Vritet nga droni ukrainas korrespondenti rus i luftës, Semyon Eremin - NACIONALE

Vritet nga droni ukrainas korrespondenti rus i luftës, Semyon Eremin

1 javë më parë

nga NACIONALE

Korrespondenti rus i luftës, Semyon Eremin, i cili punonte për të përditshmen ruse “Izvestia”, u vra të premten nga një sulm ukrainas me dron në juglindje të Ukrainës, tha kjo gazetë.

“Izvestia” tha se 42-vjeçari vdiq nga plagët e pësuara, kur një dron ukrainas sulmoi përderisa gazetari po kthehej nga një udhëtim te një njësi ruse në rajonin Zaporizhia, raporton agjencia “Reuters”.

“Korrespondenti i luftës i Izvestia-s, Semyon Eremin, u vra më 19 prill gjatë një sulmi nga dronët ukrainas FPV në drejtimin e Zaporizhias, ku ai kishte shkuar për të incizuar një raport” – thuhet në raportin e gazetës ruse.

Raporti i tij i fundit ishte për anën ruse të luftës me dronë, shtoi e përditshmja ku punonte ai.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina rreth raportimit për vrasjen e këtij korrespondenti.

Gazeta “Izvestia” tha se Eremini kishte dërguar raporte nga shumë prej betejave më të ashpra në rajonet lindore të Ukrainës gjatë luftës 25-mujore, përfshirë Mariupolin, qytet i rrethuar nga trupat ruse për gati tre muaj më 2022.

Ai gjithashtu kishte raportuar nga Maryinka dhe Vuhledari, qyteza në qendër të shumë muajve me luftime të ashpra.

Të paktën 15 gazetarë janë vrarë në luftën e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, organizatë jofitimprurëse që e promovon lirinë e shtypit në botë.

Lajme të ngjashme