Kurti më 2019: Asociacioni ka vdekur, Gjykata Kushtetuese e ka shpartalluar
Asociacioni i komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë pjesë e çështjeve politike, ndonëse Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, e kishte shpallur të vdekur më 2019.
Më saktësisht, Kurti, në një intervistë më emisionin “Click” të RTV 21, vlerësonte se për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më Asociacion.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe praktikisht ka vdekur dhe e dini Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor të vitit 2015 ka thënë që asnjë prej 7 kapitujve nuk është në përputhje me Kushtetutën, gjithsej 23 nene të Kushtetutës janë shkelur, rrjedhimisht nuk ka më Asociacionin.” – deklaronte Kurti në RTV21.
Madje, Kurti e theksonte se Zajednica do të varroset më 6 tetor.
“Varroset më 6 tetor, ata që e kanë mbështet shkojnë bashkë me të, le t’ia bajnë qaren ata, sa për neve kryhet kjo punë… E ka shpartalluar ai vendim i Gjykatës Kushtetuese Zajednicën, unë e kam lexuar mirë atë aktgjykim, unë e kam parë që e ka shpartallu.” – theksonte Kurti.
Kujtojmë që tashmë Kurti e ka pranuar themelimin e Asociacionit, duke vendosur disa kushte.