formuar veçmas për këtë proces, i cili udhëhiqet nga deputeti Kujtim Shala i LDK-së, e tash ka kaluar në shqyrtimin kushtetues, e do të jetë në duart e gjyqtarëve të kësaj gjykate, para se të kthehet sërish në parlament, nëse e kalon testin e Kushtetueses, për ndyshimet e nevojshme.

Byroja

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Edhe ky ligj cilësohet si njëri ndër kryesorë në reformën e nisur nga pushteti.

LDK e votoi në Kuvend së bashku me Vetëvendosje, por PDK, e cilëson si ligj anti-kushtetues, prandaj duhet të pritet vendimi i kushtetueses pra se të hyjë në fuqi, siç është planifikuar.

Byroja e Konfiskimit dhe Verifikimit të Pasurisë, ka për qëllim që të verifikoj pasurinë e zyrtarëve publik dhe jo vetëm, e t’i dërgoj rastet në Gjykatë, për ata përsona që dyshohet se pasurinë e kanë në shpërputhje me të ardhurat dhe arsyetimin, e që kalon vlerën prej 25 mijë eurove.

Por a është harmonizuar siç duhet me Kushtetutën e vendit apo jo, mbetet të shihet.

Ligji për zyrtarë publik

Ky ligj është esencial në organizimin e administratës së shtetit, por mbetet edhe njëri ndër ligjet më të kritikuara si nga spektri vendor ashtu edhe nga ai ndërkombëtar.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kundërshtuan bashkë miratimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë në Kuvendin e Kosovës. Këto dy parti opozitare pothuajse me argumente të njëjta evidentuan të metat e këtij ligji, i cili është kritikuar edhe nga Bashkimi Evropian.

Por, këto dy parti nuk vepruan bashkë për ta dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së, ndaras dërguan këtë ligj në Kushtetuese duke kërkuar anulimin e tij.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ky ligj nuk është në përputhje me standarde evropiane.

Sipas tij, ligji bie ndesh edhe me obligimet që Kosova ka marrë me nënshkrimin e MSA-së me BE-në.

Ne si LDK vlerësojmë se ky Ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, që është Marrëveshja për Stabilizim Asociimit dhe në kundërshtim me ligjet tjera”, ka deklaruar Gashi, pas dorëzimit të Ligjit për Zyrtarët Publikë në Kushtetuese.

Ligji i Pagave

Ligji i shumëpërfolur i pagave, nuk u dërgua në Kushtetuese nga partitë opozitare. Anipse vërejtje të shumëta patën për të. Ekziston edhe një formë se si ky ligj mund të bie.

Avokati i Popullit e ka në dorë, nëse do ta dërgoj ose jo në Kushtetuese këtë ligj, për të cilin janë ankuar policët, gjyqtarët, prokurorët e pothuajse shumica e sindikatave në vend.

Gazeta Nacionale ka mësuar se deri tash, numri i kërkesave te Avokati i Popullit për ta dërguar këtë ligj në Kushtetuese është tepër i lartë. Mbi 75 sosh kanë mbushur sirtarin e Avokatit të Popullit, i ka thënë Nacionales një burim brenda këtij institucioni.

Mbetet të shihet nëse Gjykata Kushtetuese do të vazhdoj të rrëzoj ligjet e kësaj shumice, apo Ligji për KPK-në që u rrëzua do të përbëj një përjashtim.

Lajme të ngjashme