‘Përralla’ që nuk po përfundon – topi për Kryeprokurorin, edhe më fort te presidentja
Mandatin e morën për ta ndryshuar drejtësinë, reformat gjithashtu i nisën. Disa nga to iu shkuan sipas planeve, e disa të tjera jo.
Lëvizja Vetvendosje e Lista Guxo, 51 përqindëshin e mbërritën duke e premtuar reformën në drejtësi, nëpër studio televizive, parlament, e duke premtuar shesheve.
Por reforma, e ndryshimi, përveç spjegimeve e premtimeve, po del të jetë procedurë aspak e lehtë për pushtetin.
Kush do të jetë i pari i Prokurorëvë të Kosovës – a është në planet e reformës së pushtetit?
Këshilli Prokurorial i Kosovës e zgjodhi Blerim Isufajn për Kryeprokuror, e Presidentja tha se para dekretimit të tij, do ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Meqenëse dje Kushtetuesja doli me vendim, për t’i refuzuar ankesat e dy kandidatëve të tjerë Shqipdon Fazliut e Armend Hamitit, tash topi është kthyer sërish tek e para e vendit.
Nacionale ka tentuar të kontaktojë me presidencën, për t’i pyetur nëse vendimi i kushtetueses, do ta zhbllokojë procesin, por presidenca ka qenë e paqasshme gjatë tërë ditës.
Ndërsa i zgjedhuri i Këshillit për Kryeprokuror, Blerim Isufaj, i tha Nacionales se nuk e komenton vendimin e kushtetueses, e as “heshtjen” e presidentes.
“Nuk mundem me komentu vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk e komentoj as qendrimin e presidentes. Nuk mundem me komentu”, ka thënë Isufaj shkurtimisht.

Saga që pret epilog?
Janë bërë gati 3 muaj prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror.
Para se Isufaj të ulët në karrigën më të rëndësishmë të drejtësisë në vend, i duhet vetëm edhe “amini” i presidentes Osmani.
Ndonëse nënshkrimi i Osmanit për dekretime, konsiderohet akt formal, në rastin e kryeprokurorit të vendit, kjo çështje mund ta thyejë traditën e “formalitetit”.
Presidentes Osmani i qëndroi për gati 3 muaj emri i Isufajt mbi tavolinë. Mungesën e nënshkrimit mbi dokumentin me emrin e këtij të fundit, presidentja e ndërlidhi me një proces që deri dje ishe i papërfunduar. Veç kësaj, Osmani kishte thënë se ka dilema për gjithë procesin e përzgjedhjes.
Presidentja Osmani deklaroi se po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ankesat e kandidatëve të tjerë, për të vendosur pastaj për dekretimin e kandidatit fitues, që nxorri këshilli.
“Jam njoftuar zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese që një nga kundër kandidatët e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht që duhet të pritet se cili do të jetë vendimi rreth kërkesës për masë të përkohshme.Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, pati deklaruar presidentja Osmani.
Gjykata Kushtetuese vendosi që ankesat e kandidatëve Shqipdon Fazliu e Armend Hamiti, t’i shpallë të papranueshme.
Në vendimin e Kushtetueses, arsye për papranueshmërinë e ankesave të dy ankuesve të lartëpërmendur, theksohet fakti se, Shqipdon Fazliu e Armend Hamiti, nuk i kishin shterur mjetet juridike siq parashihet me ligj.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet KI 57/22, parashtruar nga Shqipdon Fazliu dhe KI 79/22, parashtruar nga Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.” thuhet në vendim.
Reagimet e shumta për Isufajn Kryeprokuror
Ndonëse KPK-ja vlerësoi se procesi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, ka qenë objektiv, transparent e gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci, kështu nuk e panë shoqëria civile e as ndërkombëtarët.
Organizata të shoqërisë civile, ishin shumë direkt në kërkesën e tyre, ata i bën thirrje Osmanit që të mos e dekretojë Isufajn për Kryeprokuror.
IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL ishin organizatat që reaguan, menjëherë pasi anëtarët e KPK-së e votuan unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror.
“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhej në komunikatë.
Edhe Bashkimi Europian, e specifikisht Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese mënyrën se si Këshilli Prokurorial e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog reagoi i befasuar pas mbledhjes së KPK-së të mërkurën.
“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, pati shkruar Szunyog në Tëitter.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, shprehu po ashtu zhgënjimin e tij për vendimin e KPK-së për ta zgjedhur Blerim Isufajn Kryeprokuror.
“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga e duhur për të ecur përpara. Sidomos kur OJQ-të e njohura të Kosovës, si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe GLPS, kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, kishte thënë Rohde.
Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier pati thënë se pritjet e SHBA-së në këtë proces kanë qenë që ai të jetë “i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve. Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, ishte reagimi i Ambasadoritt Hovenier.
Deri kur do të marrë fund kjo sagë nuk dihet ende, pasi presidentja ndodhet për një vizitë në Slloveni aktualisht. Deri në një vendim përfundimtar, pozitën e Kryeprokurorit si ushtrues detyre, po e mban Besim Kelmendi.