A ia ndryshoi rrugën për dialog Blinkeni, kryeministrit Kurti? - NACIONALE

A ia ndryshoi rrugën për dialog Blinkeni, kryeministrit Kurti?

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kritikuar nga opozita për qasjen që ka ndjekur në raport me dialogun me Serbinë. Sipas kritikave, Kurti e ka shndërruar dialogun e Brukselit në dialog teknik dhe ka harruar marrëveshjen finale. Por, a do të ndryshojë qasjen kryeministri pas takimit me kryediplomatin amerikan?

Monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi presin që takimi i krerëve shtetërorë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të ketë ndikim në dinamikën e këtij procesi.

Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se kryeministri Albin Kurti pas takimit mund ta ndryshojë qasjen ndaj dialogut të Brukselit, të cilin e kishte kritikuar fort sa ishte në opozitë.

Politologu Avdi Smajljaj ka thënë se udhëheqësit e Kosovës këtë vizitë do të duhej ta shfrytëzonin për përmbyllje më të shpejtë të dialogut me Serbinë.

Krahas marrëveshjes me MCC, çështja e dialogut dhe përmbyllja e çështjeve te hapura do të duhej konsideruar më e rëndësishme nga kjo vizitë në SHBA dhe nga takimi me z. Blinken. Marrëveshja për energjinë ka efekte më të vogla krahasuar me urgjencën e përmbylljes së çështjeve të hapura dhe përmbylljes së procesit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës me anëtarësim në OKB dhe organizata tjera. Andaj, kjo vizitë do të duhej përdorur për përmbylljen e dialogut me marrëveshje me njohje reciproke”, ka thënë Smajljaj.

Pas këtij takimi, ka thënë ai, pala kosovare duhet të lëvizë me hapa konkretë drejt marrëveshjes finale.

Marrë për bazë vonesat në takime si ky i fundit, mesazhi i këtij takimi për Kosovën është që duhet lëvizur drejt marrëveshjes finale që është në interes të Kosovës në rend të parë, rajonit, NATO-s, BE-së, etj. Nga ky takim, pala kosovare duhet lëvizur me hapa konkretë në procesin e dialogut dhe përmbylljes së çështjeve te hapura. Përndryshe, ne edhe ashtu jemi vonë, nëse i shohim dinamikat e reja politike në nivel global, të cilat deshëm ne ose nuk deshëm, reflektohen edhe në zhvillimet në Kosovë dhe rajon”, ka thënë ai.

Edhe Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), ka folur për gazetën Nacionale për ndikimet e këtij takimi në rrjedhën e procesit.

Ai ka thënë se ndikimet mund të shihen fillimisht në aspektin e brendshëm.

Ka tashmë kohë që edhe më parë edhe tash temë e thuajse çdo takimi të nivelit ndërkombëtar është edhe dialogu me Serbinë. Edhe ky rast nuk përbën përjashtim. Ndikimi i këtij takimi me sekretarin Blinken fillimisht mund të shihet në aspektin e brendshëm, se a do të ketë ndonjë qasje të re nga Qeveria në dialog, ndonjë ndryshim pozicionesh në tema apo edhe diskurs. Por, për këtë na duhet kohë që ta analizojmë dhe ta vlerësojmë. Sidoqoftë, ndikim pozitiv në përforcimin e pozitës së Kosovës në dialog mund të ketë deklarimi i kahmotshëm dhe tash i përsëritur i SHBA-së se zgjidhja përfundimtare e dialogut duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Fetahu.

Sipas tij, vazhdimisht takimet e rëndësishme kanë pasur ndikimet e tyre në proces.

Ky duhet të jetë edhe narracioni që Kosova duhet ta ushtrojë në dialog, në raporte me vende tjera dhe të tentojë që këtë pozicion ta imponojë edhe tek ndërmjetësuesi, Bashkimi Evropian. Gjithmonë, takimet e nivelit të lartë ndikojnë të paktën në tentim për përshpejtim të ndonjë procesi, siç është ky i dialogut me Serbinë. Sidoqoftë, në gjykimin tim në këtë situatë është Serbia pala e interesuar për stagnim të dialogut dhe mosprogres, kjo mund të vërehet nga diskursi i Beogradit zyrtar, qasja që e ka në dialog muajt e fundit, por duhet shtuar këtu edhe një pozitë jo shumë të lakmueshme që Serbia e ka në arenën ndërkombëtare pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Andaj, edhe gatishmëria e Kosovës për dialog mund të pengohet nga qasja e Serbisë”, ka thënë Fetahu.

Rritja e presionit ndaj Kosovës nuk përjashtohet

Hulumtuesi i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), Arbër Fetahu, ka treguar se pas këtij takimi nuk përjashtohet mundësia që ndaj Kosovës të shtohet presoni për këtë proces.

Edhe presionet në politikën e jashtme nuk përjashtohen, apo edhe shtrëngimet që mund të vijnë nga ndikimi i SHBA-së që e ka në shoqërinë ndërkombëtare, e të cilat mund të shprehen ndaj të dyja vendeve varësisht nga dinamikat e procesit. Por, konsideroj që SHBA do të vazhdojë të jetë përkrah BE-së ndoshta edhe me një koordinim dhe bashkëpunim më të thellë për ta çuar procesin para”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk pritet që SHBA-ja të kyçet drejtpërdrejt në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja që nga fillimi i dialogut ka qenë e kyçur në proces, ndonëse ka pasur ndryshim qasjesh varësisht nga kush është udhëhequr fuqia numër një në botë. Por, konsitencë në angazhim për dialog ka pasur gjithmonë. Duke e parë deri tash qasjen e Administratës Biden, konsideroj që SHBA do të vazhdojë me qasjen e strukturuar ndaj dialogut Kosovë-Serbi, që i bie që e respekton BE-në si ndërmjetësuesin zyrtar apo udhëheqësin e procesit të dialogut. Kjo është bërë e qartë edhe në politikat e SHBA-së karshi Kosovës dhe BE-së. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që interesimi do të bie për Kosovën dhe dialogun, por, marrë parasysh qasjen kontraverse të ish-presidentit Trump, nuk besoj që qasje si në të kaluarën do të përsëritet”, është shprehur ai, duke shtuar se që në aspekt pozicionesh me BE-në, SHBA do të vazhdojë njëjtë siç ka qenë deri tash.

“Megjithatë pres një aktivizim më dinamik në mbështetje të BE-së dhe të palëve të përfshira në process për nje zgjidhje finale. Kjo përfshirje mund të vijë në formë të ofrimit të incentivave politike, ekonomike, por edhe ushtarake (siç mund të jetë mbështetja e Kosovës për anëtarësim në NATO)”, është shprehur ai.

Ndërsa, kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka vlerësuar se pas këtij takimi debati në vend duhet të përqendrohet në rrugën që kryeministri Kurti do të ndjekë në dialogun me Serbinë.

Debati tani duhet të përqendrohet jo në mungesën e takimit të kryeministrit me administratën amerikane por në rrugën qo ai do të ndjekë në dialogun me Serbinë. Takimi i Kryeministrit Kurti (dhe presidentes) me Sekretarin e Shtetit, Blinken, heq nga rendi i ditës në debatet tona të përditshme se në çfarë niveli protokollar është pritur kryeministri ynë në Uashington. Takimi me Sekretarin e Shtetit është takim jo vetëm dinjitoz, por edhe adekuat, duke pasur parasysh se Departamenti i Shtetit nga të gjitha strukturat qeveritare të SHBA-ve merret më së shumti me Kosovën në përgjithësi dhe me dialogun në veçanti. Tani, temë e debatit në shoqërinë tonë, në media e politikë do të duhej të ishte cila do të jetë rruga që kryeministri dhe qeveria do të marrin karshi dialogut me Serbinë. A po futen në rrugën e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara apo kryeministri po do të blejë ende kohë (nëse ka sa i përket dialogut)?”, ka shkruar Murati.

Murati ka shprehur dronë e tij se Kurti do ta zgjedhë rrugën e cila prapë dërgon në status quo.

Nëse qasja është zbatimi i marrëveshjeve të kaluara me Serbinë, përfshirë asociacionin, a nënkupton kjo njohje nga Serbia dhe mbi të gjitha një Kosovë funksionale? Apo mosfutja në këtë rrugë na çon në bisedime të pafundme, herë teknike e herë politike, në të cilat Kosova përmes 'qasjes konstruktive' do të ngecet në realizimin e marrëveshjeve të shumta të copëzuara? Apo mos kryeministri do ta shfrytëzojë këtë moment të mirë politik (si dhe legjitimitet të madh që e ka brenda Kosovës) për ta përmbysur kornizën e bisedimeve, për t’u vendosur në ofensivë dhe duke hequr vellon e popullistit profesionist e duke u shndërruar në burrështetas, të kërkojë guximshëm zgjidhjen e problemeve të mëdha me Serbinë, e mbi të gjitha atë të veriut të Kosovës dhe të Kosovës Lindore përmes zbatimit të reciprocitetit? Vazhdoj me qenë skeptik se kryeministri do ta ndjekë rrugën e fundit. Të gjitha të tjerat çojnë prapë, o në status quo, o në Kosovë edhe më jofunksionale se kjo e sotmja”, ka shkruar ai.

Blinken: Përkrahim dialogun Kosovë-Serbi

Pas takimit me presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë se në fokus të takimit ka qenë dialogu i Kosovës me Serbinë.

Në llogarinë e tij në Twitter, Blinken ka shkruar se Amerika e përkrah integrimin euroatlantik të Kosovës dhe mbështet dialogun mes Kosovë dhe Serbisë.

U takova sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, ka shkruar Blinken.

Mbështetjen e kryediplomatit amerikan e ka konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti.

Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë të fuqishme aktualisht dhe të thella historikisht. Qëndrojmë krah për krah njëra-tjetrës se jemi miq, partnerë dhe aleatë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Lajme të ngjashme