Hetimet për tokën e Manastirit të Deçanit, Prokuroria pret përgjigje nga Agjencia Kadastrale - NACIONALE

Hetimet për tokën e Manastirit të Deçanit, Prokuroria pret përgjigje nga Agjencia Kadastrale

1 vit më parë

nga Besian Beha

Për vendimin që shpesh nxit debat e tensione në skenën politike, tash është përfshirë edhe më direkt drejtësia. Prokuroria e Pejës ka vazhduar me ndërmarrjen e hetimeve në lidhje me mos-zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit. Kjo pasi tash e 6 vjet, pavarësisht vendimit të Kushtetueses, e pavarësisht edhe presioneve ndërkombëtare, vendimi për Manastirin nuk po zbatohet.

Aktualisht, institucionet e drejtësisë janë në pritje të një përgjigjeje nga Agjencia Kadastrale e Kosovës rreth pronës. Këtë e ka konfirmuar për gazetën Nacionale Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.

“Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka ndërmarrë veprime hetimore për rastin në fjalë. Aktualisht jemi në pritje të një përgjigjeje nga Agjencia Kadastrale e Republikës së Kosovës, për të vazhduar me veprimet tjera ligjore në këtë çështje penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Pejës.

Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, që është pjesë e Ministrisë së Mjedisit, por që të njëjtit, edhe pas tri ditësh pritje, nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me dokumentacionet që do t’ia ofrojnë Prokurorisë.

Prokuroria e Pejës kishte konfirmuar javë më parë se nën hetime është komuna e Deçanit, që nuk po pranon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, deri më tash, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Prokuroria.

“Ende nuk ka ndodhur, është proces i tyre, nuk e di. Për këtë merrni informacion te prokuroria”, u shpreh Ramosaj për Nacionalen.

“Unë po them merrni informacion te prokuroria. Nuk është e ndershme me u prononcu në këtë rast”, përfundoi shkurt kryetari i Deçanit.

Delegacioni i “Europa Nostra” viziton Manastirin e Deçanit, të cilin e kishin futur në listën e monumenteve më të rrezikuara - SHQIP.com

Ramosaj ndër vite është shprehur kategorikisht kundër zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Madje, ishte zotuar se sa është kryetar i kësaj komune, nuk do ta zbatojë vendimin.

Një sqarim juridik për Manastirin

Megjithtë, ende ka dilema nëse moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është vepër penale.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka sqaruar për Nacionalen se Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pavlefshme dy vendimet e Kolegjit të Ankesave në Dhomën e Posaçme të Supremes.

“Vendimet e vitit 2012, nga Gjykata Kushtetuese, janë trajtuar si çështje e gjykuar dhe me këtë e ka konsideruar si përfundimtar dhe të detyrueshëm vendimin e vitit 2012. Në rastin konkret, objekt i ekzekutimit është vendimi i vitit 2012 dhe jo vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili lë në fuqi vendimin e vitit 2012. Në vitin 2012, mosekzekutimi i veprës penale nuk ka qenë i inkriminuar. Përkundër kësaj, nëse vendimi i vitit 2012 nuk ekzekutohet sot, atëherë kjo çështje mund të bie në sferën penale”, ka thënë Shala për Nacionalen.

Por, kur mund të cilësohet vepër penale moszbatimi i një vendimi gjyqësor?

“Por, përderisa nuk ka informacione se në këtë rast të jenë aplikuar procedurat përmbarimore për ekzekutimin e këtij vendimi, kjo çështje aktualisht nuk bie në domenin penal. Nëse zhvillohen procedura të kësaj natyre dhe përkundër kësaj kemi të bëjmë me refuzim të vendimeve gjyqësore, atëherë kalohet në domenin penal, sipas dispozitave të Kodit NR. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Europa Nostra pas vizitës në Kosovë: Manastiri i Deçanit duhet të ruhet nga KFOR-i 24/7 - Gazeta Express

Hetimet e Prokurorisë për mos-zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese kishin nisur pas një kërkese nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Saga juridike për Manastirin e Deçanit

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, gjegjësisht ka përcaktuar se 24 hektarë tokë i takojnë atij manastiri.

Mirëpo, pushteti lokal në Deçan refuzon ta zbatojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për shkak se, siç pretendon, ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, dhe se asnjëherë nuk ka qenë e manastirit.

Autoritetet lokale në Deçan besojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit nga viti 1997, kur vendosi t'i dhurojë këtë pronë manastirit.

Më të zëshmit kundër zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, janë historianët e kësaj komune, të njohur me emrin “Lidhja e Historianëve të Deçanit”.

Presionet politike

Në secilin takim të lartë me përfaqësues diplomatikë, Kosovës tash e sa kohë i është kërkuar zbatimi i një vendimi të tillë. Madje, edhe kryeministri Kurti e presidentja Osmani, e konfirmuan se sekretari i shtetit të Amerikës, Antony Blinken ua kërkoi një gjë të tillë.

Europa Nostra në takim me KFOR-in, kërkojnë mbrojtje të lartë për Manastirin e Deçanit – Fakti Ditor

“Kurse sa i përket çështjes së Manastirit të Deçanit është shtruar në kontekstin që gjithnjë e keni dëgjuar edhe më herët nga ana e palës amerikane – në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani në konferencën për media pas kthimit nga Amerika.

Kurse, në një publikim të Zyrës së Josep Borrell, theksohet se kryediplomati i BE-së i ka përkujtuar vazhdimisht Kosovës nevojën për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit.

“BE-ja vazhdimisht u ka përkujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë me shpejtësi dhe në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, theksohet në përgjigjen e Borrell për Parlamentin Evropian.

Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokat e Manastirit të Deçanit është trajtuar në Rezolutën e miratuar nga PE më 6 korrik.

Në fakt, nuk ka asnjë risi në këtë kontekst. Ajo çfarë është shkruar në Rezolutë, është gjuhë e njëjtë e përsëritje e raporteve ndërkombëtare të mëparme.

Dhe si zakonisht, Parlamenti Evropian i ka kërkuar respektimin e vendimit të Kushtetueses, që ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë e parcelave të tokës.

“I kërkon qeverisë që t'i adresojë shqetësimet në mënyrë të duhur dhe të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për dhënien e parcelave të tokës Manastirit të Visoki Deçanit; është i shqetësuar se autoritetet ende nuk e kanë zbatuar këtë vendim gjyqësor, duke minuar kështu angazhimin e qeverisë për të zbatuar sundimin e ligjit dhe respektimin e saj për një gjyqësor të pavarur, si dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit; nënvizon rëndësinë e zbatimit të të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; i bën thirrje qeverisë të zbatojë një qasje joselektive ndaj konceptit të shtetit të së drejtës”, shkruhej në raport.

Kërkesa të ngjashme janë të shpeshta nga vendet e QUINT-it në Kosovë.

Lajme të ngjashme