“Absurde, për keqardhje, nuk jap dorëheqje”: Çka tha ministrja Haxhiu pas shpalljes së Ligjit për KPK-në si antikushtetues - NACIONALE

“Absurde, për keqardhje, nuk jap dorëheqje”: Çka tha ministrja Haxhiu pas shpalljes së Ligjit për KPK-në si antikushtetues

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar një ditë pas shpalljes anti-kushtetues të Ligjit për Këshillin Prokurorial.

Haxhiu në një konferencë për media, e ka quajtur absurd vendimin e Kushtetuesës, e cila e rrëzoi Ligjin me të cilin VV krenohej se do t’a reformoj prokurorinë.

Është absurde se si Kushtetuesja e gjeti si ndikim të politikës, që në KPK të jetë një anëtar nga Avokati i Popullit, derisa Komisioni i Venecias këtë e ka konsideruar në raport me standardet ndërkombëtare. Pse Gjykatës Kushteutese ju deshën 9 muaj për të nxjerrë këtë Aktgjykim. Pse na morën 9 muaj? Pse iu nevoitën kaq shumë kohë?” ka thënë Haxhiu.

Haxhiu pati kritika të shumëta për krejt sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe institucionin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se udhëheqës të këtyre institucioneve, janë ndërruar vazhdimisht, po të njejtit, duke i shërbyer njëri-tjetrit për interesa personale.

Tutje Haxhiu ka njoftuar se nuk e kanë pranuar ende Aktgjykimin e plotë, por megjithatë kjo nuk i pengoi, që t'i thotë disa fjalë për opozitën, të cilët ia kërkuan dorëheqjen.

Haxhiu tha se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje, e se reagimet e opozitës për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe demokracisë, sipas saj janë për keqardhje.

“Për keqardhje reagimi i opozitës. Këmb e kokë këta e kanë kapur në të kaluarën sistemin e drejtësisë. Këta nuk kanë të drejt të flasin për reforma në drejtësi.

Unë dua t’I garantoj qytetarët e Republikës, por edhe t’I dëshpëroj opozitën. Siç 14 shkurti kur fituam është i pakthyeshëm, ashtu edhe reforma në drejtësi është e paktheyshme. Nuk është as hera e parë e as e fundit që më kërkohet dorëheqja. Nuk jap dorëheqje” u shpreh ministrja.

Vendimi i Gjykatës Kushteutese:

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtuetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin kërkuar vlerësim të kushtetueshmërisë.

“Aktgjykimi sqaron që kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar. Në kontekst të praktikës së saj gjyqësore, siç është shtjelluar edhe në Aktgjykim, Gjykata vlerëson që marrë parasysh natyrën e dispozitave të Ligjit të kontestuar të shpallura në kundërshtim me Kushtetutën dhe faktin që pjesa tjetër e Ligjit të kontestuar do të ishte vështirë e zbatueshme pas shpalljes së dispozitave të lartcekura si të pavlefshme, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.” – thuhet ndër të tjera në Aktgjykim.

Kujtojmë se Aktgjykimi i plotë nuk është publikuar ende. Por ajo që dihet është se ky ligj tashmë është rrëzuar.

“Fitore e demokracisë”, Çka thanë opozita

Për gazetën Nacionale kanë folur edhe dy partitë e mëdha opozitare, të cilat e dërguan në Kushtetuese ligjin.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abeard Tahiri ka thënë për Nacionalen se ky Ligj ishte në shpërputhje me Kushtetuesen dhe njëherit e cënonte rëndë punën e Prokurorit të Shtetit.

I kemi dhënë të gjitha argumentet e tona në të cilat kemi thënë që ky Ligj është në shpërputhje me Kushtetuesen dhe e cenon rëndë punën e Prokurorit të Shtetit. Pra ndryshimet që kanë qenë të propozuara nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Drejtësisë cënojnë rëndë punën e Prokurorit të Shtetit dhe realisht e vëjnë komplet nën kthetrat e politikës. Dhe kështu siç e kemi të rregulluar Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Kosovë ka qenë e pamundur që të miratohet ky Ligj, prandaj ju kemi thënë që ta tërheqin këtë Ligj nga procedurat parlamentare dhe ta lënë ashtu siç është, mirëpo pushteti konsideronte që të bëhen këto ndryshime dhe ta vënë në dispozicion të politikës, pikërisht Zyrën e Prokurorit të Shtetit.” – ka thënë Tahiri.

Ai tutje është shprehur se janë të lumtur që e kanë fituar këtë betejë për funksionin e Prokurorit të Shtetit dhe pavarësinë e tij, duke shtuar se me fitimin e kësaj beteje e kanë shpëtuar Zyrën e Prokurorit të Shtetit që të mos bie në kthetrat e pushtetit të Albin Kurtit.

Ne i kemi dhënë të gjitha vërejtjet tona në katër çështjet të rëndësishme dhe jemi shumë të lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë pikërisht atyre pikave që ne i kemi atakuar dhe jemi të lumtur që kemi fitu një betejë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me funksionin e Prokurorit të Shtetit dhe pavarësinë e tij. Kjo nuk është një betejë politike, kjo është një betejë për ta mbrojte Zyrën e Prokurorit të Shtetit për të mos lejuar me vendosë nën kthetrat e politikës apo nën kthetrat e pushtetit të Albin Kurtit.” – ka përfunduar Tahiri.

Në anën tjetër edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ka cilësuar vendimin e Kushtetueses si të pritshëm dhe të drejtë.

Është vendim i pritshëm dhe mendojmë që vendimi është i drejtë.” – ka thënë Gashi shkurtimisht për Nacionalen.

Lajme të ngjashme