Gjykata Kushtetuese mbron rendin juridik nga sulmi i qeverisë, hedh poshtë draftligjin per Këshillin Prokurorial
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtuetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin kërkuar vlerësim të kushtetueshmërisë.
Që në fillim të aktgjykimit, Kushtetuesja ka konfirmuar se i ka deklaruar të pranueshme kërkesat e PDK-së dhe LDK-së.
“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në njoftimin e publikuar për media gjatë së premtës, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron që në rendin kushtetues të Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur.
“Thënë këtë, Aktgjykimi sqaron që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur. Më saktësisht, Këshilli Prokurorial është pjesë përbërëse e Kapitullit VII të Kushtetutës lidhur me Sistemin e Drejtësisë dhe bashkë me Këshillin Gjyqësor, kanë kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht dhe pavarësisht ngjashmërive e dallimeve përkatëse, në ushtrimin e funksioneve të tyre, Kushtetuta u akordon të dyjave “pavarësi të plotë kushtetuese”. Aktgjykimi sqaron që kjo pavarësi e plotë kushtetuese, bazuar në nenin 4 të Kushtetutës lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, i nënshtrohet edhe balancimit e ndërveprimit me pushtetet tjera, gjithnjë në përputhje me vlerat demokratike siç janë të përcaktuara në nenin 7 të Kushtetutës.” – thuhet në aktgjykimin e publikuar.
Vendimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.
Ndërkohë, në lidhje me këtë, ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, duke shkruar shkurt: “Gjykata Kushtetuese e shpall Ligjin per Keshillin Prokurorial kunder kushtetues”.
Opozita e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese
Me datë 1 korrik, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në dy çështje të ndara, iu drejtuan Kushtetueses, duke e kërkuar opinionin e saj, ngase, sipas tyre, ky ligj ishte kundërkushtetues.
I pari që e dërgoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, ishte shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri tha se ky ligj e cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit në vend, duke pretenduar se i njëjti bie ndesh me gjashtë nene.
“Asnjëherë nuk kemi pasë një tendencë kaq të qartë me kapë një sistem prokurorial të tërin, siç ka ndodhur me miratimin e këtij ligji nga mazhoranca. Konsiderojmë se është një bazë e mjaftueshme për ta nxjerrë në kundërshtim me kushtetutën një ligj të tillë." - pati thënë Tahiri para dyerve të gjykatës, menjëherë pasi e kishte dorëzuar ligjin në Kushtetuese.
Në po të njëjtën ditë, edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e dorëzoi të njëjtin ligj në Kushtetuese, duke e quajtur kundër frymës së kushtetutës së vendit.
“Interferimet në Këshillin Prokurorial dhe në sistemin e drejtësisë në mënyrë politike janë jo të shëndetshme për demokracinë, por edhe për pavarësinë e gjyqësorit. Nuk guxojmë ta lejojmë atë që ne e quajmë kapje institucionale." - pati deklaruar Zemaj.
Ndërkohë, deputetët e Kosovës e patën miratuar edhe në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës me datë 23 qershor të këtij viti. 61 deputetë ishin pjesëmarrës në votim, prej tyre 60 kanë votuar “për” dhe një deputet ka abstenuar.