Amerikanët me mesazhe të qarta: Dialogu me Serbinë urgjent, status quo i sjell të mira vetëm Rusisë - NACIONALE

Amerikanët me mesazhe të qarta: Dialogu me Serbinë urgjent, status quo i sjell të mira vetëm Rusisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Amerikanët kanë zbritur në Kosovë. Dhe atë në zyrat më të rëndësishme të vendit. Gjatë ditës, Karen Donfried së bashku me Gabriel Escobarin takuan presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Donfried, që është asistente e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, për çështje europiane dhe euroaziatike, dhe Escobar, emisar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, kanë kaluar ca orë në takime të ndara me dy krerët e shtetit.

Çfarë tha amerikania Donfried pas takimeve?

Pas takimit me të parën e shtetit, Donfriend ishte e qartë në mesazhet e saja. Megjithatë, fjalimin e saj Donfriend e filloi duke përmendur ish sekretaren amerikane, Medeline Albright, e cila ndërroi jetë kohë më parë.

Sekretarja Albright ishte tepër e përkushtuar për Kosovën për të ardhmen e saj. Edhe pse e fituar me shumë mund, paqja dhe progresi i Kosovës nuk duhet të merret si e mirëqenë. Të gjithë ne duhet të luftojmë çdo ditë për të përmbushur nevojat e qytetarëve të saj. Kjo do të thotë angazhimin që Kosova ta zë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare, përfshirë marrëdhëniet e normalizuara me Serbinë, që në qendër kanë njohjen e ndërsjellë”, ka deklaruar Donfried.

Si përfaqësuese e ShBA-së, ajo tha se është e kënaqur me atë se çfarë pa në Kosovë, duke shtuar se është krenare të quaj shtetin kosovar partner të Amerikës.

Teksa po ateronim kisha mundësinë të shihja nga lartë pamjen e shtetit tuaj të bukur dhe vibrant. SHBA-të janë krenare që mund ta quajnë Kosovën si partnere të tyre”, deklaroi amerikania e fuqishme.

E kur përfundoi hyrjen prej kurtuazie, Donfriend pati disa fjalë për dialogun me Serbinë.

Për këtë, ajo sqaroi se ShBA-të konsiderojnë që dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe nomralizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Pas takimi me Kurtin, ajo tha se lufta në Ukrainë ka treguar se institucionet demokratike nuk duhet të merren si të mirëqena.

SHBA duan që ta shohin Kosovën duke marrë vendin e vet të duhur në institucionet europiane dhe euroatlantike. Për këtë çështje ne i japim kaq shumë prioritet mbështetjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja për ta ndihmuar Kosovën që të arrijë në marrëdhënie të normalizuara, të qëndruara, me njohje të dyanshme me fqinjin tuaj Serbinë. Sepse status quo është e paqëndrueshme, jo vetëm që e pengon të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë drejt Europës, por i bën të mira Kremlinit. Sepse Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet, dhe konsolidim demokratik në shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke siguruar që ju dhe shtetet fqinje të mos integroheni në institucionet europiane dhe euroatlantike. Rusia beson se një Ballkan i cili është më i fuqishëm me prosperitet demokratik më i qëndrueshëm, do të jetë një kërcënim për influencën e tij”, deklaroi ajo.

Madje për Dofried mënyra për t’iu kundërvënë Kremilinit është e thjeshtë. Sipas saj, Kosova e Serbia duhet të bëhen bashkë për t’u angazhuar në mënyrë urgjente në dialog.

Mënyra më e mirë për t’ju kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit, për ta destabilizuar rajonin, janë të thjeshta. Kosova dhe Serbia duhet të bëhen bashkë dhe në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja. Qëllimi ynë është edhe qëllimi juaj, një marrëveshje që përmirëson marrëdhëniet tuaja, e përqendruar në njohje të ndërsjellë. Dua t’ju siguroj që përkushtimi i SHBA-së dhe aleatëve e partnerëve tanë mbetet i qëndrueshëm. Kosova e ka NATO-n me misionin e saj të KFOR-it”, përfundoi Donfried.

Amerikania e fuqishme deklaroi se ShBA-të janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën.

Të gjithë ne duhet të luftojmë për të përmbushur nevojat e qytetarëve tanë, kjo do të thotë avancim në përpjeke që Kosova të marrë vendin e duhur në institucionet evropiane. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me ju. Unë e di që Lufta në Ukrainë në shumë raste i ka hapur kujtimet e hidhura të Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë krenare që Kosovën mund ta quajnë partnere të tyre”, tha ajo pas takimit me presidenten Osmani.

Gjatë prononcimit të saj, Donfriend nuk e la pa e përmend edhe strehimin e afganëve nga Kosova, duke thënë se shteti kosovar tregoi lidership në skenën ndërkombëtare.

E dimë që lufta në Ukrainë në shumë raste ka hapur kujtime të vjetra. Lidershipi empatik dhe humanitar kosovar që ka treguar Kosova përkundër kësaj trauma të rilindur është për tu mbatjur mend. Kohë pas kohe Kosova ka treguar se kur njerëzit janë në nevojë dyert e saj janë të hapura. Ju falënderojmë për ofertën tuaj bujare për të pranuar afganët në Kosovë. Deri më tani 600 afganë kanë lënë kampin e Bondstilit dhe kanë filluar jetën e re në Amerikë. Pra 600 jetë do të fillojë një kapitull të ri në jetën e tyre falë Kosovës. Ju falënderojmë edhe për pritjen e gazetarëve ukrainas në këto kohë të vështira. Dua të ju siguroj se përkrahja e SHBA-së do të vazhdojë të jetë e fortë”, tha ajo.

Tutje ajo foli për sigurinë në Kosovë, ku u kujdes të përmend se misioni i KFOR-it është manifestim i përkushtimit që ka Amerika për sigurinë në shtetin e Kosovës.

KFOR-i, alokimi më i madh i NATO është manifestimi i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës”, tha ajo në fjalimin e saj.

Përveç fushës së sigurisë, në konferencën për media, u tha se ShBA-të janë të gatshme të ndihmojnë Kosovën edhe në fusha të tjera.

Është e qartë për mua se resursi kryesor i Kosovës është po ashtu diçka që duhet të mbrohet, fuqia juaj e re punëtore dhe inovative. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë me ju derisa zgjeroni ekonominë tuaj, zgjeroni integrimin rajonal dhe ndërtoni një sektor të energjisë të fuqishëm dhe divers”, tha Donfried.

Amerikania përmendi edhe strehimin e 20 gazetarëve ukrainas nga Kosova.

Çfarë deklaruan Kurti e Osmani?

Që në krye të herës, presidentja Osmani deklaroi se ShBA-të e përkrahin sovranitetin e Kosovës.

"Amerika e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës", tha presidentja.

Në vazhdim të fjalimit të saj, presidentja e vendit theksoi të ketë përmendur mos-zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia.

Shpreha zhgënjimin tonë për moszbatimin e marrëveshje të shumta të nënshkruara në Bruksel nga ana e Serbisë, duke përfshirë këtu edhe refuzimin e Serbisë për shpërbërjen e strukturave ilegale të cilat po i frikësojnë serbët e Kosovës”, tha ajo.

Osmani tregoi se në takim u diskutua edhe urgjenca e dialogut me Serbinë.

Natyrisht që ne sot gjithashtu diskutuam për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut, gjithnjë të përqendruar në njohjen reciproke”, tha Osmani.

Tutje, Presidentja tha se Kosova është e përkushtuar në këtë proces me përfundim njohjen reciproke.

E ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi i cili e ka në qendër njohjen reciproke dhe nga i cili do të përfitojnë përfundmisht qytetarët”, u shpreh ajo.

Ndërsa, shefi i ekzekutivit foli për aleancën me ShBA-të, duke përsëritur një fjali të tij të famshme se kur është në pyetje Amerika, Kosova nuk pyet

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm. Një i tillë që nuk pyet pse, por si.

"Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm. Një i tillë që nuk pyet pse, jo sa por kur", deklaroi Kurti.

Edhe sot folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin dhe kontributin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta japin në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thelle në mes të dy vendeve tona, sidomos në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Kurti në konferencë.

Tutje, kryeministri foli edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO e sanksionet ndaj Rusisë, duke thënë se Serbia nuk duhet të mirëkuptohet për mos vënien e sanksioneve nda Kremlinit.

Po jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vepruar njësoj. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë dhe për tu distancuar nga ajo. Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë, vlerë orientim e Aleancë. Vlerë anti-demokratike. Orientim joperëndimor dhe aleancë autokratësh. Andaj që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe jo vetëm, është i domosdoshëm integrimi i sa më shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO, i shteteve që janë demokratike dhe i kanë vendosur sanksione Federatës Ruse. Kosova duhet të anëtarësohet në këshillin e Evropës dhe të bëhemi pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s”, tha Kryeministri.

Madje shefi i ekzekutivit kosovar e përmendi që Kosova ka qenë e menjëhershme në rreshtimin me botën demokratike e kundër agresionit rus.

Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me SHBA me BE dhe Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i menjëhershëm. Një rreshtim i tillë është vlerë, orientim dhe aleancë. Përveç sanksioneve që i kemi vendosur Federatës Ruse, kemi treguar solidarizim me popullin dhe shtetin e Ukrainës. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në pesë mijë refugjatë nga Ukraina dhe tashmë kemi mirëpritur gazetaren e parë ukrainase e do të mirëpresim edhe të tjerë”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme