Kurti e Osmani e pranojnë: Tema e Manastirit të Deçanit u përmend në takimin me Blinken-in
E PËRDITËSUAR (13:40)
Të dielën në mëngjes do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës.
Arsye për këtë pritet të jetë, vendimi për reciprocitet në letërnjoftimet dhe kthimin e tabelave RKS nga serbët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka kriminelë që nuk e duan ligjshmërinë në Kosovë.
“E kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë nëse në mëngjes ku do t’i diskutojmë me krerët e organeve dhe agjenscive të ndryshme shtetërorë dhe disa prej ministrave çështjet të cilat do të mund të na shfaqen, e të cilat ne do të duhej ti kemi parasysh. E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminel të llojeve e ngjyrave të ndryshme, të cilëve nuk iu pëlqen ligjshmëria dhe kushtetutshmëria dhe të cilët dëshirojnë ta sfidojnë shtetin e Kosovës. Andaj, kjo mbledhje është për të diskutuar se a janë marrë të gjitha masa që gjithçka të shkoj ashtu siç është endua, ashtu si është planifikuar, gjithnjë sipas shtete të se drejtës”, ka thënë Kurti.
Ai presidentin e Serbisë, Vuçiq e ka quajtur kryeministër të frikës, e veten kryeministër të shpresës.
“Unë jam kryeministër i shpresës e i progresit. Presidenti Serbisë po shfaqet si President i frikës dhe i frikësimit. Nëse dëshirojmë të shkojmë drejt Bashkimit Evropian, duhet t’i lëmë frikësimet e kërrcënimet, ti aplikojmë sanksionet kundër Rusisë etj. Sidoqoftë, kurdo që do të na thërret Brukseli, për një takim i cili ka për qëllim paqen në rajonin tonë, unë jam i gatshëm”, theksoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kanë pranuar se në takim me Blinken-in është diskutuar edhe për çështjen e Manastirit.
Osmani ka thënë se tema e Manastirit të Deçanit është diskutuar siç është bërë në të kaluarën, pa folur se çfarë i është kërkuar.
“Sa i përket Ballkanit të Hapur, nëse i referohemi takimit me Blinken-in, kjo temë fare nuk është shtruar. Për Manastirin e Deçanit, është ftuar në kontekstin që gjithnjë është dëgjuar edhe më herët, në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani, raporton Nacionale.
Se është përmendur kjo temë, konfirmoi edhe Kurti. Megjithatë, ai tha se pjesa më e madhe e takimit ka qenë për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
“Rreth 80% të vëllmit kohor të atij takimit ka pasur të bëjë me raportet bilaterale Kosovë - Amerikë dhe kontekstin ndërkombëtar. ShBA-ja e njeh Kosovën siç i ka shpallur kufijtë. Shtet i pavarur dhe sovran. Raportet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojmë. Si duket, për formulën e normalizimit të raporteve me Serbinë, pajtohemi me Amerikën. Është marrëveshje e obligueshme për normalizim të raporteve me njohje reciproke. Është përmendur Manastiri i Deçanit. Por 80% kemi folur për kontesktin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Kurti.
Të dy thanë se tema e Ballkanit të Hapur nuk është diskutuar në takim.
Temat e takimit me Blinken-in
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se takimi me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, ishte shumë i veçantë.
Pas kthimit nga ShBA-ja, në një konferencë të përbashkët me presidenten Osmani, ai tha se ky takim ishte një hapje e një kapitulli të ri.
“Takimi me sekretarin Blinken ishte fort i veçantë, sepse, në njërën anë, është konfirmim i aleancës tonë të fortë, por, në anën tjetër, është edhe hapje e një kapitulli të ri, ku reformat demokratike në Kosovë dhe sfidat para se cilave ndodhet i gjithë kontinenti, pas invazionit rus në Ukrainë, kërkojnë një shtim të bashkëpunimit të Kosovës me ShBA-në. Ne këtë e synojmë si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në atë të integrimit ndërkombëtar”, tha Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për media, të mbajtur në aeroport pas kthimit nga Amerika, foli për takimin me sekretarin Antony Blinken.
Ajo tregoi për temat që kanë biseduar me Blinken-in, por e la krejt nga fundi dialogun Kosovë - Serbi.
“Tema e parë ishte e fuqizimit ndërkombëtar. Pastaj, siguria dhe mbrojtja, reformat e brendshme. Temë ishte edhe dialogu Kosovë – Serbi”, tha Osmani, raporton Nacionale.
“Dialogu i përqendruar në njohje, ku u rikonfirmua që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Ne e kemi informuar Blinken-in ku qëndrojmë për disa marrëveshje, ku jemi me fazat e implementimit e shumë tema të tjera. Assesi Amerika nuk shtyn përpara zgjidhje që do ta prekte integritetin territorial ose rregullimin kushtetutes të Kosovës”, u shpreh presidentja e Kosovës në konferencën për media.
Osmani e cilësoi vizitën si të frytshme dhe tejet të rëndësishme, duke e përmendur edhe marrëveshjen me MCC-në.
Vendimi për targat
Kryeministri Albin Kurti foli edhe për vendimin e targave dhe reciprocitetin me letërnjoftime.
Ai u ka bërë thirrje serbëve të pajisen me tabelat RKS.
"Të bëhet zhvlerësimi i targave nga koha e Millosheviqit te targat RKS, në përputhje me respektimin e ligjit dhe kushtetutës. Uroj që nga e hëna e 1 gushtir, sa më shumë qytetarë serbë të vendit tonë ta bëjnë këtë kalim në regjistrin legjitim dhe legal të Kosovës. Sa i përket vendkalimeve kufitare, çdo qytetar i Kosovës, kur e kalon kufirin për Serbi, pajisjet me dokument shtesë. Ne nuk do t’i kishim preferuar asnjëherë këto, por, nëse ka dokument që qytetarët tanë e marrin për në Serbi, duhet të ketë një të tillë edhe kur qytetari i Serbisë hyn në Kosovë", tha Kurti.

