Kurti e Haxhiu: Komisioni i Venecias e dha dritën e gjelbër për Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë - NACIONALE

Kurti e Haxhiu: Komisioni i Venecias e dha dritën e gjelbër për Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër për realizimin e reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të bëhet edhe Vettingu, dhe gjithashtu do të zbatohet edhe Konfiskimi i Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kurti ka bërë të ditur se verifikimi i udhëheqësve të sistemit të drejtësisë do të bëhet nga një mekanizëm i jashtëm.

“Reformimi i gjyqësorit përbrenda nga mekanizmat aktualë nuk është i mundur, këtë e kemi të konfirmuar edhe me opinionet e Komisionit të Venecias. Të njëjtën reformë nuk mund ta bëjmë me gjyqtarë aktualë. Rivlerësimin e aftësive, krerëve të gjyqësorit e prokurorial e nisim me mekanizmat e jashtëm të pavarur”, ka thënë Kurti në konferencë për media.

“Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pasjustifikueshme. Këto të dyja të vlerësuan lart edhe nga Komisioni i Venecias, që na e kanë falur besimin për ta jetësuar reformën e premtuar. Besimi që kemi marrë nga ju në zgjedhje na ka dhënë kurajo për luftimin e korrupsionit, Venecia na bind që reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike”, shtoi Kurti në konferencë për media.

Kurse, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka dhënë detaje për mënyrën se si do të bëhet Vettingu.

Haxhiu ka thënë se verifikimi do të bëhet fillimisht për udhëheqësit e Këshillit Gjyqësor e Prokurorial, Kryetarët e Gjykatave dhe Kryeprokurorëve.

“Në draftin për Vettingun që së shpejti bëhet publik, konstatohet nevoja për të bërë reformë. Rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet ligjore e kushtetuese. Komisioni rekomandon verifkimin e niveleve të larta përmes një mekanizmi të jashtëm duke nisur nga KGJK, KPK, si dhe kryetarëve të gjykatave dhe Kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive themelore, për të vazhduar pastaj me vlerësimin nga Këshillat tashmë të verifikuar”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.

Ajo ka thënë se Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër edhe për Konfiskimin e Pasurisë së Pasjustifikueshme.

Komisioni konstaton se një veting efektiv duhet kombinim të masave të ndryshme për të ngritur efikasitetin.

“Për Konfiskimin e Pasurisë, Komisioni gjen se është problem serioz, dhe sipas anëtarëve lufta kundër korrupsionit duhet të rritet, dhe konfiskimi civil mund të jetë i dobishëm. Njeh mekanizmin për konfiskim me bazë civile, dhe jep këshilla si do të duhej të bëhet konfiskimi, e pastaj vendimin përfundimtar do ta jepte gjykata”, ka theksuar ministrja Haxhiu.

Haxhiu është zotuar se Vetting do të ketë, dhe atë të plotë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës muaj më parë e kishte dërguar në Komisionin e Venecias draft-ligjin për realizimin e Vettingut në drejtësi, i cili sipas MD-së do të duhej të bëhej me ndryshime kushtetuese.

Lajme të ngjashme