I madh e i vogël reaguan, çka nëse Presidentja nuk e dekreton kryeprokurorin?
Këshilli Prokurorial i Kosovës pas një procesi që po konsiderohet kundërthënës, ka zgjedhur dhe dërguar për dekretim emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të shtetit.
Por a do ta dekretoj presidentja Isufajn edhe pas kritikave nga të gjithë aktorët e përfshirë, përveç vet KPK-së?
Ditë më parë presidentja Osmani kishte thënë se nuk mund të komentojë çështjen e dekretimit, pa e pasur në tavolinë emrin e propozuar nga KPK.
Një rast i tillë nuk ka ndodhur më parë në realitetin kosovar. Në fakt ekziston një rast i ngjashëm, por me një gjyqtar.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në tetorin e vitit 2013 nuk e kishte dekretuar gjyqtarin Enver Shabanaj, emri i të cilit ndërlidhej me mungesën e veprimeve për vrasjen e Diana Kastratit. Pasi emri i Shabanajt u dërgua sërish nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Jahjaga e dekretoi Shabanajn.
Mandati i Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi skadon më 21 prill. Nëse eventualisht presidentja nuk e dekreton emrin e Blerim Isufajt, atëherë sistemi prokurorial mund të ketë vështirësi. Këshilli mund ta dërgojë për herën e dytë emrin e Isufajt, siç kishte ndodhur me rastin e Shabanajt. E nëse sërish nuk dekretohet, atëherë nuk mbetet tjetër opsion veç se KPK-ja ta emëroj një ushtrues detyre, deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri.
E krejt kjo mund të marrë kohë, sidomos duke ditur tendencën e pushtetit aktual që nga fillimi, që Kryeprokurorin ta zgjedhë me ligjin e ri të Këshillit Prokurorial.
Kritikat nga shoqëria civile
Vërejtjet më serioze për këtë proces i patën pikërisht ata që janë të thirrur të monitorojnë proceset e drejtësisë në Kosovë. Tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.
Vërejtjet nga ndërkombëtarët
I pari nga ndërkombëtarët që nisi serinë e reagimeve kundër mënyrës se si KPK menaxhoi me procesin, ishte Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog.
“I zhgënjyer dhe i habitur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit. BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, KPK ka shpërfillur këto parime”. u shpreh Szunyog.
Pas këtij, rradha ishte për tri ambasadat më të fuqishme në vend.
Ambasadori gjerman Jörn Rohde duke e ripostuar reagimin e Shefit të BE-së, shtoi: “Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga për të ecur përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”
Ambasada britanike, që në fakt ishte e interesuar të luaj rol aktiv në këtë proces, u injorua nga KPK, këtë e tha vetë ambasadori Nicholas Abbott në një intervistë në RTK: ‘’Kjo është shumë e qartë, që ne kemi dashur të propozojmë për KPK që ne të mbështetim procesin dhe ata kanë vendosur që nuk duan ta bëjnë këtë. S’ka pasë komunikim të mirë. Ne kemi shprehur dëshirën që të angazhohemi por kjo i mbetet KPK-së” tha Abbott.
E ambasadori i vendit më të fuqishëm në botë, ndonëse disa orë më vonë se tre të parët, ishte jashtëzakonisht i ashpër me KPK-në.
“Fakti që anëtarët e KPK-së i shpërfillën ankesat legjitime dhe Rekomandimet e panelit shqyrtues bien ndesh me atë standard. Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur kandidat të preferuar dhe as nuk kemi gjykuar kualifikimet e kandidatëve individualë. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e kosovarëve. publikut dhe besimit tonë në KPK si institucion publik” ka thënë ndër të tjera Jeffrey Hovenier.
Ndikimi i politikës
Kritikave për këtë proces pati edhe vet e para e drejtësisë në Kosovë. Ministrja Albulena Haxhiu duke komentuar punën e KPK-së për zgjedhjen e kryeprokurorit në Kanal 10, Haxhiu shprehej kështu: “Procesi ka nisur keq, sepse ka pasur përpjekje të Britanisë që të bëjë vlerësim paralel me komisionin vlerësues. Ata nuk i kanë hapur dyert, dhe këtu ka nisur keq. Natyrisht nuk mund të jem e kënaqur me një proces të tillë.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje gjithashtu ishin të zëshëm në kundërshtim të këtij procesi.
Adnan Rrustemi, që përveq deputet i LVV, është edhe kryetar i Komisionit për Legjislacion ishte i prerë në qëndrimin e tij, duke thënë se procesi duhet të kthehet në pikën zero. Në postimin e tij në Facebook, Rrustemi shkruan: “Konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet, për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mos garantimit të paanshmërisë.”
Cfarë thonë juristët?
Për këtë çështje Gazeta Nacionale ka pyetur Drejtorin e institutit Clard, Anton Nrecaj.
Nrecaj që udhëheq me këtë institut i cili ka për qëllim ndihmën juridike, theksoi se presidentja duhet dhe mundet, ta kthej nga fillimi procesin- “Procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit ka qenë me defekte të mëdha dhe jo transparent. Gjetjet nga koalicioni i organizatave që merren me monitorimin e drejtësisë në Kosovë kanë gjetur shkelje serioze dhe kanë reaguar në lidhje me këtë proces.
Natyrisht që është në diskrecionin e Presidentes së Kosovës të mos e dekretoj për kryeprokuror kandidatin e propozuar nga këshilli. Zyra ligjore e presidencës sigurisht do ta trajtoj këtë çështje në hollësi, por ne jemi të sigurt që ky kandidat nuk duhet të dekretohet dhe procesi duhet të kthehet në pikën zero.
Ai tutje tha se KPK-ja ka keqpërdorur “pavarësinë” që i garantohet me ndarjen e pushteteve
“KPK- ka keqpërdorur pavarësinë që e ka ky organ, për ta organizuar një proces jo të rregullt, jo transparent, për çka kanë reaguar më parë Ambasada Britanike, e tash edhe Zyra e BE-së e Ambasada Gjermane. Nëse z.Isufaj do të dekretohej nga presidentja do ta kishim situatën e njëjtë sikurse deri më tani me kryeprokurorin Lumezi. Ne medojmë që zyra e presidencës do ta trajtoj me kujdes dhe do ta kthej në pikën zero këtë proces, sepse është ekskluzivisht në diskrecionin e saj” ka thënë për Nacionalen Nrecaj.
Ditë më parë kryeministri Kurti, zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit e kishte konsideruar, më të rëndësishme edhe se vet zgjedhjen e tij në krye të qeverisë.