“Fitore”: Qysh e priti opozita vendimin e Kushtetueses që shpalli anti-kushtetues ligjin për KPK-në? - NACIONALE

“Fitore”: Qysh e priti opozita vendimin e Kushtetueses që shpalli anti-kushtetues ligjin për KPK-në?

2 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur anti-kushtuetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin kërkuar vlerësim të kushtetutshmërisë.

Aktgjykimi tashmë është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, ku janë dhënë edhe arsyetimet rreth këtij vendimi.

Ndërkohë, për gazetën Nacionale kanë folur edhe dy partitë e mëdha opozitare.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abeard Tahiri ka thënë për Nacionalen se ky Ligj ishte në shpërputhje me Kushtetuesen dhe njëherit e cënonte rëndë punën e Prokurorit të Shtetit.

I kemi dhënë të gjitha argumentet e tona në të cilat kemi thënë që ky Ligj është në shpërputhje me Kushtetuesen dhe e cenon rëndë punën e Prokurorit të Shtetit. Pra ndryshimet që kanë qenë të propozuara nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Drejtësisë cënojnë rëndë punën e Prokurorit të Shtetit dhe realisht e vëjnë komplet nën kthetrat e politikës. Dhe kështu siç e kemi të rregulluar Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Kosovë ka qenë e pamundur që të miratohet ky Ligj, prandaj ju kemi thënë që ta tërheqin këtë Ligj nga procedurat parlamentare dhe ta lënë ashtu siç është, mirëpo pushteti konsideronte që të bëhen këto ndryshime dhe ta vënë në dispozicion të politikës, pikërisht Zyrën e Prokurorit të Shtetit.” – ka thënë Tahiri.

Ai tutje është shprehur se janë të lumtur që e kanë fituar këtë betejë për funksionin e Prokurorit të Shtetit dhe pavarësinë e tij, duke shtuar se me fitimin e kësaj beteje e kanë shpëtuar Zyrën e Prokurorit të Shtetit që të mos bie në kthetrat e pushtetit të Albin Kurtit.

Ne i kemi dhënë të gjitha vërejtjet tona në katër çështjet të rëndësishme dhe jemi shumë të lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë pikërisht atyre pikave që ne i kemi atakuar dhe jemi të lumtur që kemi fitu një betejë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me funksionin e Prokurorit të Shtetit dhe pavarësinë e tij. Kjo nuk është një betejë politike, kjo është një betejë për ta mbrojte Zyrën e Prokurorit të Shtetit për të mos lejuar me vendosë nën kthetrat e politikës apo nën kthetrat e pushtetit të Albin Kurtit.” – ka përfunduar Tahiri.

Në anën tjetër edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ka cilësuar vendimin e Kushtetueses si të pritshëm dhe të drejtë.

Është vendim i pritshëm dhe mendojmë që vendimi është i drejtë.” – ka thënë Gashi shkurtimisht për Nacionalen.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Që në fillim të aktgjykimit, Kushtetuesja ka konfirmuar se i ka deklaruar të pranueshme kërkesat e PDK-së dhe LDK-së.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në njoftimin e publikuar për media gjatë së premtës, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron që në rendin kushtetues të Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur.

“Thënë këtë, Aktgjykimi sqaron që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur. Më saktësisht, Këshilli Prokurorial është pjesë përbërëse e Kapitullit VII të Kushtetutës lidhur me Sistemin e Drejtësisë dhe bashkë me Këshillin Gjyqësor, kanë kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht dhe pavarësisht ngjashmërive e dallimeve përkatëse, në ushtrimin e funksioneve të tyre, Kushtetuta u akordon të dyjave “pavarësi të plotë kushtetuese”. Aktgjykimi sqaron që kjo pavarësi e plotë kushtetuese, bazuar në nenin 4 të Kushtetutës lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, i nënshtrohet edhe balancimit e ndërveprimit me pushtetet tjera, gjithnjë në përputhje me vlerat demokratike siç janë të përcaktuara në nenin 7 të Kushtetutës.” – thuhet në aktgjykimin e publikuar.

Lajme të ngjashme