Ligji për Këshillin Prokurorial, çkapje apo kapje? - Gjykata Kushtetuese e tejkalon afatin
Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës ishte ndër ligjet më të debatuara ndërmjet pushtetit e opozitës.
Lëvizja Vetëvendosje e kishte mësyrë ndryshimin e ligjit të vjetër në emër të reformës në drejtësi. Opozita e kundërshtoi aq sa mundi, por mjetet politike u harxhuan për opozitën, kur tre muaj më parë, 60 deputetët e shumicës i thanë “po” ligjit të ri.
Ndonëse beteja politike përfundoi aty, opozita ka filluar një betejë të re, atë juridike, duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj.
Kushtetuesja ende nuk ka dalë me ndonjë vendim, edhe pse afati ligjor për një gjë të tillë ka përfunduar.
Gjykata Kushtetuese e ka tejkaluar afatin për vendim?
Ndonëse jemi në muajin e katërt nga koha kur ky ligj u kontestua në Kushtetuese, ky institucion ende nuk ka dalë me asnjë vendim, duke e lënë pezull ligjin.
Në nenin 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese thuhet se duhet një vendim brenda 60 ditëve pas dorëzimit të kërkesës.
“Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese duhet të nxjerrë vendim mbi kontestin jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas dorëzimit të kërkesës”, thuhet në ligj.
Deri në ditën kur është shkruar ky artikull kanë kaluar tre muaj e 20 ditë nga kërkesa e parashtruar prej partive opozitare.
Ligji ka mbetur pezull.
U votua me 61 vota “pro”
Deputetët e Kosovës e patën miratuar edhe në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës me datë 23 qershor të këtij viti. 61 deputetë ishin pjesëmarrës në votim, prej tyre 60 kanë votuar “për” dhe një deputet ka abstenuar.
Është pikërisht ky ligj me të cilin pushteti synon të identifikohet, marrë për bazë sloganin e vet, “drejtësi e punësim”. Rëndësia e ligjit është vlerësuar tejet e madhe, pasi Këshilli Prokurorial është edhe kategori kushtetuese dhe, njëherësh, njëra nga institucionet më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë.
Megjithatë, përplasjet ndërmjet Këshillit Prokurorial e partisë në pushtet kanë vazhduar edhe ditën kur ligji u miratua në lexim të dytë.
Përplasja i tejkaloi partitë, atëherë kur vetë KPK-ja tha se nuk do t’i nënshtrohej asnjë ndryshimi për të cilin u votua në Kuvend.
“Meqenëse me këtë Ligj cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit, Këshilli njofton se përveçse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij ligji, gjithashtu, asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’u nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore që janë edhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe kundër dy rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias”, u tha në komunikatë nga KPK-ja.
Opozita e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese
Me datë 1 korrik, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në dy çështje të ndara, iu drejtuan Kushtetueses, duke e kërkuar opinionin e saj, ngase, sipas tyre, ky ligj ishte kundërkushtetues.
I pari që e dërgoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, ishte shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri tha se ky ligj e cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit në vend, duke pretenduar se i njëjti bie ndesh me gjashtë nene.
“Asnjëherë nuk kemi pasë një tendencë kaq të qartë me kapë një sistem prokurorial të tërin, siç ka ndodhur me miratimin e këtij ligji nga mazhoranca. Konsiderojmë se është një bazë e mjaftueshme për ta nxjerrë në kundërshtim me kushtetutën një ligj të tillë”, pati thënë Tahiri para dyerve të gjykatës, menjëherë pasi e kishte dorëzuar ligjin në Kushtetuese.

Në po të njëjtën ditë, edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e dorëzoi të njëjtin ligj në Kushtetuese, duke e quajtur kundër frymës së kushtetutës së vendit.
“Interferimet në Këshillin Prokurorial dhe në sistemin e drejtësisë në mënyrë politike janë jo të shëndetshme për demokracinë, por edhe për pavarësinë e gjyqësorit. Nuk guxojmë ta lejojmë atë që ne e quajmë kapje institucionale”, pati deklaruar Zemaj.

Çka parasheh ligji, cilat janë ndryshimet?
Me ligjin e ri parashihen shtatë anëtarë, katër prej tyre prokurorë, dy anëtarë të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës, një anëtar të delegohet nga Avokati i Popullit.
Ligji i vjetër e përcaktonte numrin e anëtarëve të këshillit në 13, 10 prej tyre prokurorë, duke e përfshirë kryeprokurorin e Shtetit, një anëtar avokat nga Oda e Avokatëve, një anëtar profesor universitar i drejtësisë, një anëtar përfaqësues nga shoqëria civile.
Zvogëlimi i numrit të anëtarëve të këshillit, që parashihet me ligjin e ri, është njëri ndër ndryshimet më thelbësore e që i pati përplasur pozitën, opozitën, por edhe vetë Këshillin Prokurorial.
Kjo pasi, sipas opozitës, numri prej shtatë anëtarëve në këshill do ta bëjë shumë më të lehtë politizimin e të “kapet” këshilli nga pushteti.
Për më tepër, Ministria e Drejtësisë fillimisht kishte propozuar që katër nga shtatë anëtarët e këshillit të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës, por kjo u pa si ndikim i drejtpërdrejtë i politikës në drejtësi nga Komisioni i Venecias, në opinonin e të cilit, në lidhje me këtë ligj, thuhej: “Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrim të KPK-së ndaj shumicës qeverisëse”.
Ende nuk dihet se kur Gjykata Kushtetuese do të dalë me një vendim në lidhje me këtë ligj. Në anën tjetër, ka edhe një proces tjetër në lidhje me prokurorinë, konkretisht zgjedhja e kryeprokurorit, që ka mbetur peng i mosdekretimit nga presidentja.