35 vjet burgim për Izet Godenin që e vrau me sëpatë gruan e tij - NACIONALE

35 vjet burgim për Izet Godenin që e vrau me sëpatë gruan e tij

2 javë më parë

nga Arbër Ramadani

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 35 vjet burgim Izet Godenin i cili e kishte vrarë gruan me sëpatë.

I njejti ishte dënuar njëherë me 25 vjet burgim por rasti ishte kthyer në rigjykim.

“I akuzuari I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00 në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta anëtarin e familjes së tij – bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur në shtratin e saj, i akuzuari me sëpatë si mjet i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore dhe rrezikimin e jetës, e kishte goditur tani të ndjerën disa herë në pjesën e majtë të kokës, duke i shkaktuar asaj lëndime të rrezikshme për jetën, e për shkak të të cilave e ndjera kishte ndërruar jetë.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Nacionale e kishte përcjellë rastin drejtpërdrejt nga Gjykata, por që gjyqtari dy javë më parë, e mbylli këtë rast për publikun.

Qysh ndodhi vrasja?

Ishte ditë e shtunë, 26 nëntor, kur Sadije Godeni kishte planifikuar që të nisej për një shëtitje për në Pogradec me kolegët e saj të shkollës "Dardania" të Prishtinës, aty ku ajo punonte qe 28 vjet si mësuese e gjeografisë. Por shëtitjen me kolegët nuk e bëri.

Fatin, zonja Sadije e pati të tmerrshëm. Ajo u gjet e vrarë me sëpatë mëngjesin e së premtes në shtëpinë ku ajo jetonte vetëm me bashkëshortin, në rrugën "Mark Isaku" të kryeqytetit. I dyshuari për këtë rast është burri i saj 70-vjeçar, Izet Godeni.

Kishte 28 vjet që jepte mësim në shkollën fillore "Dardania" të Prishtinës. Arsimtarja e gjeografisë, Sadije Godeni, asnjëherë nuk kishte munguar në procesin mësimor.

Mungesa e saj e vetme qe të premten e 26 nëntorit .

Izeti, burri i saj, vrasësi i saj, u vetëdorëzua në polici.

Si e kuptuan në shkollë për vrasjen e koleges?

Në orën tetë të mëngjesit, më 26 shtator mësuesja e gjeografisë, Sadije Godeni, do të duhej ta kishte nisur mësimin me nxënësit e shkollës fillore "Dardania" të kryeqytetit.

Mungesa e saj në dy orët e para të procesit mësimor e shtyri drejtorin Isak Bregaj që të interesohej për vendndodhjen e mësueses, pa ditur se asaj i ka ndodhur më e keqja.

"Kam kontaktuar në telefon. Nuk më është lajmëruar. Sikur edhe ju, e kemi pa në media. Kemi thirrë në spital, më kanë dhanë pak detaje, por jo shumë. Ajo ka qenë arsimtare në shkollën tonë, e gjeografisë, e klasave të gjashta dhe të shtata. Ka punuar maksimalisht me nxënës, nuk kemi pasur asnjë vërejtje me të e për të. Ajo dje ishte në zyrë te ne. Kërkonte informacione për vendosjen e notave. Nuk më ka dhënë asnjë shenjë që ka qenë e shqetësuar"- tha për Nacionalen drejtori i shkollës "Dardania”, ku jepte mësim e ndjera.

E si mësuese të përkushtuar ndaj profesionit e kujtojnë edhe ish-nxënësit e saj.

"Arsimtare më të mirë nuk ka pasur shkolla e Dardanisë. Ka qenë një arsimtare e mrekulllueshme. Ka qenë arsimtare e djalit tim. Ka qenë shumë e urtë, e mirë, e sjellshme. Për atë erdha deri këtu, për me shprehë ngushëllime"- ka thënë për Nacionalen Besim Muqiqi, ish-nxënës i mësueses tashmë të ndjerë, Sadije Godeni.

Lajme të ngjashme