Trysnia ndaj Kurtit, ShBA e BE me të njëjtën kërkesë për tokat e Manastirit të Deçanit
Në janar të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pranoi një letër nga numri tre i administratës amerikane, Antony Blinken. Ky i fundit, në mënyrë indirekte i kërkoi shefit të ekzekutivit që ta zbatojë vendimin për manastirin e Deçanit. Këtë kërkesë, në mënyrë të qartë, Blinken ua shtroi këtë javë në tryezën e takimit, Kurtit e Osmanit, të cilët e patën vizitën e parë zyrtare në Departmanetin e Shtetit.
Kurti sa i përket kësaj çështje, jo më larg së në shkurt të këtij viti deklaroi se Kushtetuesja nuk është dashur të marrë vendim pa u konsumuar shkallët tjera juridike.
“Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve” – kishte thënë Kurti.
Sot në një konferencë për media, kryeministri e pranoi se Blinken e ka hapur sërish temën për Manastirin e Deçanit, por këtë herë, Kurti nuk dha ndonjë qëndrim.
Thirrjet e ShBA-së e BE-së
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Tre muaj pas letrës që mori nga Blinken, Kurti në prill të vitit 2022 pranoi edhe një kritikë nga SHBA-ja për të njëjtën çështje.
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor mbi gjendjen në sektorë të ndryshëm në Kosovë, kishte përfshirë edhe moszbatimin e vendimit për pronat e Manastirit.
Këtu, theksohej qartë se autoritetet kanë dështuar që t’i zbatojnë urdhrat e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Kushtetueses.
“Autoritetet ndonjëherë kanë dështuar të zbatojnë rrdhrat e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese. Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë pretenduar se institucionet qeveritare kanë dështuar të zbatojnë vendimet gjyqësore në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht sa i përket mosmarrëveshjeve pronësore” - theksohej në këtë raport.
Një muaj më vonë, më 20 maj 2022, ditë kjo që do të shënonte gjashtë vite nga marrja e vendimit nga Gjykata, shtetet e QUINT-it përmes një reagimi sërish kërkuan nga Qeveria e Kosovës që ta zbatojë atë.
“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike” - thuhej në reagimin e QUINT-it.
Toka e “çan” Qeverinë
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 24 hektarë tokë dhe pyje i takojnë Manastirit mesjetar të Deçanit. Kjo tokë, e ka ndarë Qeverinë e Kosovës pasi që ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu po kërcënon më dorëheqje nëse i kërkohet që ta zbatojë.
Burime të Gazetës Nacionale brenda Qeverisë Kurti kanë treguar se Liburn Aliu është nervozuar me kërkesën e Blinken ndaj Kurtit e Osmanit.
Madje, ai u ka thënë njerëzve të tij se më përpara do të japë dorëheqje, sesa që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Blinken në takim me Kurtin ka kërkuar që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. E Liburni ka thënë ‘më përpara jap dorëheqje sesa ta zbatojë atë vendim’” – ka thënë ky burim për Gazetën Nacionale.



