Përgjigjja që s’po vjen, a po blen kohë Presidentja Osmani me mosdekretimin e kryeprokurorit?
Janë bërë gati 2 muaj, prej kur Këshilli Prokurorial ka dorëzuar në Zyrën e Presidencës, emrin e Blerim Isufajt për t’u dekretuar si kryeprokuror i Kosovës. Por, presidentja Vjosa Osmani ende nuk ka vendosur për kryeprokurorin e ri, i cili u përzgjodh nga KPK pas një procesit që u kritikua nga shoqëria civile.
E para e shtetit vazhdon ta mbajë “pezull” këtë proces, duke mos e bërë hapin final të dekretimit, që do të shënonte përfundimin e procesit.
“Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, pati deklaruar presidentja Osmani, në lidhje me dekretimin ose jo të Blerim Isufajt.
A po e pret miratimin e ligjit të ri për këshillin presidentja?
Gazeta Nacionale, ka raportuar edhe më herët, për mundësinë e zvarritjes së qëllimshme të dekretimit të Isufajt, në mënyrë që kryeprokurori i ardhshëm të zgjidhet me ligjin e ri, që tashmë ka kaluar leximin e parë.
Shumica në Kuvend, e që është Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit Albin Kurti, duke e miratuar ligjin e ri, e në anën tjetër duke e zvarritur dekretimin nëpërmjet presidentes Osmani, po e përgatit terrenin që kryeprokurori të zgjidhet me ligj të ri.
Më 14 prill të këtij viti, me 63 vota pro e 16 kundër Kuvendi e miratoi në lexim të parë projektligjin e ri.
Tash kur kanë mbetur edhe disa procedura, deri te leximi i dytë në kuvend, e miratimi përfundimtar i projektligjit, presidentja po vazhdon heshtur të ‘refuzojë’ dekretimin.
E pengesë në proces të miratimit të ligjit të ri, po del të jetë Komisioni për Integrime Evropiane, aty ku ky projektligj nuk e mori miratimin e anëtarëve të këtij komisioni.
Në këtë komision, vetëm 4 anëtarë votuan pro këtij projektligji, e që nuk mjaftuan për miratim. E pas këtij votimi, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, që është pjesë e komisionit, tregoi arsyet për qëndrimin kundër për këtë projektligj.
“PDK edhe në komision të legjislacionit ka qenë kundër. Nuk janë përfshirë vërejtjet e duhura. Komisioni i Venecias ka dhënë vërejtje dhe PDK është kundër” ka thënë Deliu.
Çka thonë juristët?
Driton Noci nga Instituti për Drejtësi, i tha Gazetës Nacionales se nuk ka një afat kushtetues për të marrë një vendim në lidhje me kryeprokurorin nga ana e presidentes Osmani. Megjithatë, ai deklaron se vendimi duhet të jetë i arsyeshëm.
“Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit nuk ka afat ligjor brenda të cilit Presidentja ka obligim për të marr vendim lidhur me procesin e dekretimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit. Sikurse, zgjatja e kohës deri të vendimmarrja për këtë proces varet nga fakti nëse KPK ka dërguar dokumentacionin e plotësuar tek Zyra e Presidentit lidhur me procesin e përzgjedhjes dhe propozimit të kandidatit për KPSh”, tha Noci.
Vendimi i Presidentes mund të prolongohet, edhe për një arsye tjetër. Njëri nga kandidatët që i hyri garës për kryeprokuror, tashmë ka dorëzuar ankesën e tyre në lidhje me procesin në Gjykatën Kushtetuese.
Ani pse nuk ka ndonjë kufizim kohor, presidentja Osmani, sipas njohësve të ligjit, duhet ta trajtojë me prioritet çështjen e dekretimit të kryeprokurorit.
Sipas Nocit, projektligji për Këshillin Prokurorial, nuk mund të ndërlidhet me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, pasi një gjë e tillë merr kohë.
“Projektligji për KPK-në nuk ka mundësi që të lidhet me këtë proces, pasi që përbërja aktuale e KPK do të jetë në fuqi deri në momentin kur emërohen dy anëtarë të ri të KPK në bazë të ligjit të ri që është në Kuvend. Procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të KPK mund të marr muaj të tërë dhe vetëm pasi të hyj ligji i ri në fuqi, e që në skenarin me të mirë nuk mund të ndodh para muajit shtator të këtij viti”, shtoi ai.
Kujtojmë që Zyra e Presidencës në një njoftim për media kishte deklaruar se Osmani do të marrë vendimin pasi të analizojë të gjitha shkresat.
Çfarë parasheh projektligji?
Me ligjin aktual, këshilli përbëhet nga 13 anëtarë, ndryshe ka përbërja aktuale që është 7 anëtarë. 10 prej tyre prokurorë, duke përfshirë Kryeprokurorin e Shtetit, 1 anëtar avokat nga Oda e Avokatëve, 1 anëtar profesor universitar i drejtësisë, 1 anëtar përfaqësues nga shoqëria civile.
3 anëtarët që nuk janë prokurorë, pra ata të odës së avokatëve, profesorin universitar dhe përfaqësuesin nga shoqëria civile, i ka zgjedhur Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Risitë e projektligjit janë të shumta, por më të debatueshmet janë pikërisht ato që ndryshojnë përbërjen e Këshillit.
Zvogëlimi i anëtarëve në Këshill është elementi që ka zgjuar debatin më të madh.
Nga 13 sa ishin, me projektligjin e ri synohet që këshilli të përbëhet e të funksionojë me 7 anëtarë. Prej tyre 4 prokurorë, 2 anëtarë të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës, 1 anëtar të delegohet nga Avokati i Popullit.
Deri tek kjo përbërje që po synohet të bëhet ligj, erdhi vetëm pas opinionit të Komisionit të Venecias, sepse ministria në hartimin e tyre të parë, propozonte që 4 nga 7 anëtarët të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.