Shkelja e Kushtetutës: Qysh po mundohet ministrja Haxhiu të “fshihet” pas Komisionit të Venecias - NACIONALE

Shkelja e Kushtetutës: Qysh po mundohet ministrja Haxhiu të “fshihet” pas Komisionit të Venecias

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kushtetuesja ka konstatuar se ligji, me të cilin VV-ja mburrej se po e reformon prokurorinë, duhet të bije në tërësi.

Shumë e nervozuar me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese është shprehur ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Në konferencë për media, ajo ka thënë se vendimi i Kushtetueses është absurd dhe i papranueshëm.

Por, ajo që ra në sy, ishte tendenca e ministres (nuk është e para), që vendimin e Gjykatës Kushtetuese ta sulmoi me opinionet pozitive të Komisionit të Venecias.

Gjykatës Kushtetuese nuk i kanë mjaftuar vlerësimet profesionale nga Komisioni i Venecias. Ky injorim i opinioneve është goditje e madhe për Republikën e Kosovës dhe për rrugën që kemi para vetës”- është shprehur Haxhiu.

A është ngatërruar ministrja?

Komisioni i Venecias është organ këshillues i Këshillit të Evropës, me një rol mjaft të rëndësishëm në drejtësinë evropiane.

Roli i tij është të ofrojë këshilla ligjore për shtete dhe, në veçanti, të ndihmojë shtetet që dëshirojnë të sjellin strukturat e tyre ligjore dhe institucionale në përputhje me standardet evropiane dhe përvojën ndërkombëtare në fushat e demokracisë.

Komisioni i Venecias, ofron këshilla e rekomandime bazuar në standarde evropiane dhe në praktikat më të mira për respektimin e të drejtave të njeriut e mbrojtjen e demokracisë.

Pas këtyre opinioneve, përveçse ato nuk janë asnjëherë obligative, “topi” kalon te hartuesit e ligjeve nëpër shtetet përkatëse. Pra është detyrë e hartuesve që ligjet që dëshirojnë t’i qojnë përpara t’i harmonizojnë me Kushtetutën e vendit të vet.

Çka thonë ekspertët?

Avokati Besnik Berisha, para se të dal ministrja në konferencë e “parashikoi” se arsyetimi kryesor i ministres për shkeljen e Kushtetutës do të jetë Komisioni i Venecias, duke e quajtur të padijshme ministren, si dhe zëvendësin e saj.

Sot do t'i drejtohet popullit drejtësidashës më e paditura që ka udhëhequr ndonjëherë me Ministrinë e Drejtësisë, për t'ua ‘dëshmuar’ se kush janë ‘sabotuesit’ e reformave dhe cfarë pasojash do kenë ata. Do degjoni lloj-lloj kërcënimesh nga të paditurit për këdo qe i ka kontribuar vendimit që konfirmoi shkeljet flagrante të kushtetutës, sikurse do dëgjoni edhe arsyetime boshe sesi te paditurit e kanë mirë, kurse Gjykata Kushtetuese është akoma e kapur”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Komisioni i Venecias do të jetë kryefjala e arsyetimit, parashikoi saktë Berisha.

Komisioni i Venecias do jetë kryefjala e diskutimit dhe argumentimit nga me të paditurit për të arsyetuar shkeljen flagrante të Kushtetutës. Sidoqoftë, pavarësisht arsyetimeve që këta do japin, një gjë mbetet e sigurt: Ministrja e drejtësisë dhe zëvendësi i saj përveçse janë të paditur maksimalisht, janë edhe të dëmshëm pafundësisht! Drejtësia në krye me këta është veç padrejtësi, prandaj sa më parë këta duhet të ikin në shtëpi!” – ka shkruar Berisha.

Gazeta Nacionale ka pyetur Drejtorin e Instituti për Drejtësi në Kosovë, Ehat Miftaraj në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe sulmet e ministres ndaj këtij organi, duke përdorur si argument opinionet e Venecias.

Gjykimet mbi vendimin e Kushtetueses që Haxhiu i bëri këtij organi, i ka quajtur të papranueshme Miftaraj.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese pa marr parasysh epilogun dhe pritjet legjitime që mund të kesh, duhet pranuar si të tilla. As Ministria e Drejtësisë dhe askush nuk do të duhej të gjykonte vendimet e kësaj gjykate, pasi kjo cenon parimet bazë të pavarësisë se institucioneve të pavarura.” – ka thënë Miftaraj.

Sa i përket Komisionit të Venecias, ai ka thënë Haxhiu ka të drejt kur e citon këtë organ për gjendjen aktuale në sistemin e drejtësisë, por jo edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ministrja Haxhiu me të drejtë i referohet opinioneve të Venecias të cilat kanë konstatuar se KPK është shëndërruar në një mekanizëm korporativ, ku nënkuptohet se kultura e pandeshkueshmërisë është shndërruar në standard, dhe se me këtë përbërje si është, do të jetë pothuajse e pamundur të besohet se ky sistem do të këndellet dhe të funksionoj sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Sikurse, në këtë fazë mund të supozojmë se edhe pse hartimi i ligjit është menduar të bëhët sipas rekomandimeve të Venecias, të cilat në rastin e Kosovës kanë karakter këshilldhënes dhe jo obligativ, GjK vendos edhe në bazë të praktikave tjera që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe se në këtë fazë kjo gjykatë nuk ia ka falur besimin MD”, është shprehur ai.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtuetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin kërkuar vlerësim të kushtetueshmërisë.

Aktgjykimi sqaron që kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar. Në kontekst të praktikës së saj gjyqësore, siç është shtjelluar edhe në Aktgjykim, Gjykata vlerëson që marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.” – thuhet ndër të tjera në vendim.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar të plotë Aktgjykimin në lidhje me këtë rast. Aty pritet të rradhiten arysetimet e plota dhe të detajuara që quan në vendimin për shpallje anti-kushtetuese të ligjit.

Lajme të ngjashme